Aktualitet29 Maj 2022, 12:45

Dossier/ Dom Nikollë Kaçorri, strategu i harruar i pavarësisë së Shqipërisë; një apostull i lartë i shqiptarizmës

Shkruar nga Pamfleti
Dossier/ Dom Nikollë Kaçorri, strategu i harruar i

Dossier/ Dom Nikollë Kaçorri, strategu i harruar i pavarësisë së Shqipërisë; një apostull i lartë i shqiptarizmës

Dom Nikoll Kaçorri ka lindur në Krejë të Lurës në vitin 1862, në një familje babai i së cilës ishte katolik, ndërsa nëna i përkiste besimit musliman. Dom Nikollë Kaçorri mund të ketë qenë i vetmi prift katolik që festonte Pashkë e Bajram.  Siç është traditë për ata që duan të bëhen priftërinjë në Kishën Katolike, edukata e tij kishte për bazë studimet teologjike dhe në vitin 1884 mbaroi studimet filozofiko–teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Me kalimin e kohës kryen shkollën e rregullt të gërshetuar me kulturë të lartë perëndimore, duke mbaruar studimet në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera. Dom Kaçorri ka shërbyer si sekretar i Arkipeshkvisë së Durrësit, me qendër atë kohë në Delmnisht të Kurbinit, duke pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Ai është firmëtari i dytë i Deklaratës së Pavarsisë pas Ismail Qemalit dhe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.  Më vonë, numri dy i qeverisë shqiptare të posa formuar është emëruar famullitar në Durrës. Dom Nikoll Kaçorri ka ndërruar jetë në sanatoriumin Würth, në Vjenë të Austrisë, më 29 maj të vitit 1917, pasi kishte vuajtur tre-katër muaj nga një sëmundje e rëndë. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në varrezat  Zentralfriedhof të Vjenës. Ai është një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarsisë.

Prandaj me 29 maj kujtojmë këtë burrë të madh të kombit në përvjetorin e kalimit të tij në amshim — të Dom Nikollë Kaçorrit, priftit e patriotit shqiptar, ikonës së Pavarësisë së Shqipërisë, njërës prej figurave kryesore të lëvizjes kombëtare për pavarësi të shqiptarëve nga pushtuesi otoman. Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912, dom Nikollë Kaçorri, qe një personalitet i spikatur i Kishës Katolike të Shqipërisë, me detyra dhe misione të ndryshme në shërbim të Kishës dhe të Atdheut. Ai dallohej si një atdhetar i flaktë, që shkriu jetën për liri e pavarësi të popullit e vendit të vet, por ai la gjurmë edhe si një intelektual i madh që dha kontribut të vyer në afirmimin e vlerave kulturore, fetare dhe patriotike të kombit shqiptar, në përgjithësi.  Në një homazh të veçant kushtuar Dom Nikollë Kaçorrit, me këtë rast, Radio Vatikani (RV) shprehet se, “Atdhedashuria dhe ndjenja e lartë e patriotizmit, e shtyjnë Imzot Nikollë Kaçorrin që gjatë viteve 1910-1912 të bëhej drejtues i zjarrt i kryengritjes së Kurbinit me arritjen finale e sublime, të 28 Nëntor-it 1912, kur ai u gjënd në krah të Ismail Qemalit, në ngritjen e Flamurit në Vlorë.  Megjithëse prift, për interesat e Kombit e të Atdheut, dom Nikollë Kaçorri nuk tërhiqet edhe mbas atij çasti të lavdishëm për detyrat e tjera që ja kërkon interesi i popullit dhe Atdheut, ndërsa emërohet nën-kryetar i Qeverisë së parë shqiptare”.

Ai merr pjesë në shumë kuvende kombëtare, sidomos ndër ato për arsim-kulturë dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Ishte pjesëtar në Kongresin e Manastirit dhe përkrahës për hapjen e normales së Elbasanit. Gjithmonë gjëndej aty ku e kërkonte interesi i Atdheut. Por më në fund, largohet burrërisht prej detyrave dhe tërhiqet nga politika, vetëm atëherë kur, me ndërgjegjen e tij të pastër sheh e kupton se në  politikën e asaj kohe kishte papastërti e mos sinqeritet që rrezikonin fatet e popullit e të Atdheut të tij të dashur. Burrërisht, në rrezik e në pjesëmarrje në mbrojtje të interesave të Atdehut edhe më burrërisht kur vendosë të largohet nga politika, dom Nikollë Kaçorri mbetet përgjithmonë një figurë e shquar e Rilindjes shqiptare kombëtare, thuhet në komentin e RV.

