
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev ka akuzuar kryeministrin japonez Fumio Kishida se është një “shërbëtor i amerikanëve” dhe i sugjeroi atij që të bënte aktin e “seppuku”, (një formë e vetëvrasjes rituale që e ka origjinën nga klasa e lashtë e luftëtarëve samurai të Japonisë.)
Medvedev aleati i ngushtë i presidentit Vladimir Putin, po i përgjigjej një takimi të mbajtur të premten midis kryeministrit Kishida dhe presidentit amerikan Joe Biden, pas të cilit të dy liderët lëshuan një deklaratë të përbashkët kundër agresionit rus.
“Ne deklarojmë pa mëdyshje se çdo përdorim i një arme bërthamore nga Rusia në Ukrainë do të ishte një akt armiqësie kundër humanizëm dhe i pajustifikueshëm në asnjë mënyrë”, thanë dy liderët në deklaratën e përbashkët.
Medvedev tha se deklarata tregon “paranojë” ndaj Rusisë dhe “tradhton kujtimin e qindra mijëra japonezëve që u dogjën në zjarrin bërthamor të Hiroshimës dhe Nagasakit”, duke ju referuar bombave atomike që SHBA hodhi mbi Japoninë në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Ish-presidenti rus sulmoi zotin Kishida dhe tha se ai kishte treguar se ishte “thjesht një shoqërues shërbimi për amerikanët”, teksa shtoi se një turp i tillë mund të lahej vetëm nga seppuku.