
Deputetët e opozitës kanë mbledhur 45 firma për të ngritur një komision hetimor që do të verifikojë kontaktet dhe marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me ish agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.
Kjo çështje ka bashkuar demokratët e Alibeajt me të Berishës pasi në listë kanë firmosur edhe deputetët Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku, Lefter Gështenja dhe Andia Ulliri.
Ky lajm u bë i ditur nga Luçiano Boçi, i cili për mediat tha se kanë mbledhur 45 firma nga deputetët e PD-së për të kërkuar ngritjen e komisionit hetimor në lidhje me këtë çështje.
Boçi theksoi se nuk do ta ndalin aksionin e tij ndonëse Rama nuk shkoi në kuvend për të folur mbi çështjen e zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.
“Kanë refuzuar mocionin me debat sikurse kanë bërë javën e kaluar. Kanë refuzuar pjesëmarrjen në interpelancë, por aksioni ynë nuk përfundon këtu. Kemi kërkuar ngritjen e komisionit hetimor. Janë mbledhur mbi 45 firma. Kreu i grupit të PS ka deklaruar që kërkesa do refuzohet ndërkohë që gjykata kushtetuese është shprehur qartë që ngritja s’mund të ndalohet nga Parlamentin”, tha Boçi.