Ndërroi jetë në Vjenë më 29 maj të vitin 1917, pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 55 vjeçare. Në muajin shkurt të vitit 2011, eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit u këthyen në Atdhe, dhe me një ceremoni solemne, aty në Kishën e Shën Luçisë në Durrës ku ai kishte shërbyer për 30-vjetë, u rivarrosen eshtrat e tij në vendlindje, 94-vjet pas vdekjes.  Me atë rast, i ndjeri Imzot Rrok Mirdita, në atë kohë, Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij gjigandi të Kombit shqiptar.  Ndonëse kanë kaluar 10-vjetë, fjalimi i Imzot Rrok Mirditës është një thirrje për reflektim edhe për aktualitetin e sotëm shqiptar politik, shoqëror dhe akademik. Dihet se emri i dom Nikollë Kaçorrit nuk ishte aspak i preferuar gjatë periudhës së komunizmit duke mos i dhënë vendin që meriton në historinë e Kombit — fatkeqësisht, as atëherë as sot — këtij kleriku katolik — në panteonin e figurave më të shquara të kombit shqiptar, prandaj mendova se është me vend që të ta kujtojmë Dom Nikollë Kaçorrin – në këtë përvjetor të kalimit në amshim – nepërmjet fjalëve të të ndjerit Mons. Rrok Mirdita:

*Në këtë përvjetor të vdekjes, ju sjellim pjesë nga fjalimi i të ndjerit Imzot Rrok Mirdita me rastin e këthimit dhe rivarrimit të të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011:

…”Sot kemi para nesh mbetjet mortore të një burri të madh të Kombit tonë, që gjatë tërë jetës ka kërkuar një Atdhe të lirë dhe i cili ka vdekur në tokë të huaj. Imzot Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel. Së pari, sepse ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të prisnin më për t’u çliruar nga sundimi i gjatë osman dhe kjo bindje e ka shtyrë atë të angazhohej për të përgatitur mendërisht, kulturalisht dhe politikisht, popullin shqiptar për shpalljen e pavarësisë në Nentor të 1912. Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin që ishte nisur nga Trieste për të shpallur “Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u vu re se shpallja e pavarësisë në Durrës vihej në rrezik për shkak të pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar nga pretendimet serbe dhe greke, (Dom Nikollë Kaçorri) bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni drejt Vlorës.  Së treti, sepse në Vlorë jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit dhe ishte ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së pavarur, por u bë edhe zëvendëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron në themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të këtij themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet, gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të banojnë në një godinë të lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që i historisë sonë të hershme dhe të vonë — me motivin e vetëm — që kujtesa historike kombëtare të bëhet një thesar i çmueshëm në Shqipëri të fillojë të bëhet me vërtetësi, dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi nga i cili të mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë së shkuar, pa llogaritur pastaj shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon si një perde e errët në horizontin e shpirtit të Kombit, prandaj është detyrë jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari, të japë ndihmesën e vet për ta shthurur fije për fije këtë perde…”

 “…Pas shpalljes së pavarësisë, (Dom Nikollë Kaçorri) gëzoi vetëm për dy vjet shijen aq të dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi Qamilit jo vetëm që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvendëskryeministër, por i dogji atij edhe shtëpinë në Durrës, duke e kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të pasura të Shqipërisë së asaj kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas rrëzimit të qeverisë së Ismali Qemalit, largohet nga Shqipëria për në Austri dhe atje vdes pas pesë vjetësh, për t’u lënë në harresë.  Harresa, megjithatë, nuk rëndon mbi të, por mi historinë tonë…”.

“Sa herë që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se në politikë hyhet për të fituar, ose, edhe më keq, për të përfituar. Fatkeqësisht, historia e shtetit tonë, që, pas pak më shumë se një viti, mbush njëqind vjeç, është e mbushur me shembuj të një politike të ushtruar e të kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht, jo vetëm forcat e Haxhi Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe tranzicioni i stërzgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës së kuptuar, si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton se në politikë hyhet jo për të marrë, por për të dhënë…”.  Imzot Kaçorri, i mbrujtur me fjalën e Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë jo për të marrë, por për të dhënë dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe famën e emrit të vet. Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë famë, që të jetë model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët që kërkojnë frymëzim për vizionin e tyre politik…”.

“…Deri më sot historia e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë që ai i ka dhënë vendit tonë, por ky fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu në emrin e besimit, sepse e dimë se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që Zoti të shpërblejë me lavdinë qiellore të gjitha vuajtjet e tij. Amen.”

(*Lexuat pjesë të fjalimit të ndjerit Imzot Rrok Mirdita me rastin e këthimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011.)

Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të Dom Nikollë Kaçorrit kjo është edhe dëshira ime dhe besoj e gjithë shqiptarëve vullnetmirë, që Zoti i Gjithëfuqishëm t’ia shpërblej të gjitha kontributet historike të Dom Nikollë Kaçorrit dhe njëkohësisht ai të ketë, eventualisht, edhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh se si janë sjellur me të bashkakombasit e tij dhe si e ka trajtuar atë historiografia marksiste sllavo-komuniste,  por edhe harresa sot e këtij burri të madh të Kombit shqiptar nga historiografia e këytre 30-viteve post-komunizëm!

Mbetet për tu parë se si Akademia e Shkencave e Shqipërisë do ta trajtojë figurën historike të Dom Nikollë Kaçorrit në të ashtuquajturin, “botimin e veprës madhore “Historia e Shqiptarëve”, të njoftuar kohët e fundit. Duke pasur parasysh bindjet ideologjike — të shfaqura publikisht me gojë kohët e fundit dhe me shkrimet e tyre gjatë dekadave — të disa prej këtyre antarëve aktualë të Akademisë Shqiptare e gjejë shumë të vështirë të bindëm dhe të jem optimist se diçka për mirë do të ndryshojë.  Në atë Akademi ende ka “historianë” të cilët lëvizjen kombëtare të fillim shekullit të kaluar — periudhën pra kur jetonte dhe vepronte edhe Dom Nikollë Kaçorri – e kanë trajtuar sipas “konceptit marksist”, bazuar në veprat e Leninit dhe të Stalinit.  Prandaj, nëqoftse më lejohet të parafrazojë fjalët e Imzot Rrok Mirditës me rastin e rivarrimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit 10-vjet më parë në Durrës, harresa historike për arsye ideologjike e të tjera — me të cilën ju e kini mbuluar gjatë dekadave personalitetin dhe kontributin e Dom Nikollë Kaçorrit — nuk rëndon mbi të, por mbi ju dhe fatkqësisht edhe mbi historinë e Kombit shqiptar./ Frank Shkreli

