Kanë 9 vite që vetëm bëjnë telendarin në “FB”/ Për “çudi”, dy (ar)miqtë e krimit dhe korrupsionit, Berisha e Basha, nuk po i kërkojnë prokurorisë; të nis hetimet edhe për 16 vitet e kryebashkiakut të Krujës si “emigrant” në Itali; mbasi, ashtu si Roshi, Kajmaku, Pjetri e Ismailaj i Mallakastrës, mund të ketë bërë deklarime të rreme në formularin e dekriminalizimit, por urojmë, që ky hezitim për “pashain” e Krujës të mos jetë pazar me (ar)mikun e 17 majit 2017
Gjatë viteve 2016-2019, “shtabi zbulues” i PD-së, i ka rrëzuar Edi Ramës 3 kryebashkiakë në Kavajë, Shkodër e Vorë; dhe ka kërkuar hetime nga prokuroria, për kryebashkiakët e Vau-Dejës e Mallakstrës; ndërkohë që ditën e shtunë, ka paralajmëruar se po përgatit dosjet për 5 të tjerë në zonën Lezhë-Dibër.
Çuditërisht, në “listën e zezë” të PD-së, nuk po futet kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, paçka se Sali Berisha e Lulzim Basha, prej 9 vitesh po e akuzojnë si trafikant droge të dënuar në Itali.
Këto akuza, Bushit të Krujës, i janë bërë qysh prej 8 majit 2011, kur Tom Doshi e Rrahman Rraja e sollën nga Italia; dhe “babloku” Edi Rama e kandidoi për kryetar të Komunës Thumanë; ndërsa në vitin 2013 e bëri deputet dhe prej 2015-ës e deri sot, 2 herë kryebashkiak të Krujës.
Por Berisha e Basha, bëjnë sikur “u ka dalë nga mendja” dhe nuk po kërkojnë nisje hetimesh nga prokuroria; për deklarimet që Artur Bushi i “bablokut”, ka bërë në formularin e dekriminalizimit.
Nëse nuk e kanë lojë e pazar, të bërë me ortakun e 17 majit 2017; Berisha e Basha, duhet të urdhërojnë Gazmend Bardhin, të çojë edhe për Artur Bushin e Krujës, Akuzë-Kërkesën hetimore në prokurori, siç vepruan për Roshin e Kavajës, Pjetrin e Shkodrës, Kajmakun e Vorës, Babanin e Vau-Dejës dhe Ismailajn e Mallakastrës.
Sepse në formularin e datës 13.05.2019, Bushi ka vetë-deklaruar 6 skeda penale me shoqërime, verifikime, arrestime, izolime e gjykime për trafik droge nga policia dhe drejtësia në Itali, ku ka qenë 16 vjet me status “emigrant ekonomik”.
Pse Berisha e Basha, nuk çojnë në prokurori, kërkesën për hetimin e këtyre fakteve penale, që kanë mbushur “CV” e kryebashkiakut Bushi të Krujës?
Të paktën, të verifikohen vetëm të dhënat e akuzave për trafik droge; e jo diploma universitare në profilin “Historian Muzeu”, marrë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, me studime “Pa shkëputje nga puna”, gjatë viteve kur ka qenë emigrant në Itali.
Sepse po u hapën regjistrat tek Fakulteti Histori-Filiologji, ose nuk do jetë fare emri “Student Artur Bushi”, ose mund të dalë emri i ndonjë Rektori apo Dekani, me mandate deputeti të PD-LSI./Pamfleti