
Detaji pikant i grabitjes, gazetarja nxjerr zbuluar Ramën: Hetimi Tatimor nuk ekziston
Grabitja e 10 milionë eurove në aeroportin “Nënë Tereza” u realizua me një furgon të bardhë me logon “Hetimi Tatimor”, me të cilin grabitësit hynë në pistë morën mbi 7 thasë dhe u larguan në drejtim të Tapizës.
E teksa të gjithë u morën me detaje si maska e Admir Muratajt dhe kamerat e fikura të ICTS-së, gazetarja e kronikës Anila Hoxha na ka kujtuar me një postim në Facebook një detaj nga ngjarja që duhet t’i kishte shkundur autoritetet shtetërore.
“E kuptoj edhe përgjegjësinë e kinezëve. E kuptoj edhe “fajin e kanë ata”, e kuptoj edhe ushtrinë në Rinas, edhe heroizmin e policëve që rrezikuan jetën në ndjekje të kriminelëve grabitës. I kuptoj edhe grabitësit në çfarë “belaje” e kanë futur veten, si t’i shpenzojnë 10 milionë euro në Shqipëri e ku t’i investojnë. Por një gjë nuk kuptoj dhe s’ma rrok fare mendja. Nuk e kuptoj, kush po flinte teksa një makine me mbishkrimin “hetimi tatimor”, kaloi para syve të të gjithëve, në një kohë që Hetimi Tatimor ka një javë që u shkri dhe nuk ekziston!”, konstaton gazetarja.
Nëse kthehemi vetëm një javë pas në kohë dhe shohim deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendësit të tij Erion Braçe, kuptojmë se “Hetimi Tatimor” u shkri me vendim të Ministrisë së Financave për të ngritur një inspektoriat shtetëror për ekonominë, ku do të përfshihen tatimet dhe doganat.