
Në seancën plenare të ditës së nesërme kryeministri Edi Rama do të përballet me opozitën për çështjen e përfshirjes së tij me ish zyrtarin e FBI, Charles Mcgonigal që po hetohet në Amerikë.
Deputetët e Partisë Demokratike kërkuan zhvillimin e një interpelance urgjente për këtë çështje.
Ndaj dhe kjo interpelancë do të jetë edhe pika e parë në rendin e ditës, ku përballë kryeministrit Edi Rama do të jetë deputeti demokrat, Gazment Bardhi i cili do të mbajë qëndrimet e opozitës.
Të enjten e kaluar pati shumë tensione në Kuvend lidhur me këtë çështje. Deputetët e PD-së bllokuan foltoren. Kjo situatë u shkaktua pasi Kuvendi nuk e miratoi kërkesën e grupimit Berisha për mocion me debat me kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal. Kujtojmë që Rama nuk ishte i pranishëm në seancë.
Jashtë Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se Rama duhet të japë llogari.
“Kërkesa ime ka të bëjë me thirrjen për të qenë prezent Rama që është stërmbullari i një veprimi korruptiv. Duhet të japë sqarimi më së pari në Parlament dhe është i detyruar të jetë prezent. Duhet të japë llogari! Pyetja që shtrohet është fare e thjeshtë: Ku e keni fshehur Edi Ramën?”-u shpreh Alibeaj.
Nga ana tjetër, në këtë seancë pjesëmarrja e opozitës nuk do të jetë e plotë. 5 deputetë të Partisë Demokratike nuk do të marrin pjesë në punimet e Parlamentit pasi janë të përjashtuar për shkak se 1 javë më parë bllokuan foltoren e Kuvendit duke pamundësuar zhvillimin e seancës.
Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Edmond Spaho dhe Belind Këlliçi nuk do të marrin pjesë në seancën plenare dhe as në komisionet parlamentare për 10 ditë.