“I ndyer prift shqiptar, atdhetar i rrallë ! Ti ishe i zgjedhur prej klerit katolik të ndritur, të cilit Kombi shqiptar aqë përparim i a di për të mirë. Urtësia, gjakftohtësia, frika ne Zoti dhe trimërija Jote përbënin karakterin tënd të thjeshtë shqiptar.

Tufa shqiptare intelektuale, e cila kishte fatbardhësinë me Të pasë në mest të saj, ndillte gjithmonë fuqi dhe shpresë prej energjisë Tënde të palodhur, edhe në kohërat më të rrezikshme. Ҫdo armiku të Kombit tonë i nxore Ti parzmin përpara, kurdoherë gati Të bëhesh theror, si bariu i mirë për grigjën e vet. Të pashkruara janë vojtjet e Tua edhe rreziqet që në kohët e djalërisë Tënde për realizimin e idealit Tënd të lartë, të cilin e përbënte liria, shdrivillimi dhe qytetërimi i Kombit t’onë shumëvojtës….”

Shkëputa këtë fragment nga fjala mortore, e mbajtur në Vjenë, plot njëqind vjet më parë, më 1 qershor 1917, në varrimin e Dom Nikollë Kaçorrit, që kishte ndërruar jetë aty, mbas një lëngate prej tre-katër muajsh në kryeqytetin austriak, e të botuar në gazetën “Vëllaznia”, të nesërmen e asaj dite.

Përbëjnë këto pak fjalë një portretizim të saktë të personalitetit të atij “prifti të ndritur dhe atdhetari të rrallë”, siç i pëlqeu t’a mbyllë përshëndetjen e tij mortore zotit B., fatkeqësisht i mbetur vetëm me këtë inicial në kujtesën e lidhur me përcjelljen e fundit të famullitarit shtetar, ish Nënkryetarit të Qeverisë së parë shqiptare të Shtetit të parë shqiptar.

Vjena, vëndi i prehjes së tij trupore, ishte kryeqendra e një Perandorie, e cila ndërthurej shpesh me fatet e Shqipërisë, pjestare e Perandorisë Otomane, por edhe me atë të priftit nga Lura, i cili, në sajë të veprimtarisë së dëndur atdhetare, u bë një nga përfaqësuesit më të spikatur t’asaj pjese të klerit katolik, që ishte vënë në ballë të lëvizjes intelektuale të Rilindjes shqiptare, e cila synonte ringjalljen e Kombit. Jeta e tij tokësore qe e shkurtër, nuk arriti as në gjysmën e qindvjetit, por qe e mbushur me përpjekje, mund, punë të palodhur në shërbim të misionit të tij si meshtar katolik në përkujdesin për “grigjën e Krishtit”, i së cilës ai ishte një bari i zellshëm. Krahas këtij misioni, të marrë përsipër që në bangat e Propaganda Fide-s, ku studjoi e u shugurua prift në moshën 22-vjeçare, Dom Nikolla i kushtoi një pjesë të mirë të zotimit të tij vetiak e shoqëror edhe problemeve të shumta e të ndërlikuara të Atdheut.

Krahas figurave të tjera të shquara të klerit katolik shqiptar si Fishta, dy vëllezërit Mjeda, Gjeçovi, Marlaskaj, Shantoja etj. që, veç detyrës së predikimit të fjalës së Zotit, dhanë ndihmesën e tyre themelore edhe në jetën kulturore, politike e shoqërore të Kombit, Kaçorri u shqua jo vetëm si “bari shpirtërash”, por edhe si një shqiptar shumë i mirë, për të cilin dyshja “Fe e Atdhe”përbënte besojmën më të lartë të qënies së tij. Ata dy koncepte ishin të pandara në gjithë veprimtarinë e tij jetësore në shërbim të Vendit të tij.

Nuk kishte asnjë kundërshti mes atyre nocioneve në formimin dhe forcimin e personaliteteve vepruese të klerikëve shqiptarë. Misioni i parë i tyre ishte zgjedhja që kishin bërë për të qënë “shërbëtorë të Zotit”. Krahas kësaj zgjedhjeje, rrethanat historike e shoqërore urdhëronin ndihmesën e tyre në veprimtarinë kulturore e arsimore, herë herë edhe n’atë politike. Trajtimi i këtyre figurave vetëm në këndvështrimin e fundit e gjymton të vërtetën historike dhe cungon paraqitjen e personaliteteve të tyre.

