Politike 2 Dhjetor 2022, 21:24

Dosjet për Metën/ SPAK hetime me ritme të ngadalta, heziton të marrë në pyetje çiftin e Partisë së Lirisë

Shkruar nga Pamfleti
Dosjet për Metën/ SPAK hetime me ritme të ngadalta, heziton

SPAK nuk do t’i thërrasë çiftin Meta derisa autoritetet e huaja t’u përgjigjen për ç’ka Prokurorët e Posaçëm kërkojnë, si mbi dyshimet për lobimin 700 mijë dollarësh, ashtu edhe për trajtimet estetike të familjes.

Zyrtarisht grupi i hetimit i tha Top Channel se prokurorët në Tiranë prej shtatorit  janë në pritje të 5 letërporosive dhe sipas grupeve të investigimit, kjo është arsyeja se përse hetimet kanë ngecur duke mos vepruar me thirrjen e dy politikanëve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Njëri, ish-president dhe aktualisht kreu i Partisë së Lirisë dhe e dyta bashkëshortja e tij, deputete në këtë parti.  Megjithë letërporositë e SPAK dërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austri, Itali, San Marino dhe Qipro, një tjetër dosje që nuk është bashkuar me këto çështje po shoqërohet ne sekuestrime shkresore pas denoncimit të gazetarit Doçi për kompaninë koncensionare, e cila kishte monopolin e kolaudimit të mjeteve në Shqipëri dhe që sërish dyshohet për afera.

Hetimet në të gjitha rastet po kryhen për korrupsion dhe pastrim parash. Por deri më tani, përpos kallëzuesve, ish-deputetit Halit Valteri, avokatit Idajet Beqiri dhe gazetarit Adriatik Doçi gazetar, askush tjetër nuk e ka kaluar pragun e SPAK dhe ende nuk është thirrur për t’u pyetur. Meta u vu në shenjestrën e SPAK në qershor kur ish-deputeti Valteri  dorëzoi prova që vinin në diskutim penal kontratën me një kompani guaskë për të lobuar fotografimin me presidentin Donald Trump.

Për pak kohë teksa po përfundonte mandatin e presidencës, kallëzimi tjetër erdhi nga Beqiri njëherazi edhe kreu i Partisë Uniteti Kombëtar që kishte në fokus  zonjën Kryemadhi. Denoncuesi kërkoi hetime mbas akuzës se shpenzuan gati 280 mijë euro për trajtime estetik. Për këtë, avokati  i referohet edhe një transferte, datë 4 qershor 2018 të kryer nga një llogari anonime nga një bankë në Qipro. /Top Channel

Politike Kryemadhi mete SPAK