Aktualitet23 Maj 2022, 20:24

Dështon edhe raundi i dytë për presidentin, palët larg konsensusit; brenda 6 qershorit PS zgjedh e vetme emrin e ri

Shkruar nga Pamfleti
Dështon edhe raundi i dytë për presidentin, palët larg

Dështon edhe raundi i dytë për presidentin e ri. Parlamenti ka mbajtur sot seancën e dytë për pasuesin e Ilir Metës, por nuk ka pasur asnjë kandidat duke e djegur këtë raund.

PD dhe PS duken shumë larg konsensusit për të dalë me një emër të përbashkët. Kryetarja e seancës Lindita Nikolla thirri relatorin në Komisionit të Ligjeve Eduart Ndreca që të prezantojë raportin.

“U mblodh Konferenca e Kryetarëve që vendosi caktimin e datës 23 maj si data për zhvillimin e raundit të dytë. Neni 87 iu Kushtetutës parashikon se votimi i dytë zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga votimi i parë. Votimi quhet i kryer edhe nëse nuk ka kandidatë. Komisioni i Ligjeve u mblodh sot. Ftoj relatorin Eduard Ndreca të prezantojë raportin”, tha Nikolla. Ndreca tha se nuk ka kandidatë dhe raundi i dytë u cilësua i ezauruar.

Javën që lamë pas palët ranë dakord që në raundin e dytë dhe të tretë të ishte opozita ajo që do të propozonte një kandidat, por të premten dështoi marrëveshja.

Sipas dakordësisë dhe planit të PD, kjo parti do të propozonte 4 emra dhe 2 do i propozonin aleatët e saj. Më pas do të ngrihej një komision mes PD dhe PS dhe do të zgjidhej një emër që do të shkonte për votim.

Por të premten pati përplasje mes të dyja palëve dhe PD u tërhoq nga propozimi i një emri. Ishte kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ai i cili njoftoi se PS nuk futet në proces përzgjedhje, por deklaroi se PD mjafton të sjellë një emër bashkë me 20 firmat e nevojshme. Sipas tij, deputetët e PS nuk mund të firmosin për emrat e PD.

“Dy ditë më parë kemi rënë dakord që në raundin e dytë dhe të tretë ne nuk do propozojmë kandidat dhe i takon opozitës të propozojë. Propozimi për President duhet të vije dhe me firma mbështetëse nga opozita. Nëse presidenti nuk zgjidhet në këto dy raunde, ne raundin e katërt do të propozojmë ne. Takimi ka qenë publik dhe kjo është dakordësuar ne prani të mediave”, ka thënë Balla.

Sipas Kushtetutës kemi dhe një raund që kërkon 84 vite dhe ndoshta mund të kemi një emër konsensual, por duket e vështirë. Situatë në PD ka ndryshuar sepse Berisha tashmë e shpalli veten kryetar, ndërkohë që nga ana tjetër PS duket e vendosur për ta zgjedhur vetë emrin e ri.

Sipas planit, raundi i tretë pritet të zhvillohet si sot java dhe nëse ai dështon, më 6 qershor do të mbahet raundi i katërt. Por ndryshe nga raundet e tjera, në këtë raund mjaftojnë 71 vota dhe PS e ka bërë të qartë se në raundin e katërt do e zgjedhë vetë emrin. Deri tani janë përfolur shumë emra, ndërkohë që në korridoret e politikës thuhet se Rama e ka përzgjedhur prej disa javësh dhe po pret vetëm kalimin e raundeve. /Pamfleti/

Kryesore #6 qershor Presidenti raundi i dytë