Kosova 7 Shkurt 2023, 21:13

Dialogu Kosovë- Serbi/ Vuçiç konfirmon krizën në koalicionin qeverisës

Shkruar nga Pamfleti
Dialogu Kosovë- Serbi/ Vuçiç konfirmon krizën në

Dialogu Kosovë- Serbi/ Vuçiç konfirmon krizën në koalicionin qeverisës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 7 shkurt se ka pasur takime me udhëheqësin e Socialistëve serbë, Ivica Daçiç, dhe konfirmoi se marrëdhëniet mes dy partive janë në krizë.

Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiçit dhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e Daçiçit, që janë në koalicion qeveritar, hynë papritmas në marrëdhënie të paqëndrueshme.

Vuçiç tha për televizionin serb, Pink, se nuk mendon se zgjedhjet e reja janë zgjidhje, sepse siç tha ai “kemi shumë probleme për të zgjidhur”.

Ai shtoi se vendimet nuk do të merren brenda natës dhe se do të takohet me Daçiçin më 8 shkurt.

“Dhe a kam besim të plotë (në SPS-në)? Personalisht nuk kam, por nuk do ta bazoja këtë në marrëdhëniet personale. Vendi është më i rëndësishëm se marrëdhëniet personale. Por, tani e dimë se në kohë të vështira mund të mbështetemi vetëm në veten tonë”, tha ai.

Vuçiç ka përmendur gjithashtu se ekziston mundësia e krijimit të një shumice tjetër në Kuvend, pa specifikuar se kush do ta krijojë atë.

Kuvendi i Serbisë ka 250 deputetë. Prej tyre, 106 janë nga radhët e Partisë Përparimtare, ndërsa 23 nga Socialistët.

Nëse presidenti i Serbisë do të vendoste për ndryshime pa zgjedhje, kjo do të nënkuptonte një ofertë për partitë opozitare.

Por, kjo do të nënkuptonte edhe ndryshime në politikë dhe nuk është e sigurt se cila parti do ta pranonte ofertën e SNS-së.

Partitë opozitare që kanë hyrë në Parlamentin e Serbisë, janë të llojllojshme – nga pro-evropiane në të djathta.

Partnerët e koalicionit, SNS-ja dhe SPS-ja, kanë shkëmbyer edhe më herët kritika, duke çuar në spekulime për zgjedhje të parakohshme. Por, deri te ndarja nuk ka ardhur dhe aleanca mes tyre ka vazhduar pa ndërprerje që nga viti 2012.

Megjithatë, zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë gjë e re për votuesit në Serbi, pasi ato janë mbajtur më 2014, 2016 dhe 2022.

Kritikat e opozitës për shkak të Kosovës

Duke komentuar kritikat e opozitës në seancën e Kuvendit të Serbisë, ku më 2 dhe 3 shkurt, u fol për Kosovën, tha se disa individë kanë planifikuar të hyjnë në kuvend, pa specifikuar se për çka bëhet fjalë.

Gjatë kësaj seance në disa raste pati përshkallëzim të situatës, dhe në një moment edhe përleshje mes deputetëve të SNS-së, partisë në pushtet, dhe opozitës.

Partitë e krahut të djathtë e akuzuan Vuçiçin për “kapitullim të shtetit”. Në ditën e dytë të seancës është votuar raporti për dialogun me Kosovën, për periudhën shtator 2022 deri në janar 2023.

Vuçiç tha gjithashtu se gjatë seancës për Kosovën janë thënë shumë gënjeshtra dhe se kjo është tregues se “me sa probleme do të përballemi në të ardhmen”.

Ai përsëriti se politika e SNS-së është që situatën në Kosovë ta shikojë në mënyrë racionale dhe që ta ruajë paqen.

Në seancën për Kosovën në Kuvendin e Serbisë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë./REL

Prishtine Aleksandar Vuçiç Kosove Serbi