Në një jetë normale e në Vende të stabilizuara, prelatët e kishës zakonisht nuk hyjnë në jetën politike. Shqipëria e shekujve të pushtimit otoman ishte një Vend në të cilin fëmijët ishin të dënuar të mos mësonin në gjuhën e tyre. Për pasojë, edhe vetë brumosja e tyre me vlerat kulturore të popullit të tyre ishte një mundësi e mohuar. Shqiptarët, në ndryshim nga të gjithë popujt e tjerë të siujdhesës ballkanike, deri në dhjetëvjetëshin e fundit të pushtimit të gjatë otoman, e kishin të ndaluar të kishin shkollat e tyre në gjuhën shqipe. Ideja e kombit pësonte kështu një goditje vdekjeprurëse me faktin se qytetarët shqiptarë nuk kishin gjuhën e tyre të shkruar dhe mejtepet e Turqisë, krahas mësimit të gërmave turke e leximit të kuranit arabisht, mundoheshin të ngulisnin në mëndjen e fëmijëve të tyre idenë se i përkisnin Kombit të madh otoman. Do t’ishte mirë të mbahej parasysh fort kjo e vërtetë e hidhur historike nga të gjithë ata, që sot mëtojnë t’a paraqesin pushtimin otoman si ujë trëndafili e “shpëtimtar” për shqiptarët e, në bazë të këtij koncepti, të rishkruajnë historinë tonë.

Përballë atij realiteti dramatik, të gjithë njerëzve të shkolluar ju binte për detyrë të merrnin përsipër edukimin e fëmijëve në gjuhën e tyre e me vlerat e popullit të tyre. Kësaj detyre nuk i u shmangën kurrë, në gjysëm mijëvjeçarin otoman, klerikët katolikë. Prirja e historiografisë dhe kritikës komuniste, për të veçuar personalitetin fetar të meshtarit nga veprimtaria e tij atdhetare, madje për t’i vënë në kundërshtim me njëri tjetrin, është një përpjekje e dështuar për të shtrembëruar të vërtetën historike. Habit fakti se edhe në ditët tona, kur nuk ekziston më çensura e rreptë e realizmit socialist, hasim ide dhe interpretime të kësaj natyre. Duke marrë një shëmbull të thjeshtë nga një vepër mjaft e vlefshme e historiografisë së viteve të fundit, hasim në një pohim të tillë, sa i përket personazhit të famullitarit të Durrësit :

 “Këtë na e thotë një nga nxënësit e tij, Agustin Serreqi, i cili shkruan në kujtimet e veta, se në shkollën e Durrësit, Nikoll Kaçorri “ishte i pari që na kalli në zemër atdhedashurinë”. Si rrjedhim, ndonëse prift, ai e trajtoi shkrimin shqip jo si vijë përçuese të ideologjisë fetare, ashtu siç e dëshëronte Vjena, por si një mjet, që do t’a çonte Vendin drejt përparimit dhe popullin shqiptar drejt bashkimit në luftë për lirinë e Atdheut.”

Një pohim i këtillë, jo vetëm që është i prirur kundër fetar, por as nuk i përgjigjet së vërtetës historike, mbasi dihet botërisht se Austro – Hungaria ka qenë mbrojtësja zyrtare e katolikëve shqiptarë gjatë periudhës otomane, financuese e shkollave katolike dhe Vendi ku u shkolluan një shumicë të rinjsh shqiptarë. Madje nuk duhet të harrojmë se qe konti Bercthold, ministri i Jashtëm i Perandosisë, që i kërkoi me ngulm Syrja Bej Vlorës që në qytetin e tij të shpallej Pavarësia e plotë e jo një autonomi, siç ishte projekti fillestar i kryengritjeve shqiptare dhe i Etërve themelues.

Në veprimtarinë e tij mësimore e atdhetare, famullitari i Durrësit do të përballej me synimet kundërshqiptare të dhespotit grek e të mytesarifit turk, që nuk donin të pranonin n’asnjë mënyrë mundësinë e krijimit të Shqipërisë së pavarur e të shkëputur nga ndikimi filogrek i Patriarkanës së Stambollit. Një vështrim tejet i rëndësishëm i kësaj përballjeje ishte dhe pozicionimi i Dom Nikoll Kaçorrit në dobi të shkronjave latine për alfabetin shqiptar.

Qe një betejë e ashpër dhe e gjatë që vuri në lëvizje të gjithë jetën intelektuale shqiptare n’Atdhe, por edhe në kolonitë shqiptare të Misirit, Sofjes, Bukureshtit, Stambollit, SHBA, e veçanërisht studentët shqiptarë në kryeqytetin e Perandorisë. Në këtë betejë famullitari i Durrësit pati rol parësor, një rol që i u njoh hapur nga bota intelektuale shqiptare në Kongresin e Manastirit. “Shprehja e respektit që gëzonte Kaçorri, bëri që mes 50 delegatëve e 200 të ftuarve n’atë Kongres, të përzgjidhej si më i spikaturi dhe më i veçanti për të hapur Kongresin me fjalën e tij përshëndetëse.”

Hapja e Kongresit prej tij në prani të ajkës së inteligjencës shqiptare, tregonte jo vetëm konsideratën e lartë që gëzonte te bashkatdhetarët e tij, por edhe shtatin moral e intelektual të tij. N’atë Kongres që vendosi shkronjat latine në shqipen e shkruar, në të cilin u shfaq për herë të parë në kohët moderne vullneti i shqiptarëve për t’anuar nga Evropa në t’ardhmen e tyre “Dom Nikollë Kaçorri në ligjëratën e tij deklaroi gëzimin që ndjente, duke parë të mbledhur aty gjithë ata shqiptarë të ardhur, për të hedhur themelet e një bashkimi dhe vëllazërimi.”

