
Djali ju vra në atentat, flet nëna e Erjon Xhenjes: Shteti të na mbrojë, fatkeqësia e tij ishte se kushërinjtë i ka me precedentë penalë
Nëna e Erjon Xhenjës, 19-vjeçarit që mbeti i vrarë më 18 shtator në Shkodër, ka kthyer heshtjen.
Nëna e Erjonit në mesazhin e saj për mediat, ka përshkruar djalin e saj dhe tronditjen që vrasja e tij ka shkaktuar në familjen e tyre.
Elvira Xhenje i kërkon ndihmë shtetit që të marrë në mbrojtje familjen e saj.
Reagimi i nënës së 19-vjeçarit të vrarë në Shkodër
“Jam Elvira Xhenje ,nena e te ndjerit Erjon Xhenje ,te riut qe u vra ne Shkoder me dt 18 ,09,2022.Vrasja e djalit tone ka qene nje tronditje e madhe per familjen tone ,por jo vetem. Dhimbjen per djalin tim e kam pare ne syte e gjithe prinderve qe ne syte e mi kane pare veten e tyre,sesi nje femije te pafajshem i merret jeta me pa te drejte. Dhimbjen per Erjonin e kam pare ne syte e te rinjve qe e kuptojne sesa e pasigurte dhe e pa vlere eshte jeta ne Shqiperi. Fatkeqesia e djalit tim ishte se kusherinjte e tij jane me precedente penale. Ky fakt i dha te drejten dores kriminale qe tia marre pa meshire jeten djalit tim. Ky fakt i dha te drejte portaleve qe ta godasin per here te dyte Erjonin duke cenu dinjitetin e tij me informacione te paverteta dhe duke trazu shpirtrat e familjareve serish. Erjon Xhenje ka qene student i deges fizioterapi. Ka qene nje i ri me angazhime ne jeten personale dhe shoqerore. Erjoni eshte eduku me vlera dhe i ka manifestu ne familje dhe ne rrethin e tij te paster shoqeror. Kerkoj nga shteti drejtesi per djalin tim. Kerkoj gjithashtu qe familja ime te merret ne mbrojtje pasi ndihemi te pambrojtur. Erjoni ka qene nje djale besimtar. Jam e sigurte qe ai eshte lule ne xhenet. Allahu e paste ne mbrojtje pasi ne kete jete ka padrejtësi”, thuhet në reagimin e saj.
Kujtojmë se sot Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim 24-vjeçarin Bajram Çekorja si autor i dyshuar i vrasjes së 19 vjeçarit.
Erjon Xhenje, vetëm 19-vjeçar u ekzekutua mbrëmjen e së dielës, në lagjen “Kiras”. Ora shënonte 20:10 kur i riu u qëllua me armë zjarri teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në zonën e njohur si ‘Rruga e Gjerë’. Autorët që po lëviznin me motoçikletë qëlluan me breshëri plumbash duke e lënë të vdekur në vend. Rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes, në lagjen ‘Guerile’ është gjetur duke u djegur motoçikleta së bashku pistoletën e përdorur nga autorët.
Vrasja dyshohet se ka lidhje me hakmarrjet mes grupeve kriminale rivale në kryeqendrën e veriut. Erjon Xhenje është kushëri i parë (djali i xhaxhait i Shkëlzen dhe Sehar Xhenje), dy emra të njohur për policinë e Shkodrës në ngjarje të mëparshme kriminale.
Një nga pistat e hetimit ku është fokusuar policia, është edhe ajo e vrasjes së Ismet Çekorjes me datën 2 shtator. Ka dyshime që Shkëlzen Xhenje, kushëriri i 19-vjeçarit që u vra dje, është njëri prej personave të përfshirë në vrasjen e Çekorjes për llogari të Asmer Bilalit. Kështu ka dyshime që 19-vjeçari të jetë ekzekutuar në shenjë hakmarrje për vrasjen e Ismet Çekorjas.
Shkëlzen Xhenje dyshohet si njëri prej autorëve të vendosjes së një sasie tritoli ndaj 34-vjeçarit Bledar Çekorja, më 28 janar 2014, në Shkodër.
Për këtë ngjarje ai u arrestua dhe qëndroi në burg për 4 vite e 8 muaj, ndërsa u lirua duke përfituar nga një amnisti në atë kohë.
Një muaj pas lirimit, më 18 shkurt të 2017-ës Shkëlzen Xhenje u arrestua për plagosjen e Flutura Muçës. Kjo e fundit e akuzoi se atentati ishte porositur nga Sadetin Sula i dënuar me burg përjetë për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij Suela Sula, motra e të plagosurës Flutura Muça. Xhenje mohoi se ka lidhje me këtë ngjarje.
Më 22 shkurt 2018 u sulmua me thikë ish-trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka. Autor i ngjarjes të këtij sulmi u dyshua Nehat Fojleta dhe Sehar Xhenje dyshohet se është personi që drejtoi mjetin me të cilin u larguan pas ngjarjes.
Më 21 shkurt 2021 dy vëllezërit Xhenje dhe Esmerald Hato dyshoheshin si autorët ndaj atentatit ndaj shtetasit Taulant Pepa. Sehar Xhenje deklaroi nga Italia se nuk ndodhej në Shqipëri dhe se kishte disa ditë që kishte ikur drejt Italisë.
Më 2 shtator të këtij viti Shkëlzen Xhenje mendohet se është njëri prej personave të përfshirë të vrasjen e Ismet Çekorja për llogari të Asmer Bilalit, ndërsa për këtë ngjarje nuk ka asnjë person të shpallur në kërkim për mungesë provash.
Nga ana tjetër, mësohet se viktima ka pasur lidhje shoqërore të ngushta me Asmer Bilalin. Ky një emër i skeduar disa herë nga autoritet dhe drejtësia shqiptare. I ndjeri punonte në fermën që Asmer Bilali ka, ku kujdesej për kuajt e tij apo për punë të ndryshme që kishte.