Aktualitet26 Nëntor 2022, 20:26

Dhjetor i “acartë” për Metën e Berishën, nga hapja e dosjeve, te “beteja” për vulën e PD

Shkruar nga Pamfleti
Dhjetor i “acartë” për Metën e Berishën, nga

Teksa Meta ka hallin e dosjes, Sali Berisha ka hallin e vulës së PD. Në 6 dhjetor, ditën kur Berisha do të protestojë kundër qeverisë dhe ndërkombëtarëve, në Gjykatën e Apelit në Tiranë do të mbahet seanca e radhës për të vendosur se kush do ta mbajë vulën e partisë…

Dhjetori do të jetë një muaj i acartë për dyshen Meta-Berisha. Teksa janë duke u përgatitur për protestën gjatë samitit të BE, në fakt ky muaj do të jetë i vështirë për të dy.

Telashet e para do të fillojnë për Ilir Metën. Gjatë verës pati një përplasje të fortë mes tij dhe mazhorancës, pasi dolën të dhëna se Meta ka qenë spiun i Sigurimit. Pas disa muajsh sulmesh e akuzash, Meta ka rënë në qetësi. Kohët e fundit i ka rralluar daljet më media, si dhe ka ulur dozën e sulmeve. Por më 2 dhjetor qetësia për ish-presidentin do të marrë fund. Në këtë datë do të hyjë në fuqi ligji për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Autoriteti i Dosjeve do ketë dorë të lirë për të zbuluar të gjitha të dhënat në dosjen e Metës, pasi deri tani kanë dalë shumë pak fakte. Vetë kryetarja e AIDSSH, Gentiana Sula ka thënë se në momentin që do të hyjë në fuqi ligji, të dhënat për personazhet publike do të publikohen në faqen në internet të institucionit.

Pra duket se në dhjetor telashet për ish-presidentin do të rikthehen. Nuk dihet ende se çfarë ka dosja e tij, por në momentin që do hapet, me siguri do nisë një valë e re tensionesh mes PL dhe PS.

Por, teksa Meta ka hallin e dosjes, Sali Berisha ka hallin e vulës së PD. Në 6 dhjetor, ditën kur Berisha do të protestojë kundër qeverisë dhe ndërkombëtarëve, në Gjykatën e Apelit në Tiranë do të mbahet seanca e radhës për të vendosur se kush do ta mbajë vulën e partisë. Që në muajin nëntor, seancat janë shtyrë njëra pas tjetrës dhe në seancën e 6 dhjetorit pritet që të ndahet “shapi nga sheqeri”. Nëse kjo seancë sërish dështon, atëherë telashet për Berishën shtohen. Seanca e radhës me shumë mundësi do mbahet në fund të janarit për shkak të pushimeve të fundvitit dhe pastaj asgjë nuk i dihet se si shkon, ndërkohë që zgjedhjet vendore po trokasin. Sa më shumë zvarriten seancat, aq më shumë telashe ka për Berishën, pasi nuk regjistrohet dot në zgjedhje nën siglën e PD.

Nga ana tjetër ai i trembet një vendimi kundër tij. Prej disa muajsh po sulmon e kërcënon gjyqtarët, madje dhe ambasadoren Kim, çka tregon se Berisha e di se Apeli mund të rrëzojë Statutin e 11 dhjetorit dhe t’i mbyllë përfundimisht derën e PD.

“Acari “ tjetër për Berishën është se në dhjetor Alibeaj do zyrtarizojë të gjithë kandidatët për zgjedhjet vendore. Ai e ka bërë të qartë se do dalë me kandidatë më vete dhe kjo do jetë një sfidë e madhe për “Foltoren”, pasi ndarja e PD favorizon kandidatët socialistë.

Pra, bashkë me uljen e temperaturave, po vjen dhe i ftohti politik për dyshen Meta-Berisha. /Pamfleti

Kryesore Berisha dimër Meta