Kronike20 Dhjetor 2022, 16:10

Derbi Tirana-Partizani “paralizon” kryeqytetin, Policia publikon planin e masave, rrugët që do të bllokohen

Shkruar nga Pamfleti
Derbi Tirana-Partizani “paralizon” kryeqytetin, Policia publikon

Derbi Tirana-Partizani “paralizon” kryeqytetin, Policia publikon planin e masave, rrugët që do të bllokohen

Ditën e nesërme në orën 20:00 do të luhet derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit dhe do të ketë bllokim të disa rrugëve në kryeqytet.

Policia e Tiranës njofton se ka hartuar planin e masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.

Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore, gjatë momentit të kalimit të tifozëve.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” .

Në rast se do të ketë marshime të tifozëve të të dyja skuadrave, do të ndjekin itinerarin si më poshtë:

– Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet nga Teatri i Operas dhe Baletit, rruga “Bajram Curri”, Rruga “ Papa Gjon Pali II ” – stadiumi;

– Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Shopen”, rruga “Lek Dukagjini” – stadiumi.

Policia njofton se do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).

Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.

Shërbimet e Policisë, thuhet më tej në njoftim, në rast të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjnë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.

“Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, në oraret e caktuara”, mbyllet njoftimi i bluve.

Kronike #Tirana-Partizani derbi i kryeqytetit policia