Politike24 Qershor 2022, 07:46

Dita e 2 e Samitit të Brukselit, zbardhet axhenda çfarë pritet të ndodhë sot

Shkruar nga Pamfleti
Dita e 2 e Samitit të Brukselit, zbardhet axhenda çfarë pritet

Ditën e sotme në Bruksel do të vazhdojë dita e dytë e Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas agjendës në orën 9:00 pritet që pjesëmarrësit të arrijnë dhe një orë më pas do të fillojë një sesion pune.

Më pas është e planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp nga Presidenti Michel, Presidentja Von der Leyen dhe Presidenti Macron.

Udhëheqësit do të zhvillojnë një diskutim strategjik se si të përforcojnë marrëdhëniet e BE-së me partnerët e tyre, duke përfshirë mënyrën se si të nxitet dialogu politik dhe të forcohet siguria, stabiliteti dhe prosperiteti i kontinentit europian.

Më vonë temë diskutimi do të jetë Ukraina sërish. Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë zhvillimet e fundit në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, përfshirë ndikimin e saj në krizën globale të sigurisë ushqimore, si dhe mbështetjen ushtarake, politike dhe humanitare  që planifikohet t’i jepet Ukrainës.

Rezultati i ditës së parë të samitit të djeshëm shkaktoi sërish zhgënjim te vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në samit nuk ka pasur asgjë konkrete për liberalizimin e vizave për Kosovën apo hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zëdhënësi i Këshillit Europian, Barend Leyts, ka treguar se cilat janë përfundimet për Ballkanin Perëndimor të nxjerra nga Samiti i BE-së, ku për Kosovën përmendet vetëm përparimi në dialog dhe jo liberalizimi i vizave.

Në përfundimet e nxjerra, për Kosovën flitet vetëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë dhe përparimin në dialog.

“Këshilli Europian riafirmon urgjencën e të bërit përparim të qartë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mëdha bilaterale dhe regjionale, veçanërisht dialogun Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në pikën 19.

Dje në Bruksel, vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk arritën të zyrtarizojnë nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj Shkupit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se fryma e zgjerimit është deformuar duke lejuar marrjen peng të procesit nga shtetet individuale.

Ndërsa kryeministri maqedonas shprehu gatishmërinë për të biseduar për propozimin francez të zgjidhjes së ngërçit, duke saktësuar se në formën e paraqitur është i papranueshëm për Maqeoninë e Veriut.

Për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë, Franca e cila ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, deri në fund të muajit, ka ofruar një zgjidhje. Propozimi është pranuar dhe nga opozita bullgare, por ai duhet të kalojë më parë në parlament, ndërkohë që një ditë më parë qeveria e kryeministrit Kiril Petkov u rrëzua gjatë një mocioni votbesimi.

Të dy kryeministrat u shfaqën në konferencë shtypi së bashku me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, si tre iniciatorët e projektit Ballkani i Hapur, për të cilin ata ritheksuan se do të çojë përpara vendet e tyre, ndërkohë që procesi i integrimit vijon me zgjatjet e tij.

Kryeministri Rama deklaroi se në takimin me krerët e vendeve të BE-së, kishte folur dhe për atë që e quajti “një pengmarrje tjetër, pengmarrjen e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk lejohen të lëvizin lirisht në Europë”, duke qenë se marrëveshja me Kosovën është ende pezull.

Politike Dita e dytë Kosova Samiti i BE Shqipëria