Kronike 9 Shkurt 2023, 20:05

Dhuna ndaj kenianes, hetuesit kontroll banesës; gjejnë shenja gishtash dhe fije flokësh

Shkruar nga Pamfleti
Dhuna ndaj kenianes, hetuesit kontroll banesës; gjejnë shenja gishtash

Apartamenti në të cilin jetonte kenianja Joy Ayoko është rimbushur me hetues kur kanë kaluar gjashtë muaj pas gjetjes së të resë në gjendje kome poshtë dritares.

“Ora News” ka mësuar se apartamenti është hapur sërish nga grupi i hetimit, ku këtë herë policia dhe prokuroria, kanë fiksuar gjurmë gishti në dyer, enë dhe moblije të brendshme të shtëpisë. Disa fije flokësh, janë administruar si prova, të cilat do analizohen biologjikisht në laboratorin e policisë shkencore.

Përmes këtyre provave dhe kryerjes së një eksperimenti, ekspertët kërkojnë të ndërtojnë një version të mundshëm, mbi dinamikën e lëvizjeve, që besohet të ketë kryer mesnatën e 13 Gushtit 2022, kenianja.

Prej gati 10 ditësh, Joy Ayoko, edhe pse ndodhej në gjendje kome, është larguar nga familjarët e saj prej ambjenteve të spitalit Ushtarak dhe është kthyer në vendlindje.

Joy ndodhej e shtruar në spital që prej 14 gushtit të vitit 2022. 22-vjeçarja kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino, por në gusht të vitit të kaluar, u gjet buzë godinës ku jetonte prej muajsh. Dyshimet paraprake ishin se e reja kishte rënë nga dritarja, por nga ekzaminimet e mëtejashme u vërtetua se ishte dhunuar e me shumë mundësi përdhunuar e më pas lënë ne derën e rezidencës ku jetonte.

Oficerët e policisë kanë ripyetur disa persona për të sqaruar paqartësi apo mospërputhje mes deklarimeve të tyre dhe pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë. E para që u ripyet ishte shoqja e dhomës se 22-vjeçares e cila është nga Gana. Po ashtu janë pyetur edhe stafi i kazinosë dhe shoferi që e transportoi 22-vjeçaren në rezidencë pak orë para se të gjendej nga banorët jashtë rezidencës në gjendje të rëndë. Deri më tani s’ka asnjë person në pranga të lidhur me ngjarjen.

Kronike Hetime kenania policia