Bashkimi i shqiptarëve, shkrirja e prirjeve të tyre vetiake e, herë herë anarkiste, në hullinë e përbashkët të vlerave të Kombit e të projektit të s’ardhmes së tij evropiane qe filli i artë që përshkoi gjithë jetën e veprën e meshtarit lurian. Në jetën shoqërore u bë ky problemi që shqetësoi më shumë Kaçorrin dhe i vuri vulën e vet gjithë përpjekjeve të tij të shumanëshme, që shtriheshin në të gjithë hapësirën shqiptare të kohës. Ai ishte njeriu që, në kundërshtim me drejtimin që i detyronte misioni i tij kishtar, merrej drejt për drejt me furnizimin me armë të kryengritësve malësorë që në vitet 1905 – 1907, u ngritën në mbrojtje të venomeve të hershme që u siguronin mos pagimin e taksave e mbajtjen e armëve.

Kaçorri ishte për ta jo vetëm kujdestari i paisjes me armë, por edhe pika e tyre e riferimit, njeriu me shkollë që bëhej zëdhënësi i kërkesave e i të drejtave të tyre. Si i tillë ai ishte gjithmonë në kontakt me diplomacitë e huaja, kryesisht austro – hungareze, të cilave i shpjegonte me fakte të gjalla përndjekjen e rëndë  të kryer nga ushtritë turke në dëm të popullsive civile të Kurbinit. Madje ishte dora e tij, që shkruante parashtresat e malsorëve, drejtuar 7 konsujve të huaj në Shkodër, me anën e të cilave kërkohej një garanci për tërheqjen e ushtrisë turke nga territori i tyre.

Ideali i bashkërendimit të vullneteve shqiptare në dobi të idesë së Shtetit të pavarur të tyre, shfaqej hapur në të gjitha kuvendet ku ai merrte pjesë. Veç Manastirit shihet në Kuvendin e Elbasanit dhe në mitingun e madh të Durrësit, ku u vendos krijimi i klubit “Bashkimi”, që do të kishte një veprimtari, tejet të frytëshme për çështjen shqiptare. N’atë tubim ai do të përfundonte fjalën e tij të zjarrtë me urimin “që të ecim përpara me shpresën e besimin tek Zoti, përkrah njëri tjetrit e me shpirt të pastër”.

Ai urim, sa i përkorët në fjalë, aq i thellë e largpamës në përmbajtjen e tij, ishte një përmbledhje e ndritur e vetivet që i nevojiteshin shqiptarëve për të projektuar t’ardhmen e tyre. Ende sot, mbas më shumë se një shekulli të shqipërimit të tyre, ne shohim në të aftësitë profetike, sepse ende nuk arrijmë t’i vemë në jetë, na mungon dëshira për të qëndruar krah për krah e, mbi të gjitha, na mungon shpirti i pastër. Shpirtin e kemi ngarkuar me mëkate të rënda si vllavrasja dje e turravrapi mbas interesit vetiak në dëm t’atij të përgjithshëm, i shoqëruar me mjetet e metodat më të shëmtuara në ditët e sotme.

Rruga e Shqipërisë nuk ishte aspak e lehtë. Pushtimi i gjatë turk kishte ende ndikimin e tij të fuqishëm në mendësinë e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Shumica e tyre nuk donin as autonominë, e Kaçorri provoi dhimbje në zemër, kur pa qindra vetë të shkatërronin ndërtesën e Klubit “Bashkimi” e të hidhnin gurë mbi atë të famullisë së tij. Ishin ata që bërtisnin “Nuk duam shqipen”, që më vonë do t’i suleshin shtëpive ku mësohej gjuha shqipe e kur Evropa caktoi një Princ gjerman si Kryetar Shteti të Shqipërisë, mbushën taborret e rebelëve të Haxhi Qamilit e të Musa Qazimit që luftonin për “Babën” e Dovletin, deri në ikjen e Princit e , së bashku me të, edhe të perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Ishte ajo lëvizje mbrapakthyese, të cilën historiografia komuniste do t’a lëvdonte për gjysëm shekulli, duke e paraqitur si fitore të “masave fshatare” e si “embrion i revolucionit popullor”, paraprijës i komunizmit që përcaktoi negativisht që në lindje fatin e Shqipërisë. Shëmbëlltyrat e atyre që gjuanin me gurë famullinë e Dom Nikoll Kaçorrit, do t’i shihnim dhjetëvjeçarë më vonë të luftonin besimin tek Zoti si objektivin kryesor të veprës së tyre. Ishin po ata, që në mesin e viteve 60 do të shembnin objektet e kultit, apo do t’i kthenin ata në depo, stalla, apo në rastin më të mirë në pallate sporti.

Dom Nikoll Kaçorri u arrestua dhe u dënua me katër vjet burg, të pakësuara në dy nga Gjykata e Diktimit e Stambollit, sepse kishte çuar armët tek bashkatdhetarët e tij, që luftonin në trojet e tyre kundër ushtrisë turke. Tridhjetë e pesë vjet më mbrapa “çliruesit” e Shqipërisë fusnin armët fshehurazi në qelat e kishave të Shkodrës dhe dënonin me vdekje disa prej krerëve të Kishës katolike, duke i paditur për atë veprim. Një krahasim i thjeshtë ndërmjet këtyre dy fakteve, na bën të përsiasim thellë mbi rrugën e mbrapshtë të ecjes sonë në shekullin që shkoi, deri në pranimin e një sistemi që nuk kishte të ngjajshëm në historinë tonë, një sistem që ende adhurohet nga gjysma e bashkatdhetarëve tanë.

