Sport 1 Tetor 2022, 16:35

Derbi Partizani-Tirana, policia plan masash për të shmangur incidentet; akset rrugore që bllokohen

Shkruar nga Pamfleti
Derbi Partizani-Tirana, policia plan masash për të shmangur

Policia do të jetë në gatishmëri për derbin e kryeqytetit Partizani-Tirana. Uniformat blu kanë njoftuar se kanë marrë një sërë masash për garantimin e sigurisë, ndërkohë që do të bllokohen dhe disa akse rrugore.

Policia njofton se do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Njoftimi i plotë:

Policia e Tiranës ka hartuar plan masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Partizani-Tirana qe do të zhvillohet më datë 02.10.2022, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.

Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore, gjatë momentit të kalimit të tifozëve.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga “Lek Dukagjini” përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” .

Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë:

– Lëvizja e tifozëve të Tiranës: Nga Teatri i Operas dhe Baletit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima” – stadiumi.

– Lëvizja e tifozëve të Partizanit: Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Gjergj Filipi” – stadiumi.

Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit kjo e shoqeruar me dokument.

Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.

Shërbimet e Policisë në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjnë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Sport Partizani-Tirana policia plan masash