Ja pse Sali Berisha deklaron herë pas here se nuk ka qenë mjek në Bllok, të gjitha dëshmitë për lidhjet e tij me UDB, lufta për jetë a vdekje për të mos hapur dosjet e spiunëve të agjentirave të huaja
Sali Berisha deklaron herë pas here se nuk ka qenë kurrë mjek i udhëheqësve të regjimit komunist dhe se nuk e ka vizituar Enver Hoxhën, pasi nuk i plotësonte kriteret. Edhe pse Berisha hynte dhe dilte si në shtëpinë e tij në Bllok, shtëpinë e Nexhmijes dhe në vendet që frekuentonte Liljana Hoxha, edhe pse ishte i besuar i Nexhmijes dhe Ramiz Alisë, nuk e lejuan t’i afrohej Enverit. Janë të shumta dëshmitë, akuzat dhe rrethanat që krijojnë dyshime se Sali Berisha ka qenë një nga agjentët kryesorë të UDB-së në Shqipëri dhe për rrjedhojë nuk ishte i besueshëm, për t’u kujdesur për shëndetin e udhëheqësve të Bllokut, edhe pse dëshira e tij ishte e zjarrtë.
Sali Berisha ka deklaruar se nuk ka pranuar vetë, por e vërteta është se nuk e kanë lejuar.
Kush guxonte të mos pranote të bëhej mjek i diktatorit nëse i kërkohej njē gjë e tillë?!
“Është e vërtetë që unë kam vizituar anëtarë të Byrosë Politike, disa, Hysni Kapon, Haki Toskën. Por s’kam qenë kurrë mjek i Klinikës Speciale, nuk kam pranuar kurrë të ndërroj borderonë. E kam patur sigurisht si ofertë, por nuk e kam pranuar!”, ka deklaruar Berisha.
Po cilat janë dëshmitë që konfirmojnë se Berisha ka qenë agjent i UDB-së?
Bamir Topi, një nga ish-bashkëpuntorët më të ngushtë të Berishës, ka deklaruar se Berisha nuk pranoj që në ligjin e lustracionit të përfshihej hapja e dosjeve të spiunëve të agjenturave të huaja.
“Kam qenë unë dhe z. Majko, që kemi paraqitur një draft për ligjin e lustracionit. Kam qenë një nga zërat më të artikuluar për nevojën e hapjes së dosjeve.
Pse nuk u paraqit drafti në vitin 2006?
Pse u ndryshua në vitin 2007?
Varjanti i 2006 nuk u votua. Pastaj paraqitën një ligj që ishte selektiv, madje u shqetësuan edhe partnerët ndërkombëtarë. Mori karakterin e një gjuetie shtrigash. Unë tani kam një pyetje. A duhet të përfshiheshin në ligjin e lustracionit njerëzit që kanë bashkëpunuar me agjenturat e huaja?
Unë shtroj një pyetje shumë parimore. Madje të parët që duhet të ishin objekt i atij ligji, janë ata njerëz që kanë bashkëpunuar me agjenturat e huaja”, ka deklatuar Bamir Topi.
Liliana Hoxha, bashkëshortja e Sokolit, djalit të ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, ka deklaruar se Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia kanë qenë agjentë UDB.
Sipas saj, Nexhmije Hoxha, dhe Ramiz Alinë janë autorët e vdekjes së ngadaltë të Enver Hoxhës përmes ilaçeve. Nga ana tjetër, Berisha ka qenë i besuari i Nexhmijes dhe Ramizit. Kush ka dyshime të dëgjojë fjalimet e Berishës kur i thur lavde Ramizit dhe të shikojë fotot e tij në dhomat e Nexhmijes dhe në varkë me fëmijët e saj. Si mjek, Berisha ishte i besuar i Ramizit dhe Nexhmijes për punë të zeza.
Liljana Hoxha ka deklaruar se “Nexhmije Hoxha e Ramiz Alia kanë qenë të lidhur nga UDB-ja që në kohën e Zogut. Njëri nga Bosnja e tjetra nga Manastiri i Dibrës së Madhe. Të dy, më të hershmit në lëvizjen komuniste të rinisë e pastaj të partisë, me planin të kapnin pushtetin e pasluftës. Çfarëdo mbështetje apo tutele të ishte ajo jugosllave e ruse për Enver Hoxhën, me kohë ai u shkëput për një Shqipëri të pavarur, sado të varfër, sepse kështu do të mund të bashkohej një ditë me Kosovën. Ndërsa Ramizi e Nexhmija prisnin vetëm momentin që Enveri të ikte nga jeta që t’u hapej rruga drejt pushtetit”.
