
Dështon plani i Putin, Europa shpëtoi nga dimri i ngrohtë
Presidenti rus Vladimir Putin nuk ia doli me planin e tij për të përdorur energjinë si armë ndaj Europës.
Koha e butë, zgjerimi i alternativave për furnizim dhe fushatat për të reduktuar kërkesën, po ndihmojnë në uljen e çmimit të gazit në nivele të paraluftës. Europa duket sikur e ka kaluar pjesën më të keqe të krizës.
Kombinimi i gjendjeve, përfshirë valët e Covid në Kinë, mund të ulin presionet inflacioniste dhe të përmirësojnë parashikimet e ekonomisë së Europës e ta lënë Kremlinin me më pak të ardhura.
Por një i ftohtë i menjëhershëm ose një ndërprerje e furnizimeve, përsëri mund të shkaktojë kaos.
“Rreziku për një goditje totale ekonomike të industrisë europiane, deri tani ka marrë kthesë”,- tha ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck.
Kriza e nisur nga Rusia i ka kushtuar Europës 1 trilion dollarë.
Bashkimi Europian nuk po importon më qymyr dhe naftë bruto nga Rusia dhe dërgesat e gazit janë kufizuar ndjeshëm. Blloku ka mbushur një pjesë të boshllëkut duke rritur furnizimet nga Norvegjia dhe dërgesat e gazit natyror të lëngshëm nga Katari, SHBA dhe prodhues të tjerë.
Në Gjermani, objektet e magazinimit janë rreth 91% plot, krahasuar me 54% një vit më parë, kur Rusia kishte zbrazur tashmë objektet që ajo kontrollonte. Qeveria e kancelarit Olaf Scholz ka shtetësuar që atëherë njësitë vendore të Gazprom PJSC dhe ka shpenzuar miliarda euro për të mbushur rezervat.
Masat e kursimit të energjisë nga industria dhe familjet, si dhe temperaturat më të ngrohta të janarit kanë ndihmuar po ashtu.
“Ne jemi shumë optimistë, në vjeshtë nuk ishim kështu”, – tha Klaus Mueller, kreu i rregullatorit të rrjetit të Gjermanisë, në një intervistë me transmetuesin publik ARD të premten. “Sa më shumë gaz të kemi në objektet e magazinimit në fillim të vitit, aq më pak stres dhe kosto do të përballemi në mbushjen e tyre sërish për dimrin e ardhshëm.”
Kushtet e favorshme dhe zgjerimi i kapaciteteve të rinovueshme po ndihmojnë gjithashtu. Prodhimi më i lartë i erës dhe diellit do të ndihmojë në uljen e prodhimit të energjisë me gaz në 10 nga tregjet më të mëdha të energjisë në Europë me 39% këtë vit, sipas S&P Global.
Dinamika është zhvendosur në një masë të tillë sa që tani ka shumë LNG që vjen, sipas Morgan Stanley. Dërgesat vendosën një rekord të ri në dhjetor dhe trendi ka të ngjarë të vazhdojë.
Gjermania, dikur blerësi më i madh i gazit rus, po hap tre terminale këtë dimër dhe ekonomia më e madhe e Europës pret që objektet e saj të reja të LNG të mbulojnë rreth një të tretën e kërkesave të saj të mëparshme. Furnizimet e qëndrueshme nga burime jo-ruse ka të ngjarë të mbajnë çmimet e tregut nga rritja në majat e vitit të kaluar./Bloomberg