
Kremlini e ka cilësuar vendimin e SHBA-së dhe Perëndimit për të dërguar tanke në Ukrainë si një përshkallëzim të konfliktit. Moska lë të kuptohet se do të ketë pasoja të mëtejshme.
Dmitry Peskov, zëdhënësi i Vladimir Putin tha se furnizimi i Ukrainës me tanke M1 Abrams dhe Leopard 2 nga vendet anëtare të NATO-s është një ndërhyrje e drejtpërdrejt nga Perëndimi.
“Ka deklarata të vazhdueshme nga kryeqytetet europiane dhe Uashingtoni se dërgimi i sistemeve të ndryshme të armëve në Ukrainë, përfshirë tanket, nuk nënkupton në asnjë mënyrë përfshirjen e këtyre vendeve apo aleancën në armiqësitë në Ukrainë. Ne nuk jemi dakord në mënyrë kategorike me deklaratën, kjo shihet si përfshirje e drejtpërdrejtë në konflikt. E shohim që po rritet”, tha Peskov.
Ndërkohë Putin vijon me pretendimin se Rusia nuk është zyrtarisht në luftë me Ukrainën. Në mënyrë të ngjashme, Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev, deklaroi se SHBA dhe NATO po marrin pjesë në konfliktin në Ukrainë dhe duan ta zgjasin atë.
Veç kësaj, Peskov akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se po përgatitej për luftë, duke theksuar se Zelensky nuk kërkonte më të bisedonte me Putinin.