
SPAK kishte prerë urdhër-arrestet për pesë të arrestuarit për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe ‘Rrumit të Shijakut, që në muajin nëntor për një pjesë dhe disa të tjerë në fillim të dhjetorit.
SPAK i kishte prerë urdhër-arrestet, por ka pritur festat e fund vitit për të kryer ekzekutimin e tyre me shpresën se personat që figuronin jashtë vendit do të vinin në Tiranë dhe jo vetëm, gjë që nuk ka rezultuar kështu.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se një prej personave që pritej të vinte ishte një prej atentatorëve, emri i të cilit mbetet akoma mister.
9 të dyshuarit u zbuluan në bazë të përgjimeve dhe provave digjitale pasi ata po bëheshin gati për të kryer një tjetër atentat ndaj Aleksandër Lahos i njohur si “Rumi i Shijakut”.
Përplasja mes grupeve kriminale në qytetin e Durrësit vitet e fundit po kryehet për shkak të tjetërsimit të pronave në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Prokuroria e Posaçme po i ruan “top sekret” informacionet për këtë ngjarje pasi kanë dyshime se këta persona janë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale.
Gjatë zhvillimit të seancës në Gjykatën e Posaçme, 5 personat e arrestuar kanë mohuar kategorikisht që të jenë të përfshirë në këtë ngjarje. Gjithashtu Bashkim Haxhija i ka bërë me dije gjykatës që në atë kohë ai ka qenë në qeli për një tjetër ngjarje.
Por në njoftimin e SPAK thuhet se janë dokumentuar me prova veprimet që kanë kryer 9 të dyshuarit para gjatë dhe pas atentatit të 1 Nëntorit të 2019. Gjykata konfirmoi sot masën e sigurisë arrest në burg për Bashkim Haxhija, Marsel Decka, Endrit Sinani, Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku dhe Juljan Pjetrin.
Në kërkim për këtë ngjarje janë shpallur 4 persona, mes tyre Plarent Dervishaj, i cili ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe.