Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar sot 76-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë me vargjet e Qemal Stafës, përmes një statusi në Facebook.
“E vjetra shembet, Kohët ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”, shkruhet në foton e postuar nga Rama.
Qemal Stafa ishte bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i Komitetit Qendror dhe sekretar politik i të rinjve.
Gjithashtu shkrues poezish dhe sprovash letrare me pseudonimin Brutus, të cilat u përmblodhën në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”. Dita e vrasjes së tij është përdorur si simbolikë për të përkujtuar Ditën e Dëshmorëve.
Shqipëria përkujton sot 76-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër pushtimit të Shqipërisë. Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.
Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944. Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.