Aktualitet27 Prill 2018, 19:21

Dështimi i gjykatave me gjakmarrjen, 4 mijë të vrarë pas vendimeve gjyqësore

Shkruar nga Pamfleti
Dështimi i gjykatave me gjakmarrjen, 4 mijë të vrarë pas

Dështimi i gjykatave me gjakmarrjen, 4 mijë të vrarë pas vendimeve gjyqësore

Më 10 shkurt 2016 u vra për gjakmarrje, pak ditë pas kthimit nga Anglia, Xhevahir Brasha, emigrant nga rrethi i Hasit. Vrasësit kishin marrë informacion në një kohë shumë të shkurtër që ai ishte kthyer në Shqipëri.

Në vitin 2017 u vranë për hakmarrje dy ish drejtues të policisë së shtetit, Artan Cuku dhe Ervin Dalipaj. Në fillim të prillit të këtij viti, u ekzekutua po ashtu për gjakmarrje në Tiranë, 28-vjeçari Mario Majollari. Majollari, kishte kërkuar azil në Suedi, për t’u mbrojtur nga një gjakmarrje e mundshme, por kërkesa i ishte refuzuar dhe ai u kthye në Shqipëri, ku dhe u ekzekutua.

Vihet re se numri i vrasjeve të ndodhura për gjakmarrje në mesin e emigrantëve të kthyer në Shqipëri nuk është i paktë dhe jo pak herë, jetët e tyre mund të ishin shpëtuar nëse do t’u ishte dhënë e drejta për azil. Këtë gjë e pohon për TemA TV edhe kreu i Komitetit të Pajtimit Kombëtar, Gjin Marku, i cili flet për rastin Majollari dhe raste të tjera të ngjashme.

Sipas Markut, shteti është përgjegjës për këto konflikte dhe ka ndikuar negativisht, duke synuar që të fshehë në disa raste fenomenin e gjakmarrjes në sytë e Europës.

Një mendim të ngjashëm përsa i përket rolit të shtetit ndan edhe studiuesi Nebi Bardhoshi.
Ai thekson se roli i shtetit duket se ka ndryshuar në këtë kuptim pas viteve ’90-të dhe bën një analizë të fenomenit të gjakmarrjes që nga koha e Kanunit.

Ndërkohë sot, sipas Bardhoshit, duket se shteti nuk po luan rolin që i takon dhe ndërsa argumenton këtë bindje, ai hedh poshtë edhe një mit, se gjakmarrja, përgjithësisht lidhet me zonat e veriut të Shqipërisë.
Sipas tij, gjakmarrja duhet të quhet një vepër penale që kërcënon autoritetin e shtetit.

Nga ana tjetër, Kryetari i Komitetit të Pajtimit Kombëtar jep disa të dhëna më tepër se shqetësuese përsa i përket efektshmërisë së shtetit dhe gjykatave përsa i përket gjakmarrjes.

Sipas tij, shteti dhe gjykatat kanë dështuar në zgjidhjen e konflikteve të gjakmarrjes. Sipas tij, pleqësitë ose gjykatat kanunore kanë qenë më efektive dhe në shumicën e rasteve, drejtësia e dhënë nga gjykatat nuk i ka dhënë fund konfliktit mes palëve, i cili madje edhe është thelluar.

Sandër Franpisha është një i ri 29 vjeçar, i cili thuajse gjithë jetën e tij ka jetuar me frikën e gjakmarrjes, për shkak të një konflikti të hershëm, ku familja e tij në Theth të Shkodrës është përfshirë që në vitin ’90-të.

Ndërkohë që prindërit dhe vëllai i tij janë larguar drejt një prej vendeve të BE-së për t’u mbrojtur nga gjakmarrja, edhe ai sheh largimin përmes azilit si të vetmin shpëtim për jetën.

Megjithëse, sipas të dhënave nga Pajtimit Mbarëkombëtar është bërë e mundur ulja me 50 përqind e numrit të vrasjeve, përsëri mbeten të pazgjidhura mijëra konflikte, të cilat nëse nuk mbyllen me pajtim, shkojnë drejt hasmërive e vrasjeve.

Marku vëren se politika duhet të bëjë një punë për të mbrojtur emigracionin, duke zbutur kështu jo vetëm varfërinë, por edhe duke ndikuar pozitivisht në luftën kundër gjakmarrjes.

Ai vëren se konfliktet për pronat janë ndër kryesorët që çojnë jo rrallë herë në gjakmarrje.

Ai thotë se gjeografia e konflikteve shtrihet në të gjithë Shqipërinë, me shpeshtësi më të madhe në zonat ku ka më tepër popullsi, si Tirana apo Durrësi dhe jo vetëm në zonat e veriut të vendit, si dhe në zona ku ka degjenerim të kanunit.

Studiuesi Nebi Bardhoshi nga ana e tij pohon se shoqëria shqiptare po jeton një nga periudhat më depressive dhe se gjakmarrja ka rolin e vet në këtë situatë, ku duhet të flasim dhe të reflektojmë për mënyrën e të jetuarit bashkë në shoqëri.

Për të përfunduar, gjakmarrja vazhdon të mbetet ende një plagë e hapur në shoqërinë shqiptare, për të cilën shteti duhet të përkujdeset siç duhet.

Më problematike sipas raportit të bërë publik nga Komiteti i Pajtimit Kombëtar mbeten 7560 konflikte për shkak të plagosjeve, 9701 konflilte për çështje nderi, 6789 konflikte për shkak të dhunës brenda familjes,

3400 konflikte për prishjen e fejesave me shkuesi, 34800 konflikte për pronën në qytet, 98700 konflikte për tokat në fshat, 33568 konflikte për fyerje të personit, 41890 konflikte për borxhe të pakthyera, 5260 konflikte për trafik femrash, 980 konflikte brenda familjes për shkak të shfaqjes së prirjeve homoseksuale.

15600 konflikte për tradhëti bashkëshortore, 13789 konflikte për lidhje të fshehta dashurie dhe 61567 konflikte për shkak të divorcit.

Sociale 4 mijë të vrarë pas vendimeve gjyqësore Dështimi i gjykatave me gjakmarrjen