Plani i Edi Ramës për të ngritur satelitët në hapësirë ka dështuar me sukses. Një vit më parë babloku mburrej se do kishim 2 satelitë për monitorimin e territorit, por tani nuk e përmend më me gojë.
Sot Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se është anuluar procedura e tenderit për ngritjen e satelitëve. Kjo sepse siç mësohet nuk ka pasur asnjë ofertë të paraqitur që përputhej me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit. Fondi limit i vënë ka qenë 55 milionë euro, por asnjë kompani ndërkombëtare nuk i ka shkuar pas aventurës së Ramës.
Ndërkohë një ditë më parë u shkarkua nga detyra Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Kamenica. Nuk pati një reagim zyrtar, por në korridoret e politikës flitet se arsyeja ishte pikërisht dështimi i tenderit në fjalë.
Kur e hodhi si ide Rama, shumica e morën me shaka. Por u duket se kryeministri e kishte seriozisht. Në nëntor, Edi Rama i sfidoi talljet.
“Projekti i satelitëve, ju keni dëgjuar, keni parë edhe shumë gallatë dhe humor, megjithatë nuk është aspak keq që njerëzit edhe të qeshin, sepse e qeshura shëndet bëhet. Me satelitet që do të hedhim të parin në mars do të kemi në dispozicion të institucioneve shtetërorë të dhëna reale dhe policia do të ketë të dhëna mbi ndërtimet pa leje”, tha në një takim në Ministrinë e Brendshme.
Po ashtu Rama publikoi në “Facebook” një video, me disa pamje në iPad, ku komunikonte në anglisht me një person nga kompania “Space X” në lidhje me lëshimin e satelitëve “Albania 1” dhe “Albania 2” në orbitë. Në video, dëgjohej eksperti teksa informonte kryeministrin se sateliti i parë shqiptar në hapësirë, “Albania 1” do të lëshohej në muajin mars 2022, ndërsa i dyti në muajin qershor të këtij viti.
Qershori po ikën dhe duket se planet e Ramës dështuan me sukses.