Politike27 Qershor 2018, 18:48

Detaji/ Jo Basha, por një politikane tjetër krah Ramës në kartolinën e KE-së. Çfarë ka dashur të thotë Brukseli?

Shkruar nga Pamfleti
Detaji/ Jo Basha, por një politikane tjetër krah Ramës në

Detaji/ Jo Basha, por një politikane tjetër krah Ramës në karolinën e KE-së. Çfarë ka dashur të thotë Brukseli?

Në një spot të përgatitur nga KE lidhur me hapjen e negociatave, e përcjellë për publikun edhe nga kryeministri Rama nëpërmjet një statusi, në 38 sekonda hasen vetëm dy frymorë politikë shqiptarë, të cilët janë dhe preludi i mesazhit: Edi Rama dhe…Jozefina Topalli.

Kjo e fundit shfaqet nga mesi i videos, cilësuar si kartolinë nga Rama, ku në strishën nën bustin e saj lexohet: “Shqipëria bëri zgjedhjen e qartë për të ndjekur rrugën drejt BE-së”.

Po pse është zgjedhur pikërisht znj. Topalli për t’u lidhur vizualisht me këtë kumt?

Lexohet qartë në këtë zgjedhje një lloj sajdisje europiane ndaj opozitës, për t’ja njohur dhe asaj meritat e rrugës së integrimit.

Po pse me znj. Topalli si përfaqsuese e jo z.Basha, kreun aktual të PD-së, ndërkohë që ish-gruaja e fuqishme e demokratëve nuk është më aktive në politikë?

Mund të ishte vendosur dhe znj.Bregu, përfaqësuesja simbol e PD-së në kauzën europiane. Por gjithsesi, parë me etikën e ekuivalencës politike, duhej të ishte kryetari Basha.

Vështirë të besohet se ka qenë një pakujdesi, pasi nëse materiali është kuruar në Bruksel, çdo detaj shikohet me lupë dhe mirëpërzgjidhet.

Kështu që mbetet, referuar kodeve të gjuhës politike, që vendosja e znj.Topalli të përmbajë një mesazh, shkruan Tesheshi.com. Njëri është fshikullimi i z.Basha, e tjetri mospajtimi me faktin se figura si Jozefina Topalli duheshin mënjanuar.

Kjo e fundit, përveçse një përfaqësuese e kulluar e së djathtës dhe me profil të pakopromentuar politik, ishte dhe një ithtare e zellshme e diplomacisë integruese gjatë kohës që drejtoi Kuvendin shqiptar.

 

Politike