Qëndrimet e njëpasnjëshme të zyrtarëve europianë, ku i kërkojnë qeverisë së Kosovës për të bërë marsh mbrapa për çështjen e targave, ishin të pritshme.
Ata janë në vazhdën e llastimit të Vuçiçit, i cili nuk resht çdo minutë të thotë se ndjehet i poshtëruar e i duhet të kundërveprojë.
Por nuk do të jenë më shumë se kaq. Problemi nuk është se a do të tërhiqet Albin Kurti nga çështja e targave. Por gjithë kyçi i çështjes është strategjia e Kosovës, duhet të jetë e qartë dhe e shpejtë për të bërë edhe hapin e dytë e të tretë, në mënyrë që çështja e targave, të mos mbetet si “Pazar i fundit”, apo siç quhet “vija e kuqe” e Beogradit.
Targat ishin një vendim i duhur i Albin Kurtit; në dukje një problem i vogël, por ai e ka destabilizuar goxha Beogradin.
E dëshmi shumë e kristaltë për këtë është fotoja nga lart e marrë në pikën kufitare të Jarinjës, e publikuar nga të gjitha mediat, ku autokolona të mëdha makinash të rënda janë bllokuar në kufi.
Nuk bëhet fjalë për lëvizjen e makinave të vogla private, të cilët nuk kanë edhe aq shumë problem në marrjen e targave provizore dhe pagesën e tarifës përkatëse. Ka vite, e vite që qyetarët e Kosovës e përjetojnë këtë rit, i cili edhe pse është besdisës, nuk se është destabilizues.
Ajo që ka favorizuar realisht Beogradin është tregtia e lulëzuar që ky shtet kryen në Kosovë. Serbia është eksportuesi i parë; që nga materialet ndërtuese, mallrat ushqimore të përdorimit vital si mielli e vaji, e deri tek ushqime e materiale për industrinë.
Vetë volumi i madh i maumeve që kalojnë në Jarinjë, Brnjak e Merdare është kolosal. Ndaj edhe është shqetësuar shumë Vuçiçi, e ka folur për një kundërpërgjigje ekonomike ndaj Kosovës. Për Serbinë është një treg i konsiderueshëm dhe ka realisht rëndësi strategjike, sidomos, për ata kompani e industri të pjesës jugore të vendit, që nga Nishi e Vranja, por edhe të kryeqytetit-Beogradit.
Serbia është qendra e instalimit të shtabeve rajonale për Ballkanin, të një numri të madh kompanish botërore. Duke nisur nga kolosët Apple e Samsung, e deri tek importuesit e mëdhenj të mallrave shtëpiake si detergjentë, pije të gazuara, energjike etj.
E duke qenë kështu, infrastruktura e distribucionit në Kosovë është kolosale. Serbia është në të njëjtin nivel siç ka qenë Greqia për Shqipërinë, e cila e furnizonte tregun shqiptar me mallrat më të rëndësishëm, e deri tek shërbime vitale: si bankat apo telefoninë celulare.
Vetëm për disa vite, ndodhi që një kompani shqiptare mori të drejtën e distribucionit të mallrave të kolosit shumëkombësh Procter&Gamble në të gjithë Ballkanin, ku si qendër logjistike zgjodhi Kosovën.
Strukturat e Beogradit bënë që kjo komani ta heqë franchise-n për Ballkanin, e kjo kompani sërish u zhvendos në Beograd.
Skenat aktuale që vijojnë e vijojnë në veri të Kosovës, me kamionë që mbizotërojnë në pikën kufitare, sipas të gjitha gjasave do të vazhdojnë gjatë, vetëm e vetëm që të japim panoramën e një gjendje kaotike, por që në fakt nuk është ashtu.
Po të shikosh edhe raportimet e mediave serbe nga pika e Merdares, e cila është shumë e qetë, vëren se normaliteti tashmë po funksionon. Në Jarinjë, këtë normalitet e prish e ashtuquajtura “protestë paqësore” e kamionëve të kompanive shtetërore serbe, si dhe qëndrimi kokorroç i horrave të Listës Serbe që shajnë e tallin efektivët e trupave speciale të ROSU.
Thjesht të shikosh videot e sjelljes korrekte të policëve të ROSU-t me gangsterët e Mitrovicës së Veriut, që dikur kanë qenë “Rojet e Urës”, e talljet e fjalët e rënda të tyre ndaj policëve shqiptarë, bëhet menjëherë dallimi se çfarë situate është kjo.
Ndërkaq, nëse lejohet të vazhdojë kështu kjo panoramë, do të bëjë mjaft dëm, prandaj është e domosdoshme të merren masa të mëtejshme nga qeveria e Kosovës, për ta konsoliduar arritjen e bërë me reciprocitetin e targave.
Duhet një vendim i menjëhershëm dhe përfundimtar për çështjen e pasaporta, ku një numër i konsiderueshëm qytetarë të Kosovës, shqiptarë por edhe serbë dhe të minoriteteve të tjera mbajnë pasaporta të Serbisë.
Ata de jure janë edhe qytetarë të Serbisë. E kjo nyjë gordiane duhet prerë menjëherë; mundet që për arsye praktike ngaqë Kosova është e izoluar, qytetarët i përdorin pasaportat e vendeve të tjera.
Por jo pasaportat serbe, pasi ky është një shtet që punon vetëm për ta destabilizuar shtetësinë e Kosovës.
Çështja e izolimit mund të zgjidhet, qoftë edhe me një kërcënim verbal që mund t’i bëhet BE, nga një mbledhje e përbashkët mes Shqipërisë e Kosovës, ku të hapet mundësia që për të hequr izolimin, qytetarët e Kosovës do të pajisen me pasaporta shqiptare vetëm për arsye udhëtimi.
Do të sillte shumë potere ky qëndrim, por pas kësaj nuk do të flasë kush për targat. Në fund Tirana e Prishtina do të tërhiqen, e BE sipas gjasave do të nisë të veprojë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
E treta, është urgjenca e zgjidhjes së problemit të varësisë së tregtisë nga Serbia. Në zanatin e tregtisë serbët janë mjaft dinakë dhe e dijnë mirë se nëse i ikën një treg i rëndësishëm si Kosova, humbës është Beogradi, pasi nga kjo tregti varen një numër i madh kompanish, e natyrisht të punësuar, të cilët kanë vite që jetojnë me këtë tregti.
Megjithatë Prishtina, duhet të nisë që të punojë fort e seriozisht për heqjen e kësaj varësie, duke mos e bllokuar natyrisht tregëtinë, pasi është jo vetëm e pamundur, por edhe e padobishme.
Thelbi është të krijohen rrugë alternative të kësaj tregtie; duke hequr dorë përfundimisht nga ndikimi i lobeve të mëdha të importeve serbe në politikën e mediat e Kosovës. Kjo duhet të ndodhë menjëherë…/Pamfleti