
Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se si parti opozitare nuk janë të kënaqur që Qeveria e Albin Kurtit po përballet me grevë.
Por thotë se do të duhej Kurti të bënte diçka që fëmijët të kthehen në shkolllë.
“Ne nuk jemi të kënaqur që ka grevë. Ne e mbështesim grevën. LDK asnjëherë nuk del kundër një të drejte ligjore. Ne nuk jemi duke i fërkuar duart me atë çfarë po i ndodh zotit Kurti, sepse i kemi 318 mijë nxënës që nuk po e ndjekin mësimin. Me këtë bilanc bankar që ka sot shteti, sikur ne të ishim në pushtet, ne sot do e kishim bërë indeksimin e pagave e pensioneve në shumë prej 20%”, ka thënë ajo në TV Dukagjini, të enjten.
Ajo ka thënë se e vetmja gjë që LDK-ja po e kërkon që që sa më shpejt të ndërpritet greva.
“Ne po kërkojmë që Kurti t’i kthejë nxënësit në shkollë pasi kjo gjë varet ekskluzivisht nga Qeveria. Në një shtet normal, Qeveria ditë e natë do të diskutonte me sindikatën. LDK, mendon që kërkesat e sindikatës, janë legjitime, kjo rrjedhimisht i bie që i përkrahim format ligjore të tyre”, ka deklaruar ajo.
Greva në arsim ka filluar më 25 gusht.
Qeveria e Sindikata nuk po munden dot të arrijnë marrëveshje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai ideologjikisht është kryesindikalist.
Por tha se ”greva po përdoret nga opozita për qëllime politike”.