
Kuvendi i Maqedonisë ka vijuar edhe sot me diskutimet për propozimin francez, por seanca ka qenë tepër e tensionuar.
Përveç sulmeve dhe akuzave, është shkuar dhe te konfrontimi fizik. Në seancë ka pasur tensione mes deputetit të LSDM, Martin Kostovski dhe deputetit të së Majtës, Dimitar Apasiev.
Në një video të publikuar nga mediat maqedonase shihen dy deputetët maqedonas duke e shtyrë njëri-tjetrin, ndërsa ndërhyjnë deputetët Goran Misovski dhe Arbër Ademi, për t’i ndarë.
Ndërkohë një tjetër përplasje ka ndodhur mes kryeparlamentarit Talat Xhaferit dhe deputetit kontradiktor Dimitar Apsasiev.
Pas një zënke verbale, debati ka përshkallëzuar në kërcënime fizike. Siç shihet edhe në pamjet e publikuara, deputeti Apasiev i drejtohet kryeparlamentarit Xhaferi në formë kërcënuese duke i treguar gishtin. Ky i fundit e kërcënon më pas se “do t’ia thyejë gishtat”.
Pas ngjarjeve ka ardhur një reagim nga qeveria. “Dënojmë ashpër gjuhën e urrejtjes që opozita po përhap me këmbëngulje këto ditë dhe po përpiqet t’ia imponojë publikut nga foltorja e Kuvendit, por edhe nga bllokadat dhe protestat në rrugë. Qëllimi kryesor i këtyre sulmeve të turpshme dhe të nivelit të ulët është pengimi i rrugës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian”, shprehet qeveria maqedonase.