Policia e Tiranës ka arrestuar personin që dhunoi Elvis Elezin një vit më parë. Në pranga ra Gazment Kusta, i cili që prej 22 shkurtit 2021 rezulton i shpallur në kërkim. Me 17 shkurt 2021, Kusta së bashku me tre persona të tjerë të maskuar u futën brenda një lokali me armë dhe shkopa bejsbolli duke dhunuar Elvis Elezin, i cili ndodhej duke konsumuar një kafe.
Gjeneza e sherrit mes Kustës dhe Elezit nisi në Kroaci. Të dy kanë punuar bashkë në Kroaci, në aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike dhe janë arrestuar bashkë. Ata kanë vuajtur dënimin në të njëjtin burg në Kroaci, por pazaret mes tyre janë prishur. Pasi te dy kanë kryer dënimin ata janë kthyer në Shqipëri për të cilën sherri vijoi sërish.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, mbështetur në inteligjencë informative, mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Në Rrugën e Kokonozëve, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë ndaluar mjetin me drejtues shtetasin A. O., 32 vjeç, dhe pasagjer shtetasin G. K., 35 vjeç.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.