Politike11 Korrik 2022, 21:22

Dështuan në zgjedhjet e shkuara, PS nuk kërkon vetëm votën e diasporës; Gjiknuri nxit shqiptarët për t’u përfaqësuar si minoritet në parlamentin grek

Shkruar nga Pamfleti
Dështuan në zgjedhjet e shkuara, PS nuk kërkon vetëm

Dështuan në zgjedhjet e shkuara, PS nuk kërkon vetëm votën e diasporës; Gjiknuri nxit shqiptarët për t’u përfaqësuar si minoritet në parlamentin grek

Qeveria ka filluar fuqishëm lobimin për të materializuar të drejtën e votës së diasporës. Duke qenë se dështuan legjislaturën e shkuar pavarësisht premtimeve në tryezën së Këshillit Politik, i krijuar për të reflektuar ndryshimet kushtetuese të Kodit Zgjedhor, PS kërkon të implementimin e ligjit për t’i dhënë të drejtën e votës emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Gjatë një dëgjese në Athinë me kandidatët për kryetarin e ri të degës së PS-së në Greqi, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri u bëri thirrje emigrantëve të regjistrohen për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në vendin tonë.

Sipas Gjiknurit, Partia Socialiste dëshiron që emigrantët të votojnë dhe të bëhen pjesë e procesit.

“Ne si Parti Socialiste po i kushtojmë një vëmendje shumë të madhe votës së diasporës. Të gjitha çështjet sesi do ta materializojmë votën e emigrantëve do të bëhen realitet falë edhe detajeve të fundit që do të zhvillohen në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Jo më kot qeveria zgjodhi një zv.ministër për të mbuluar çështjet e diasporës. Me futjen e votës dhe implementimin e saj, ju bëheni faktorë shumë të rëndësishëm. Por duhet ta ushtroni, duhet të regjistroni adresat tuaja. Ne kemi mundësi që në këto zgjedhje në të gjitha bashkitë, emigrantët të vijnë dhe të kontribuojnë me votën e tyre. Me futjen e votës në Kodin Zgjedhor me mekanizmat përkatës, vota e diasporës sonë në Greqi do jetë fondamentale”, deklaroi Gjiknuri.

Sipas numrit 2 të Partisë Socialiste, janë “forca të errëta” të së kaluarës që janë rikthyer sërish, të cilat nuk dëshirojnë që emigracioni të bëhet pjesë e procesit.

“Janë disa forca që duan ta kthejnë mbrapsht. Unë ju them me bindje, ka një shumicë të heshtur që e kupton, e vlerëson punën e qeverisë. Është shumicë e heshtur që është e kënaqur me gjërat sesi po shkojnë në Shqipëri. Patjetër që mund të ketë gjëra për t’u riparë dhe s’duhet të kalojmë në vetëkënaqësi. Partia Socialiste mund të jetë hapësira më e madhe e debatit edhe për ta ndryshuar qeverisjen, edhe për të ndryshuar gjërat që nuk shkojnë mirë. Unë them se sa më shumë njerëz të angazhojmë, sa më shumë të hapur ta bëjmë debatin mes nesh, aq më e fortë do bëhet Partia Socialiste. Një parti që shikon mbrapa, vetëkorrigjohet në kohë i ka të gjitha mundësitë të qëndrojë gjatë në pushtet. Unë them socialistët e kanë merituar. Kanë një kryeministër të mençur që ka ditur ta navigojë Shqipërinë si duhet në dallgën e politikës ndërkombëtare dhe halleve që e zunë këtë vend.

Ju e keni parë që kundërshtarët tanë janë kthyer në llogoret e vjetra. Ne menduam se historia kishte mbaruar punë me disa individë, por fatkeqësisht disa njerëz dhe rikthehen dhe duan ta çojnë Shqipërinë mbrapa. Jam i bindur që nuk do t’ia dalin dot. Partia Socialiste mandatin e tretë e ka merituar. Ka ardhur falë punës së të gjithëve, por mbi të gjitha falë arritjeve të qeverisë. Shqipëria është në një pozicion shumë të mirë historik. Shumë e avancuar dhe në procesin e integrimit, por që fatkeqësisht po mbahet peng nga ato aktorë që ju i dini. Pra, nuk është se varen nga Shqipëria, por janë marrëdhëniet e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut. Por jam i bindur që ky proces do të zhbllokohet shumë shpejt dhe Shqipëria do të avancojë drejt negociatave me Bashkimin Europian”, nënvizoi Gjiknuri.

Ai i bëri thirrje komuniteti shqiptar që punon dhe jeton në Greqi, të organizohen për t’u përfaqësuar në parlamentin grek. “Ne i kemi të gjitha kapacitetet për ta kryer një gjë të tillë”- tha Gjiknuri.

“Po të organizohemi kaq shumë sa jemi me ata qindra mijëra shqiptarë që kanë shtetësi greke, me partitë që janë, të përqendrohet vota atje ku duhet, ne kemi mundësi të kemi përfaqësues në parlamentin grek. S’dua të keqkuptohemi, as të krijojmë parti me fokus nacionalist. Përkundrazi, brenda politikës greke të mbroni interesat tuaja. Mundësitë janë të mëdha, mjafton të që keni një organizim shumë të mirë. Unë them që PS e ka këtë mundësi këtu për ta bërë këtë strategji në bashkëpunim me aktorët lokalë duke filluar nga këshillat komunalë apo njësitë vendore për çështjet që ju takojnë deri në nivel Parlamenti. Besoj që shumë shpejt mbase ne do kemi në Parlamentin grek edhe deputetë me origjinë shqiptare. Atëherë do kemi dhe zërin tonë aty”, deklaroi Gjiknuri.

Politike Gjiknuri PS