Politike24 Qershor 2022, 12:42

Dështimi i negociatave, shikoni çfarë shkruajnë mediat e huaja për frustrimin e Ramës ndaj BE-së

Shkruar nga Pamfleti
Dështimi i negociatave, shikoni çfarë shkruajnë mediat e

Edi Rama në konferencën e shtypit pas samitit të Brukselit, 23 qershor 2022

Pas 8 vitesh Shqipëria dështoi sërish ditën e djeshme të çelë negociatat me Bashkimin Europian.

Për këtë kryeministri Edi Rama ditën e djeshme në samitin e Brukselit ka shfryrë dufin ndaj liderëve të BE, duke shfrytëzuar faktin e vetos bullgare që mban peng Tiranën dhe Shkupin.

Me deklaratat e tij në Bruksel, kryeministri përveç sulmeve dhe pakënaqësive ndaj 27 vendeve të BE, ai ofendoi edhe gazetarët bullgarë, të cilët i konsideroi një “turp”, më pas i krahasoi liderët europianë me “priftërinjtë që flisnin për seksin e ëngjëjve ndërkohë që muret e Konstandinopojës shembeshin”, e deri te mbrojtja që i bëri vendimit të presidentit serb Vuçiç, për të mos i vendosur sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë.

Këto deklarata kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave të huaja.

I pari është, Zëri i Amerikës i cili shkruan për zhgënjimin e Ramës.

“Zoti Rama e quajti një turp faktin që “një vend i NATO-s që merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë, dhe po ashtu nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku”. Ai shtoi më tej se “agresioni rus kundër Ukrainës po merr kështu një ndihmë mjaft bujare dhe të pakërkuar nga një vend i NATO-s, Bullgaria, për të destabilizuar një vend tjetër të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe për të fryrë më tej mllefin, pakënaqësinë në një fqinjësi si e jona, që është një hallkë e dobët në gjithë këtë situatë”, shkruan Zëri i Amerikës.

Në shkrim vihet në dukja dalja e treshes Rama, Vuçiç dhe Kovaçevski me projektin e Ballkanit të Hapur.

“Serbia thjeshtë nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë, kaq shpejt dhe çuarja deri në kufij, do t’i japë efektin e kundërt dhe pastaj ajo çfarë do të ketë kosto, është agjenda europiane e Serbisë, për çka do të jetë kosto për popullin e rajonit” citohet Rama teksa mbron pozicionin e Vuçiçit në lidhje me luftën e Ukrainës.

Më pas, edhe media gjermane  Deutche Welle ka përcjellë frustrimin e Ramës dhe Kovaçevskit.

“Ballkani Perëndimor rebelohet ndaj BE”, thekson  Deutche Welle.

“Rama nuk i përmendi qytetarët e vendit të tij por e nisi me ironinë: “Më lejoni të shpreh keqardhjen e thellë për Bashkimin Europian. Më vjen keq për ta dhe shpresoj që të mund t’i ndihmojmë”. Retorika e tij e ashpër ndaj rezultatit të këtij samiti, u komentua edhe nga homologu i tij serb Vuçiç, i cili i buzëqeshur, e komentoi sjelljen e Ramës “si të frustruar” shkruan DW.

Një hapësirë e veçantë i jepet edhe Ballkanit të Hapur dhe asaj që Vuçiç dalloi në sallë.

“Kur filluam këtë proces, vetëm dy ose tre gazetarë kishin interes për të. Shihni tani, salla është mbushur plot” , citohet të ketë thënë Vuçiç me krenari.

Ndërkohë agjensia e lajmeve AFP raporton se qëllimi i vendeve të BE-së ishte të jepte një mesazh inkurajimi për ballkanasit, por nuk ia doli.

“BE-ja, një klub politik dhe ekonomik që mburret me tregun e vetëm më të madh në botë, dëshiron të qetësojë vendet në Ballkan që kanë pritur vite të tëra për pranimin se dyert e bllokut mbeten të hapura” shkruan AFP që citon Ramën të komentojë vendimin për Ukrainën.

“Është një gjë e mirë të jepet statusi i kandidatit, por shpresoj se populli ukrainas nuk ketë shumë iluzione për këtë”, thotë Rama.

Pikërisht këto “shpresa të rreme” për Ukrainën, i vë në dukje edhe media britanike BBC që citon të njëjtin fjali nga  Rama.

Edhe media italiane Corriere Della Sera thotë se kryeministri shqiptar, socialisti Edi Rama, u përpoq të fshihte zhgënjimin dhe nervozizmin për një ngërç në procesin e anëtarësimit në BE që prek vendin e tij dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ishte një ditë e keqe për Unionin,” shkruan Corriere della Sera teksa citon Ramën.

Politike mediat e huaja Rama Samiti i Brukselit