Aktualitet26 Shtator 2022, 21:38

Dëshmia në SPAK/ Si Berisha i bëri presion gjeneral Qirjazit për kompleksin “Partizani”; nga beteja për firmën, te largimi nga detyra

Shkruar nga Pamfleti
Dëshmia në SPAK/ Si Berisha i bëri presion gjeneral Qirjazit

Berisha hyri vetë në lojë, duke aktivizuar njësinë Antikorrupsion në Kryeministri, e drejtuar nga Oerd Bylykbashi. Ky i fundit dërgon menjëherë dy inspektorë të hetojnë gjeneralin.

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe shumë bashkëpunëtorë të tij rrezikojnë të fundosen nga dosja e ish-kompleksit “Partizani”. Pas rreth dy vitesh heshtje, SPAK i ka hyrë me themel këtij skandali dhe po dalin në dritë të gjitha manovrat që bëri ish-kryeministri Sali Berisha, për t’i dhënë dhëndrit të tij një truall për ndërtimin e kullave.

Sot u paraqit në SPAK një prej njerëzve, që refuzoi të firmos për këtë aferë dhe që vonoi për shumë muaj privatizimin e pronave. Bëhet fjalë për gjeneral Vladimir Qirjazin. Në kohën kur Berisha nis procedurat e privatizimit, ai ishte drejtuesi i Komandës së Mbështetjes Logjistike të FA.

Por ai është përballur me presion të jashtëzakonshëm, pasi i kërkohej me ngulm që të firmoste dokumentet e privatizimit të truallit.

Më poshtë po tregojmë me detaje presionin që ju bë gjeneralit, i cili rezistoi deri në fund, duke sjellë më pas dhe uljen e tij në detyrë.

Procedurat për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” nisin me shpejtësi në fund të vitit 20017. Më 19 shtator 2007, ministri i Ekonomisë Genc Ruli me shkresën 50/1 miratoi kërkesën e privatizimit dërguar nga ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu që në vitin 2005. Më pas nisin lëvizjet, por shpërthimi në Gërdec trazon ujërat dhe Fatmir Mediu jep dorëheqjen. Në vend të tij emërohet Gazment Oketa. Ky i fundit nis të zbatojë urdhrat e Berishës, por përballet me Vladimir Qirjazin. Komanda Mbështetëse që drejtohej prej tij, ishte urdhëruar për të marrë përsipër administrimin dhe regjistrimin pranë hipotekës të tokës dhe ndërtesat që përbëjnë Kompleksin Partizani.

Qirjazi mori detyrën në gusht të 2008 dhe në mars 2009 mori urdhrin për t’u përgatitur nënshkrimi i kontratës për privatizimin e kompleksit dhe toka tu dorëzohej ish-pronarëve. Gjenerali ngriti një komision dhe më pas konstaton parregullsi. Qirjazi deklaroi se nuk mund të dorëzojë një pronë që nuk është përfshirë kurrë në inventarin dhe kontabilitetin e Komandës së tij. Ai refuzoi të firmosë, duke u shprehur se i takon Ministrisë së Mbrojtjes të firmosë kontratën.

Ministria e Mbrojtjes, nga ana tjetër, këmbëngul se i takon pikërisht Qirjazit të nënshkruajë. Këtu nisin dhe përplasjet e forta. Më 1 prill 2009, ministri Gazment Oketa thërret Vladimir Qirjazin në zyrën e tij. Nuk dihet e plotë se çfarë u diskutua, por më pas Qirjazi i dërgon një raport me shkrim eprorit të tij të drejtpërdrejtë, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, të cilit ai përshkruan se çfarë ka ndodhur.

Ministri me kërkoi që unë duhej të firmosja pasi kjo gjë i kërkohej edhe atij. Unë i thashë se nuk mund të firmosja pa plotësuar praktikën përkatëse dhe se nuk e di pse duhet ta bëjmë me urgjencë. Më tha se kjo punë mund të shkojë deri në masë, dhe unë ju përgjigja se mund të bëni si të doni, por kjo nuk është aspak e drejtë. E mbyllëm bisedën duke i thënë se si do ndjeheshit ju zoti ministër nëse nesër për shkak të problemeve ligjore të praktikës, përsëri një gjeneral i ushtrisë të jetë dëshmitar në gjyq për problemet që mund të kenë privatët që pretendojnë blerjen e kësaj prone. Ja përsërita se kjo nuk ka aspak sens zoti ministër, ndaj dhe dua që edhe ju të rishikoni urdhrin tuaj”, thuhet në letër.

Më 3 Prill 2009, dy ditë pas takimit të dështuar midis Ministrit Oketa dhe Gjeneralit Qirjazi, Gjergji Lezha, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i shkroi Ministrisë së Mbrojtjes duke u ankuar zyrtarisht për vonesën në dorëzimin e Kompleksit Partizani tek trashëgimtarët. Gjenerali sërish nuk firmosi dhe Berisha hyri vetë në lojë, duke aktivizuar njësinë Antikorrupsion në Kryeministri, e drejtuar nga Oerd Bylykbashi.

Ky i fundit dërgon menjëherë dy inspektorë të hetojnë gjeneralin. Pas inspektimit, Oerd Bylykbashi, dërgon një shkresë zyrtare te Ministria e Mbrojtjes me të cilat akuzon gjeneral Vladimir Qirajzin për një seri shkeljesh. E kërcënon për një pagesë të mundshme të dëmeve të shkaktuara në buxhetin e shtetit dhe urdhëron ministrinë për të nënshkruar kontratën për shitjen e Kompleksit Partizani “brenda 5 ditësh”. Po ashtu kërkon të merren masa disiplinore ndaj gjeneralit. Më 9 shtator gjenerali transferohet dhe ulet në detyrë. Largimi i tij i hap rrugë privatizimit të kompleksit.

Gjenerali Qirjazi u paraqit sot në SPAK dhe aty ka dhënë shpjegime mbi të gjithë procesin e privatizimit. Ai ka treguar me detaje mbi shkresat që i kanë shkuar dhe pse i refuzoi. /Pamfleti

Kryesore Berisha Partizani Qirjazi