Fakte nga Drejtoria e Parandalim-Pastrimit të Parave, Tatimet e Drejtësia/ Aq shumë është i lidhur oligarku i vilave të Lalzit, në interesa me kupolën e pushtetit “Rilindja”, sa në muajin Tetor 2019 kur u prangos Drejtori i Kadastrës-Durrës qëhiptekonte tokat e vjedhura dhe ndërtimet pa leje të Dod Doçit, Kryeministri Rama kërcënoi në Parlament prokurorin e dosjes, Arjan Ndoja, ndërsa Erjon Braçe shkoi e kërcënoi hapur në sallën e gjyqit.
Oligarku Dod Doçi i firmës mafioze “Lura shpk”, është vënë përsëri në proces hetimi për pastrim parash, me të cilat, prej 13 vitesh bënë biznesin e ndërtimit të vilave, komplekseve rezidenciale, hoteleve dhe apartamenteve në bregdetin e Lalzit.
Përveçse deri sot, nuk ka ndërtuar në asnjë metër “tokë të babës”, por në 70 ha tokë pronë shteti të grabitur e dhuruar nga Berisha, Meta, Rama; sipas anti-krimit ekonomik, rezulton se oligarku Dod Doçi bën biznes ndërtimi me financa nga burime të errëta.
Më 6 Janar 2020, “Pamfleti” publikoi lajmin se Prokuroria e Durrësit e kishe çuar në SPAK-un e sapo krijuar, dosjen “Dod Doçi” të vjedhjes së 68 000 m2 tokë në Lalz; dhe u mendua se ishte lënë në heshtje, por tashmë pas mëse 18 muajve, mësohet se kjo dosje po hetohet.
Sipas dokumenteve, me burim agjencitë partnere, SHISH etj.; është bërë “skaneri” për aktivitetin e firmës “Lura shpk” qysh nga viti 2009, me indicie Vendimin nr. 5651, Prot., datë 11.08.2009 të Drejtorisë së Parandalim-Pastrimit të Parave për gjobë 10 milionë lekë referim ndjekje penale.
Por gjoba u rrëzua në Gjykatën e Faktit e Apelit Tiranë me vendime Nr.7820, datë 10.10.2011 e Nr.2060, datë 12.09.2012, nga gjyqtarët Kajo, Gjoni e Hajdari; ndërsa dosja penale u anulua nga Berisha-Meta në pushtet, pronarë vilash në Lalz të ndërtuara nga Dod Doçi.
Nga kontrolli paraprak, iu konstatuan 23 transaksione me vlera nga 15-20 milionë lekë, deri në 60 milionë lekë, të cilat ishin pa akte noteriale, pa emra personash e biznesesh pagues apo donatorë, pa veprime bankare dhe të pa raportuara pranë kësaj drejtorie, siç e detyron ligji.
Madje, iu zbulua, se për transaksione ilegale, Dod Doçi, përdorte si “lavatriçe” firmën e tij policia private “Lura Security”; të cilën për këtë shkak nuk po e aktivizon më në tenderë publik.
Aq e provuar ishte akuza e pastrimit të parave nga Dod Doçi, sa dy vendimet gjyqësore, i rrëzoi dhe grupi i “çakejve” të korrupsionit në Gjykatën e Lartë, Zaganjori, Selimi, Zeneli e Ndreca, me Vendim Kolegji Nr. 1108 i Vendimit (93), datë13.02.2018.
Në dosjen hetimore të para 10 ditëve, si indicie është raportimi i tatimeve, që firma “Lura shpk” nuk ka dorëzuar bilance aktiviteti ekonomik-financiar qysh prej vitit 2017; ndërkohë që sipas shitjeve në aktet kadastralë, del se në 4 vitet e fundit ka 1.45 miliardë Euro të ardhura.
Krahas hapjes së dosjes e ri-hetimit për veprimtari biznesi ndërtimi me financa nga burime të zeza krimi e korrupsioni, mafiozi Dod Doçi i firmës “Lura shpk”, ka dhe dosje nga IKMT, me gjoba e vendime për prishje objektesh në Lalz, ndërtuar pa leje e në tokë pa letra pronësie.
Ndaj tij është ende në fuqi, vendimi i IKMT, për prishjen e 17 rezidencave nga 2 kate, shoqëruar edhe me 17 gjoba nga 15 milionë lekë për secilin objekt.
Në Vendimin nr. Nr. 26, date 25.08.2017 të IKMT, thuhet se firma Lura duhet të pezullojë ndërtimet e paligjshme në kompleksin nr.3 me 35 objekte; ndërsa në Vendimet Nr. 56 e nr. 57, datë 25.08.2017, IMT urdhëron prishjen e objekteve nga nr. 1 deri te nr. 7 në kompleksin nr. 2; dhe të objekteve nga nr. Nr.3 deri te numri 12 në kompleksin nr.3, për shkak se janë ndërtuar jashtë sipërfaqes së miratuar nga KKT e mbi tokë shteti të planifikuar për mjedise publike.
DY FAKTE/ – Për të shpëtuar 20 ndërtesat e paligjshme të ndërtuara mbi tokë të grabitur në Lalz; më 13 Shkurt 2018, Dod Doçi ka paditur IKMT-në në Gjykatë për anulim vendimesh.
– Në muajin Shtator 2019, Dod Doçi, ka bërë përsëri rekurs në Gjykatën e Lartë, për rishikimin e vendimit të Drejtorisë së Parandalim-Pastrimit të Parave, si përpjekje për të pastruar “njollën” e biznesit me para të zeza dhe për t’i shpëtuar “furtunës” së drejtësisë amerikane./Pamfleti