Kosova 9 Shkurt 2023, 13:33

Dialogu me Serbinë, Kurti-opozitës: Fjalët që m’i thoni mua, thuajani edhe SHBA-së me të njëjtin zell

Shkruar nga Pamfleti
Dialogu me Serbinë, Kurti-opozitës: Fjalët që m’i

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e sotme në Kuvend ka ironizuar me opozitën për Asociacionin e komunave serbe dhe planin franko-gjerman.

Ai ka kërkuar që kritikat që i thonë qeverisë me aq zell që mos të pranojë marrëveshjen finale pa njohje reciproke, t’ia thonë  edhe përfaqësuesit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Ju inkurajoj, qysh ashtu që jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër, qysh m’i thoni mua – aman ja thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, dhe jo vetëm mua. Kur e takoni Escobarin, paramendojeni se e keni përpara Kurtin dhe ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Kosovës nuk mundeni me i bë”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka këmbëngulur se ka qenë transparent sa i përket planit evropian.

Ai u tha liderëve opozitarë se janë ftuar ta lexojnë planin dhe atë mund ta bëjnë çdo ditë, por sipas tij, rregullat e bisedimeve nuk e lejojnë që ai plan të dalë nga zyra e tij.

“Propozimi evropian për marrëveshje, nuk ka qenë merre ose leje. I kam pyetur emisarët a është ky propozim merre ose leje. Nëse nuk është, kam thënë është bazë e mirë për diskutim të mëtejshëm. Sepse nuk më kanë thënë lëre ose merre. E kam thënë që e pranoj si platformë solide për me ecë përpara. Platforma është vendi prej nga nisesh, jo ku banon dikush. Si destinim, nuk është më ofruar. Është procesi negociator që i paraprin destinimit. Është kundër logjikës së negociatave”, ka shtuar Kurti.

Prishtine #Escobar Kurti Kuvendi i Kosovës