Anëtari serb i presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, i shpallur “non grata” nga autoritetet e SHBA, mbajti sot një konferencë për mediat ku njoftoi kthimin e zyrtarëve serbë në institucionet shtetërore të Bosnjës, pasi u ftua për ta bërë këtë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
“Nuk është gjë e vogël nëse presidenti i Serbisë kërkon që kjo strukturë të mendojë për këtë”, u arsyetua sot Dodik në konferencë, i pyetur për kthimin e përfaqësuesve serbë në institucionet e Bosnjë-Hercegovinës.
I pyetur në lidhje me shpalljen e sanksioneve të reja, të paralajmëruara nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Dodik tha se ai ka potencial ta urdhërojë likuidimin e dikujt.
“Unë e njoh personalisht këtë Escobarin. Mendoj se ai ka potencial të urdhërojë likuidimin e dikujt. Në çdo rast, ne nuk duhet të shqetësohemi për këtë”, tha ai, duke sulmuar përsëri edhe përfaqësuesin e lartë të BE, Christian Schmidt.
“Nuk kam ndërmend të flas me një Përfaqësues të Lartë të rremë dhe të pazgjedhur. Republika Srpska nuk duhet t’i pranojë ata që na imponohen dhe t’i lërë ata të vendosin për ne”, tha Dodik./Express