Ish-ministri i drejtësisë Eduard Halimi është rikthyer në Partinë Demokratike pas një periudhe të gjatë jashtë politikës
Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë “Berisha”, Eduard Halimi, i cili dha dorëheqjen nga mandati i deputetit në shkurt të vitit 2018 është rikthyer sërish pranë Partisë Demokratike.
Emri i tij nuk pritet të jetë në listat e kandidatëve për deputetë, por do të mbajë postin e Koordinatorit të Posaçëm Politik në Partinë Demokratike. Halimi ka konfirmuar për ‘ABCnews’ se do të koordinojë punën e drejtuesve politikë në 12 qarqe të vendit.
“Pranova ftesën e Bashës, nuk do të kandidoj për deputet por do të merrem me çështjet zgjedhore. Do të koordinoj punën e drejtuesve politikë të Partisë Demokratike në 12 qarqet e vendit”, mësohet të ketë thënë Halimi, i cili ka mbajtur postin e ministrit të Drejtësisë nga 2011 në 2013.
Për disa vite Halimi u tërhoq nga politika duke u angazhuar në studion e tij ligjore.