Dom Nikoll Kaçorri ishte një shtetar largpamës. Në tetor 1912, një nga periudhat më kritike e më vendimtare për fatin e Shqipërisë, prifti nga Lura ishte në qendër të të gjitha përpjekjeve të atdhetarëve shqiptarë për autonominë e kërkuar prej kryengritjeve, të cilat kishin pushuar, si pasojë e marrëveshjes së Shkupit ndërmjet të dërguarit të qeverisë turke, Ibrahim Pashës dhe udhëheqësve kosovarë. Por gjendja u ndërlikua shumë me fillimin e luftës ballkanike, e cila vinte në rrezik tërësinë tokësore të Shqipërisë autonome. Në këta çaste tepër të vështira duhej mëndjemprehtësi e guxim të ndryshoje kahun e vijës politike të ndjekur deri atëherë. Dom Nikolla dëshmoi me fakte se i zotëronte ato cilësi e qëndrimi i tij anoi nga mbrojtja e interesave të vërteta të Shqipërisë. Studjuesi Hajredin Isufi, në librin e tij “Feja dhe Flamuri”, tregon një episod shumë domethënës për aë qëndrim. Në faqet 315 – 316 të veprës së tij lexojmë :

“ Në këtë kohë, rreziku me të cilin përballeshin shqiptarët ishte agresioni sërbo – malazez dhe propaganda malazeze tek fiset e malësorëve katolikë që të mos i ulnin armët kundër forcave turke…. Dom Nikollë Kaçorri, sipas një raporti të konsullit të Vjenës në Durrës, ishte mes fiseve katolike të Bregmates për t’i bindur ata që të luftonin përkrah forcave qeveritare, duke i furnizuar edhe me 400 pushkë e me municionin përkatës që ishin marrë nga depot e armatimit të Lezhës.

Dom Nikollë Kaçorri nuk e kishte dhe aq të lehtë, kur u drejtohej krerëve të fiseve dhe malësorëve që t’i ulnin armët kundër Turqisë, kur për vite me rradhë u kishte folur atyre të rroknin armët kundër atij tirani shekullor. Ai tani ishte i bindur për propagandën që bënte, se s’kishte rrugë tjetër, duke i qëndruar besnik tezës se më mirë nën një fuqi si Turqia që kishte marrë rrokullimën se sa Shqipëria të copëtohej mes shteteve shoviniste…..”

Autori Isufi e përshkruan thjesht e bukur mundin e sfilitjen shpirtërore të pjesës përparimtare të nacionalizmit shqiptar, në të cilin Kaçorri ishte një nga përfaqësuesit e rëndësisë së parë, kundrejt një gjëndjeje të re e të paparashikuar, tepër të rrezikshme për t’ardhmen e Shqipërisë, asaj të pushtimit të trevave të gjëra me popullsi shqiptare. Ishte një gjëndje që vinte në diskutim gjithë punën e tyre në 7-8 vitet e fundit e ngrinte pikëpyetje që ende sot, mbas më shumë se njëqind vjetësh, nuk kanë marrë ende përgjigje të prera e të sakta : A ishin të shëndetëshme për Shqipërinë kryengritjet kundër Turqisë n’ata vite?; A mos ndikuan ato në dobësimin e fuqisë ushtarake të Turqisë, e cila nuk ishte më në gjëndje t’i bënte ballë pushtimeve të territoreve shqiptare nga ana e Serbisë, Malit të Zi e Greqisë?; Deri ku arrin përgjegjësia e jonë në pamundësinë për të mbrojtur trojet tona n’ata vite, pamundësi që përcaktoi gjithë historinë tonë nga 1913 deri në ditët e sotme ?

Një përgjigje të shkurtër u dha, mbas tridhjetë vitesh, një mik i ngushtë i Dom Nikollë Kaçorrit, Mustafa Kruja, sekretar organizativ i kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, në fjalën e tij si Kryeministër i Shtetit të bashkuar shqiptar në tubimin e Prizrenit, më 1 korrik 1942 : “Por duhet t’a pohojmë burrnisht, or vllazën, e t’a kemi gjithmonë para sŷsh se gjaku i ynë i derdhun në 1912, vlejti jo né për lirinë qi kërkojshim, por anmiqvet t’onë për nji robní të këtyne viseve mâ të zezë se ajo e para. Sërbët, qi i ranë mbë shpinë, bashkë me besatarët e vet, ushtrís turke të dërmueme prej nesh, thanë se Kosova ishte e tyne, mbasi këtu kishin luftue dikur e lânë kryet e Car Lazarit.”

Historia është një mësuese e madhe e shpesh nxënësit e saj i kuptojnë me vonesë leksionet e saj. Kështu edhe Mustafa Kruja, që në shtatorin e 1912-s kishte shkuar në Shkup së bashku me Abdi Toptanin e Markagjonin për të biseduar me krerët e Kryengritjes së Kosovës, i kishte qortuar ata për marrëveshjen e firmosur me të dërguarit e Qeverisë Otomane, mbas tridhjetë vitesh pranon haptas se strategjia e atyre viteve mund të kishte qenë e gabuar. Kjo sepse sulmi i paparashikuar nga ushtritë e fqinjve ballkanas sollën për Shqipërinë një gjëndje shumë herë më të rrezikëshme për fatet e saj se sa qëndrimi në suazën e Perandorisë Otomane.

