
Përpjekja e Britanisë për t’u bërë vendi i parë evropian që nis një satelit në hapësirë rezultoi një dështim kur Virgin Orbit tha se raketa e saj pësoi një anomali që e pengoi atë të arrinte në orbitë.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.
Misioni “nisja horizontale” u ngrit nga qyteti bregdetar i Newquay-it në Anglinë jugperëndimore dhe raketa e Virgin’s LauncherOne u mbajt nën krahun e një Boeing 747 të modifikuar të quajtur Cosmic Girl dhe më vonë u lëshua mbi Oqeanin Atlantik.
“Duket se kemi hasur në një anomali që na pengoi të arrijmë në orbitë. Ne jemi duke e vlerësuar informacionin”, tha kompania.
Pengesa i jep një goditje tjetër ambicieve hapësinore të Evropës pasi mjeti lëshues Vega-C i Italisë dështoi gjithashtu pas ngritjes nga Guiana Franceze në fund të dhjetorit.
Evropa ka pësuar një sërë pengesash gjatë vitit të kaluar: lëshimi i mjetit të saj kryesor lëshues Ariane 6 është vonuar, qasja në raketat ruse Soyuz është bllokuar për shkak të luftës në Ukrainë, lëshimi i raketës Vega është ndalur, dhe tani një nisje demonstruese për industrinë në rritje të automjeteve të vogla lëshuese është anuluar.
Virgin Orbit fillimisht raportoi në Twitter se LauncherOne kishte arritur në orbitën e Tokës, por më vonë e fshiu postimin në Twitter.
“Do të ketë një hetim gjatë ditëve në vijim nga qeveria dhe organe të ndryshme, duke përfshirë Virgin Orbit”, tha Matt Archer, drejtor i hapësirës tregtare në Agjencinë Britanike të Hapësirës.
Virgin Orbit, në pronësi të miliarderit britanik Richard Branson, planifikoi të vendoste nëntë satelitë të vegjël në orbitën e ulët të Tokës në misionin e parë jashtë bazës së saj amerikane.
Misioni u cilësua si i pari historik për Cornwall-in, Britaninë dhe Evropën, dhe mijëra entuziastë që shikonin pistën e brohoritën ndërsa Cosmic Girl u ngrit. Dështimi i misionit ishte i dyti në historinë e Virgin Orbit që nga nisja e tij e parë në vitin 2020.