
Ditët e ftohta, si të ushqehemi dhe të ruhemi nga virozat
Në Shqipëri por jo vetëm po kalojmë ditët më të ftohta të këtij viti dhe kujdesi për shëndetin duhet të jetë shumë i lartë. Gjatë ditëve me temperatura nën zero, i ftohti na than buzët, lëkurën, mund të kemi dhimbje dhëmbësh pasi ajri i ftohtë arrin tek nervat e tyre. Ekspertët rekomandojnë të merrni frymë përmes hundës dhe mbani një shall për ta mbajtur gojën më ngrohtë.
Po ashtu mund të rritet sheqeri në gjak pasi i ftohti inkurajon trupin të lëshojë hormone të stresit. Mundet po ashtu të humbni peshë. Kur dridhemi nga i ftohti, ne po djegim më shumë kalori për të gjeneruar nxehtësi. Mund të shtohen rrudhat sepse lëkura bëhet më e ndjeshme gjatë sezonit të ftohtë. Por po ashtu shikimi mund të përkeqësohet. Shpesh harrojmë të mbajmë syze dielli që bllokojnë UV në sezonin e ftohtë por dielli reflekton duke dëmtuar sytë.
Është e rëndësishme të konsumohen vakte të rregullta ushqimore dhe pije të nxehta nga 1 deri në 1.5 litra në ditë. Të shmangen pijet alkoolike pasi këto pijë shkaktojnë humbjen e nxehtësisë së prodhuar nga trupi.
Për të qytetarët me sëmundje kardiovaskulare, apo të aparatit respirator të shmanget dalja në mëngjes herët dhe mbrëmje vonë, kërkohet po ashtu veshje e trashë, kapele, doreza, shalle, xhupa apo pallto të ngrohta.
Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, temperatura trupore mund të bjerë nën 35° C e me kalimin e kohës organizmi nuk funksionon më siç duhet duke rrezikuar shëndetin; shkakton ngushtim të enëve të gjakut dhe përshpejtim të ritmit të zemrës. Gjatë qëndrimit jashtë, pjesët më të ekspozuara si koka, këmbët e duart mund të ngrijnë. Në fillim ato humbasin ndjeshmërinë, skuqen dhe dhembin, e më pas ngrijnë.