Lidhur me Dom Nikollë Kaçorrin vlen të vihet në dukje një koment që i bën Mustafa Kruja rrahjes së mendimeve në grupin atdhetar që në tetor 1912, në qelën e famullitarit të Durrsit përpiloi një letër të shkruajtur prej këtij të fundit e të drejtuar Perandorit austro-hungarez Franz Jozefit. Letra ishte firmosur nga Dom Nikollë Kaçorri, Abdi Toptani, Mustafa Asim Kruja, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani dhe Sali Gjuka.[4] Në atë përkujtesë të shkruar, ndërmjet të tjerave thuhej : “…. Na duket se nji mretnië Shqyptare mban peshën jo vetëm të Ballkanve por edhe të gjith Shteteve t’Evropës e sidomos n’mujt m’u baa nji mretni e paanë mbas dishirit t’on sikurse Belgji e Svicera.”

Në komentin e tij Kruja vëren :

“Se ç’farë regjimi, ç’farë statuti me lypun për Shqipnín prej Mbretit t’Austrís, ka qênë bâmë objekt bisedimesh mjaft të gjata, ndonse jo t’ashpra ndërmjet ndënshkruesvet të ksaj letre. Dikush, sidomos i shkreti Salih Gjukë, njohës i thellë i popullit t’onë, kishte ngulun kâmbë se ky s’ishte edhe i pjekun për nji pavarsí të plotë e se prandej kishte nevojë për nji dorë sa të fortë aq’edhe dashamirë qi t’i prînte në hapat e para të jetës së tij të pavarme e t’a pruente kundra lakmís s’anmiqvet ; këtë dorë atnore ai e gjênte tek ai qi po i çohej lutja e propononte qi të kërkohej proja e Austro – Hungarís. Teza e kundërt ishte ajo qi fitoi e qi kishte për pështetës mâ të fortë nji prift katolik, mik të sinqertë të mbretnís austro – hungare, të ksaj projse të madhe të katolikve shqiptarë ndën regjimin turk : t’Emzot Kaçorrin. Situatë paradoksale do t’a quente këtê nji profan i shpirtit të nacjonalistit shqiptar t’atyne kohnave ; nji spektakull i mallëngjyeshëm idealizme të thjeshtë, të kulluet ishte në realitet.”

Pa marrë parasysh ndjenjat e respektit të thellë dhe të miqësisë që e lidhnin mësuesin krutan të gjimnazit të Durrsit me famullitarin e atij qyteti, arsyetimi i Kaçorrit në diskutimin e bërë nga të gjithë pjesëmarrësit është një leksion stili për të gjithë diplomacinë tonë që, në raste të tjera, ka patur jo pak lajthitje në kërkesat për protektorat nga Vende të tjera. Pavarësisht zhvillimeve historike, që i bënë të parealizueshme idetë e shprehura në qelën e Kaçorrit, në të spikat qartësia e mendimit dhe fryma e lartë atdhetare, që përshkonte mendimet e veprimet e tyre e që përbën një pasuri të çmuar për kujtesën tonë historike.

Në hullinë e atyre ideve e veprimeve ngjarjet u rrokullisën shpejt e para atdhetarëve shqiptarë u shfaq domosdoshmëria e shpalljes së Pavarësisë e krijimit të Shtetit shqiptar, larg përfytyresës së një shteti normal e të bashkuar, mbasi ushtritë sërbe, malazeze e greke kishin pushtuar ose kërcënonin pjesë jo të vogla të trojeve shqiptare.

Përballë kësaj gjëndjeje që e rrezikonte Shqipërinë të kthehej në vetëm “një shprehje gjeografike”, siç ishte shprehur njëzet vite më parë Kancelari Bismarck, jo vetëm si pasojë e mësymjes së fqinjëve, të cilët gjenin përkrahjen e Fuqive të Mëdha evropiane si Anglia, Franca e Rusia, por edhe pavendosmërisë e luhatjeve të mjaft qarqeve politike shqiptare, të lidhur mendërisht me Perandorinë otomane, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Syrja bej Vlora, e të tjerë atdhetarë të njohur, të nxitur edhe nga diplomacitë mike të Vjenës e të Romës, u zotuan tërësisht në shpejtimin e aktit të “Shpalljes së Mëvetësisë”.

Grupi nismëtar zbriti në Durrës ku “vendasit”, Dom Nikollë Kaçorri e Mustafa Kruja, u përpoqën në të gjitha mënyrat që t’a bënin qytetin simbol të lashtësisë shqiptare, qendrën e Shpalljes së Pavarësisë e kryeqendrën e Shtetit të ri të bashkuar. Por, me dhimbje të thellë, ata kuptuan se Durrësi mbetej ende prè e ndikimeve të huaja turke e greke, kryesisht, e populli i tij, me përjashtime të vogla, ishte refraktar ndaj idesë zotëruese t’atyre çasteve, asaj të Shqipërisë së pavarur. Nëpërmjet atdhetarizmit e besnikërisë së Hamit bej Toptanit e ushtarëve të tij të rojës, mundën të siguronin paprekshmërinë e grupit nismëtar dhe i u bashkuan atij në rrugën e vështirë drejt qytetit të Ismail Qemalit.

