Sport25 Tetor 2022, 18:44

Digjet flamuri serb në ndeshjen e basketbollit, policia e Kosovës nis hetimet, tifozët fërshëllejnë himnin “Dardan” (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Digjet flamuri serb në ndeshjen e basketbollit, policia e Kosovës nis

Digjet flamuri serb në ndeshjen e basketbollit, policia e Kosovës nis hetimet, tifozët fërshëllejnë himnin “Dardan” (Video)

Djegia e flamurit të Serbisë gjatë ndeshjes së basketbollit mes Vëllaznimit dhe Trepçës nuk po kalon në heshtje. Tifozët e Vëllaznimit të Gjakovës, “Kuqezinjtë e Jakovës”, kanë djegur flamurin e Serbisë në ndeshjen e luajtur të dielën në mbrëmje në palestrën “Shani Nushi”.

Lidhur me këtë rast kanë reaguar mediat serbe në Kosovë si dhe mediat në Serbi, të cilat e kishin cilësuar si skandal.

Edhe Policia e Kosovës ka reaguar, duke thënë se rasti në fjalë është nën hetim.

“Në konsultim me Prokurorin e Shtetit është iniciuar rast penal: ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’. Ndërkohë hetimet vazhdojnë. Deri në këto momente nuk ka asnjë të arrestuar”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës për “Koha.net”.

Nga tifo-grupi gjakovarë kanë deklaruar se tashmë ka edhe të arrestuar.

Djegia e flamurit të Serbisë ndodhi teksa tifozët, të njohur për qendrimet pro-shqiptare, po këndonin një këngë kushtuar Mitrovicës. Pas këngës për Mitrovicën është thirrur “Shqipëri Etnike”. Thirrje të tilla janë të zakonshme në palestrat kosovare. Edhe djegie të flamurit të Serbisë ka patur here pas here.

“Kuqezinjtë e Jakovës” përmes faqes në Facebook” kanë postuar një “komunikatë për mediat serbe të instaluara në Kosovë dhe Shqipëri”.

Ky tifo-grup ka paralajmëruar se edhe në të ardhmen do të veprojë po njësoj.

“Këtë komunikatë po e nisim me një urim. Urime, ia dolët t’i gëzoni zagarët tuaj, policia ndërmori masa dhe po arreston djemtë kuqezinj. Po ua bëjmë me dije, hapni burgjet se do djegim në çdo ndeshje flamujt e tyre. Ne na u dogjën shtëpitë, familjarët dhe zemrat tona dhe askush nuk hetoi asgjë. Ishim prezent në të gjitha luftërat, në të gjitha frontet. Ne jemi bijtë e dëshmorëve, e luftëtarëve të qytetit tonë. Ua kemi borxh t’ua mbrojmë nderin”, shkruahet në postimin.

Ndeshja Vëllaznimi – Trepça ishte dramatike. Vëllaznimi fitoi, dhe pas ndeshjes të gjithë tifozët nisën këngën kushtuar Gjakovës dhe ushtarëve të UÇK-së nga ky qytet.

Videoja e momentit të djegies së flamurit të Serbisë është postuar edhe në rrjete sociale.

Sport #Flamuri serb ndeshja e basketbollit mes Vëllaznimit dhe Trepçës