Aktualitet 6 Korrik 2022, 18:36

Detajet e protestës/ Berisha 2 orë tubim para Kryeministrisë, policia masa për skenarë dhune; angazhohen 1200 efektivë

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhen detajet e protestës që do të mbajë Sali Berisha ditën e nesërme. Në orën 19.00 është paralajmëruar një tubim para Kryeministrisë dhe qëllimi i tij është të detyrohet Edi Rama të japë dorëheqjen.

Ndonëse Berisha dhe anëtarët e foltores janë treguar hermetikë mbi mënyrën se si do të organizohet tubimi, kanë dalë disa detaje.

Në polici është dorëzuar një kërkesë për të marrë leje mbi protestën dhe duket se do të kemi 2 orë tubim. PD ka kërkuar që të lejohet të protestojë nga ora 19.00 në orën 21.00. Nëse Berisha i qëndron lejes, atëherë duket se jemi te protestat e zakonshme 2 orëshe që bënte Basha. Njerëzit mblidhen para Kryeministrisë, flasin disa persona dhe në fund ikin në shtëpi.

Ndërkohë policia dhe Garda janë përgatitur për skenarë dhune. Sipas burimeve, policia do të nxjerrë në terren 1.200 efektivë, përfshirë edhe forcat speciale, FNSH dhe Forcat Shqiponja. Sipas burimeve, po ashtu në gatishmëri do të jenë dhe autobotet e ujit dhe policët do të pajisen me maska kundragaz. Ndërkohë Kryeministria është veshur me pjesë metalike të hyrja ballore.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Gjithashtu ka nisur instalimi i kamerave me rezolucion të lartë përgjatë gjithë bulevardit, për të bërë identifikimin e protestuesve dhe elementeve të caktuar nëse do të kemi dhunë. Bëhet me dije se pas orë 16.00, qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do jetë i bllokuar.

Ndërkohë, burime të “Pamfletit” bëjnë me dije se gjatë ditëve të fundit janë angazhuar Shërbimi Informativ dhe njësia e Antiterrorit në polici. Ata janë duke kryer verifikime, për të shmangur futjen në turmë të kontingjenteve kriminalë. Gjatë javës së fundit janë vënë në monitorim individ të caktuar që i përkasin botës së krimit.

Ndërkohë nesër që në mëngjes, në të gjitha pjesët hyrëse të Tiranës do të ketë pika kontrolli. Autobusët dhe mjetet private me protestues do të kontrollohen të gjitha, kryesisht për prani armësh dhe mjetesh të ndaluara. Po ashtu pritet që protestës t’i bashkohen individë nga Kosova, të cilët do jenë në monitorim gjithashtu.

Mbetet të shihet nëse do të kemi apo jo skenarë dhune. Berisha sot lëshoi një kërcënim të fortë ndaj policisë dhe dha sinjale për gjakderdhje, por gjithçka do bëhet e ditur nesër.

Kryesore Berisha Dhune Protestë