Aktualitet25 Qershor 2022, 19:24

Dialog me kryeministrin Rama, një diplomat qerrata

Shkruar nga Pamfleti
Dialog me kryeministrin Rama, një diplomat qerrata

Te shkrimet në kohë normale nuk do të duhej të përdorej cilësori qerrata për një KM të vendit, por për KM Rama ky është një kompliment tepër i butë në krahasim me ‘masakrat’ që ai ia shkakton diplomacisë shqiptare, torturat dhe dhimbjet qe ia ‘dhuron’ qytetarit, dhe në anën tjetër, përbuzjes sistematike të vëllezërve të tij jashtë kufijve të Shqipërisë si dhe rreshtimi i tij me djallin.

Shkruan Ramazan Bekteshi

Narcisit Rama, ka kohë që do të grabisësh rolin e një lideri të pa kontestueshëm mbarë-kombëtar por veprat e tua janë aq antikombëtare, aq irrituese, sepse ti e mbron Serbinë në arenën ndërkombëtare po aq sa Serbia vetveten dhe nga njëherë, zëri yt për Serbinë është më i artikulueshëm se ai i Vuçiçit.

Autokrati Rama, fatkeqësisht retorikën tuaj të “sofistikuar” po e komplikoni për çdo stinë të vitit me doza të urrejtjes brenda-shqiptare dhe do të duhen vite e dekada që të shërohen nga plagët që ti ua krijove shqiptarëve në emër të Ballkanit të Hapur dhe tentimit tuaj të fuqizimit të Serbisë me vëllezërit tuaj të ri sllavë.

Rama, t’i Milladini i ri i Jugosllavisë së vdekur, ironia juaj në Selanik kur kryeministri maqedonas shtrëngonte duart me kancelarin gjerman, që ju iu referuat Kovaçeskit si KM i ardhshëm i Bullgarisë Perëndimore dhe nga ky incident diplomatik, ju Rama, nuk e latë me aq, por hytë në një konflikt të ri diplomatik me Bullgarinë, vendi që e përkrahu aq shumë Shqipërinë në shumë procese integruese, vendi që përkrahu Kosovën pa rezervë. A i dini ju Rama problemet esenciale bullgaro-maqedonase, por ja që morët turpshëm rolin e avokatit të MV në samitin e BE-së në Bruksel, 23 qershor 2022.

Më fal KM Rama, por kjo quhet demagogji, ju në Samitin e BE-së mbrojtët me pasion Serbinë, mbrojte MV që ka fobi nga gjuha shqipe, e që ajo ende vazhdon të shtypet nga politika dhe Akademia maqedonase, shqipja vazhdon të vuajë më se dy dekada, megjithatë, juve kjo s’ju intereson, sepse, ju e bëni avokatin e djallit. Na thuaj z. KM pse duhet për hatër të MV, Shqipëria të qëndroj peng në vend se të eci drejtë BE-së pa MV?

KM Rama, ju e qortoni BE-në sepse i keni ngatërruar rrugët, e keni ngatërruar Procesin e Berlinit me Ballkanin e Hapur, sepse rrugët tuaja shpien drejt Beogradit dhe vazhdoni t’ia mbani fanarin Vuçiçit. Ju në Samitin e BE-së bërtitët deri në kupë të qiellit për “çmendurinë bullgare” dhe për trishtimin tuaj të madh. Ajo ishte një dite e zezë për diplomacinë shqiptare sepse ju ishit edhe “lypës edhe krenar”, edhe sarkastik edhe arrogant, por jo një burrështetas!

Dhe për fund KM Rama, ju keni një shans të madh të mësoni leksione diplomacie nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe citoj ‘cicërimën e Markus Preiss, një gazetar i famshëm gjerman në Tëitter: “Kush dëshiron të shohë se si bëhet komunikimi shumë i mirë politik, duhet ta shohë paraqitjen e sotme të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor. E qartë si kristali, argumentuese, e strukturuar, pozitive dhe e përsosur retorikisht”. Ajo po e çmend Serbinë me paraqitjet e saja, po ju? /Pamfleti

Forum BE Rama Vucic

Aktualitet