Ndërsa Robert Papa, një nga njerzit që hyri në arkivat e Bllokut para se të niste zhdukja e dokumenteve, ka deklaruar për Berishën se “Ai ishte pjesë e policisë sekrete të Alisë. Më ka habitur lidhja e tij me Halit Bajramin, diversantin e bandës së Xhevdet Mustafës ai që i doli në gjyq Kadri Azbiut. Loja shumë e ndyrë… Berisha ishte një komunist karrierist dhe mjeshtër i prapaskenave. Makiavelist dhe me personalitet dominant. Kadarenë e kishte frikë për nga personaliteti, por Kadareja nuk kishte hyrë në labirintet e Bllokut. Berisha dinte shumë nga Blloku dhe kishte mbështetjen e Drita Haritos. Në Paris ai shkonte pa problem në hotel ku rrinte Liljana Hoxha, pasi kishte mbështetjen e saj. Ajo e kishte bashkëpunëtor. Ai qe mjek dhe karrierist, ishte komunist, sekretar partie, pra do shkonte në specializim. Byroja donte doktorë të mirë për jetët e tyre. A e ka spiunuar Kadri Hazbiun? Këtë s’e kam dëgjuar. Por ai bënte çdo gjë që të arrinte lart. Sigurimi i shtetit ka qenë një organizatë okulte, ata s’e shesin kurrë njëri-tjetrin, por mos i merrni për budallenj. Kanë qenë profesionistë dhe i kanë shërbyer shtetit të asaj kohe. Kjo ka ndodhur gjithmonë. Nuk bëhesh dot ministër sot po nuk ke përkrahje nga Beogradi apo Athina. Ose po nuk ke lidhje me KQPPSh apo…”.
Ish truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia ka deklaruar se “Dihet tashmë se rolin kryesor për zgjedhjen e fitoren e Berishës dhe PD në ‘92 e luajti Elez Biberaj me “Zërin e Amerikës”, që e vuri në funksion të PD dhe Berishës dhe ambasadorin Rajerson, i ardhur çuditërisht nga Beogradi me një çantë, ku kishte dosjet e politikanëve të ‘rinj’ të pluralizmit shqiptarë të marra nëpërmjet kanaleve të UDB. Elez Biberaj ka qenë një shqiptar i arratisur në Jugosllavi e pas qëndrimit disavjeçar të familjes se tij u ndihmua nga UDB të emigronte në Amerikë. Aty, ai, me ndihmën e njerëzve të lobit serb në Amerikë, arriti të bëjë karrierë deri si këshilltar i Departamentit të Jashtëm Amerikan. Pra Berisha erdhi në pushtet i mbështetur nga lobi serb në Amerikë që ka pasur ndikim të madh në administratën e Bushit në vitet ‘90 nëpërmjet Igellberger, i cili kishte lidhje e interesa ekonomike me Serbinë e konkretisht me firmën Zastava”.
Edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka deklaruar se ish-kryeministri Sali Berisha është ndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit për lidhje të mundshme me UDB e ish-Jugosllavisë.
“Berisha është ndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit, si bashkëpunëtor i mundshëm i UDB-së jugosllave. Unë nuk kam gjetur gjë në dosje, sepse kur unë vajta në krye të SHISH, Berisha kishte pesë vjet në pushtet dhe i kishte rregulluar të gjitha gjërat. Oficerët e kanë parë dosjen e tij. Por, ka një gjë, dosjet e kundërzbulimit asnjëherë nuk janë të sigurta. Unë nuk kam parë asnjë lloj dokumenti dhe të dhëne në dosje”, ka deklaruar Klosi.
Ndërsa Viron Bezhani, i biri i Nazif Bezhanit, kryetarit të komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë për lidhjet me ish-Sigurimin e Shtetit, ka deklaruar se një ish-punonjës i SHIK-ut, i punësuar më pas në ambasadën shqiptare në Belgjikë, ka rrëmbyer dhe zhdukur dosjet e politikanëve dhe pushtetarëve shqiptarë, bashkëpunëtor të UDB së ish-Jugosllavisë dhe të agjenturave të tjera.
Ngjarja ka ndodhur kur ishte në pushtet Berisha. “Nga 73 disqe që janë vjedhur, 56 kanë qenë me informacione që përfshinin politikanë dhe pushtetarë të lartë si agjentë të shërbimeve të huaja. Përveç disqeve, janë zhdukur dhe dosje me informacione të shërbimit sekret, njëkohësisht është vjedhur dhe truri i skeduar i arkivës së SHIK dhe listat e me emrat e bashkëpunëtorëve të UDB në Shqipëri. Vjedhja e tyre u zbulua në pranverën e vitit ’97”, ka pohuar ai.
Një dëshmi për të kaluarën e Sali Berishës si agjent i shumëfishtë vjen nga një greko-amerikan, këshilltar i disa gjeneralëve të rëndësishëm të NATO-s në vitet 70-80. Bëhet fjalë për Athanasios Strigas, i cili në librin e tij për një takim sekret në Mynih të Gjermanisë në vitin 1979, flet për prezencën e Sali Berishës në atë takim, ku po bëhej plani për krijimin e tre shteteve (vatra të nxehta) në Ballkan. Autori në fjalë e lidh Sali Berishën me shërbimet e fshehta jugosllave. Autori është dëshmitar i një takimi sekret në Mynih në 1979 ku u mor një vendim mbi të ardhmen e “tri shteteve-valvula” ndër të cilat edhe Shqipëria.
Në vitin 2012, deputetë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare denoncuan lidhjet e hershme dhe të shumëfishta të Berishës me agjentë të ish-sigurimit jugosllav, UDB./Pamfleti