Shpallja e Pavarësisë nga Plaku i Vlorës qe edhe triumfi vetiak i veprës së Dom Nikoll Kaçorrit, këtij biri të përvuajtur të Lurës, këtij prifti katolik që kishte trokitur deri në dyertë e diplomacisë vjeneze, për një ndërmjetësim pranë Vatikanit, “që Selia e Shenjtë të dërgonte një qarkore tepër rezervate, në të cilën  të këshillonte një harmoni mes myslimanëve e katolikëve, e cila do të ishte mjaft e efektëshme”[5] Kuvendi kombëtar i Vlorës e nderoi Dom Nikollë Kaçorrin me emërimin në postin e Nënkryetarit të qeverisë së Përkohëshme. Epitetet “I urti” dhe “I dituri” ishin disa prej vlerësimeve që antarët e Kuvendit i vishnin atij. Në mbledhjet e Qeverisë fjala e Kaçorrit kishte një peshë të veçantë.

Kështu ndodhi edhe në mbledhjen e 17 dhjetorit 1912 “një mbledhje urgjente e Qeverisë për të analizuar shkallzimet e reja, që kishin marrë ngjarjet në Durrës e në Tiranë”[6] Ishte fjala për përndjekjet e ushtrisë sërbe ndaj popullsisë së Shqipërisë së Mesme, në zonat e pushtimit të tyre. Dom Nikolla, që ishte në kontakt të vazhdueshëm me bashkëpuntorët e tij në Durrës, porosiste nga Vlora që : “Populli dhe patriotët durrsakë të ruanin qetësinë, të forconin bashkimin dhe harmoninë me njeri tjetrin, të bashkëjetonin si vëllezër myslimanë e të krishterë” Aventurizmi i kotë dhe i pafrytshëm nuk bënte pjesë në mendësinë e tij, që kujdesej n’ata çaste tepër të vështira të pakësonte, sa më shumë t’ishte e mundur dëmet, sidomos në popullsinë civile.

N’atë mbledhje Kaçorri ishte shprehur në të njëjtën gjatësi vale të mendimit, duke vënë në dukje rrethanat fyese e poshtëruese në të cilat ndodhej popullsia e Shqipërisë së Mesme, si pasojë e sjelljes dhe qëndrimit të ushtrisë sërbe. “Kaçorri kishte theksuar se shqiptarët mezi e mbanin veten dhe, me sa dij un, kishte thënë Dom Nikolla, ishte Arqipeshkvi Bianki, që i kishte frenuar dhe mirë kishte bërë, sepse e kishte shpëtuar popullsinë e pafajshme dhe të paarmatosur nga një tragjedi e madhe e me pasoja në humbje njerëzish të pafajshhëm”.

Urtësia dhe barazpesha e Kaçorrit gjetën një spondë tek Kryetari i Qeverisë i cili, si diplomat kariere në Perandorinë Otomane, ishte i vetëdijshëm se në gjëndjen ku ndodhej Shqipëria, pa ushtri, pa armë, pa organizim kombëtar, me shumicën e truallit të saj të pushtuar nga veriu në jugë, pasurinë e vetme që kishte, jetën e qytetarëve, duhej t’a mbronte deri në fund, pa kaluar në veprime të nxituara, në dukje atdhetare, në fakt tepër të dëmshme për Atdheun. Kështu me ndikimin e Kryeministrit dhe të Zëvendësit të tij, u vendos që t’i besohej diplomacisë çështja shqiptare e të mos nxiteshin ndeshjet me armë, por të ruhej gjakftohtësia dhe durimi kundrejt ngacmimeve të përditëshme sërbe.

Durimi dhe veprimtaria diplomatike e Qeverisë pati përfundimet e saj, sepse me kërkesën e Austro – Hungarisë dhe t’Italisë, në pranverën e 1913-s u vendos  nga Fuqitë e Mëdha pranimi i Shtetit të pavarur shqiptar që, edhe se me kufij të cunguar, ishte një fitore mbasi detyronte Sërbinë të tërhiqte trupat e saj ushtarake nga Shqipëria. Idealisti Kaçorri shprehte bindjen në aftësitë e shqiptarëve për të shkuar përpara, në dhuntitë e tyre natyrore që në një Vënd të lirë do të bënin mrekullira. “Shqipëria pas çlirimit të saj (nga sundimi osman), do të zhvillohet me ritme t’atilla, sa që Evropa do të mbetet e habitur”.[9] Kështu shprehej ai në fjalën e tij mbas asaj të Ismail Qemalit, në hapjen e Kuvendit të Vlorës. Dhjetëvjeçarët pasues të shekullit e përgënjeshtruan priftin idealist, shqiptarët e habitën Evropën me egërsinë e vënies në jetë të komunizmit për një gjysëm shekulli, me paligjshmërinë zotëruese në një të katërtën tjetër të tij, por jo me zhvillimet e ekonomisë, që mbeti përjetë e fundit n’Evropë.

Për Qeverinë e Vlorës filluan menjëherë të përpjetat në rrugën e saj. Pjesa e territorit që kontrollonte ishte shumë e vogël, gjëndja financiare shumë e dobët. Në krahinat e pushtuara nga sërbët dhe grekët vazhdonte masakrimi i popullsisë, ndërsa ajo ishte e pazonja t’u vinte në ndihmë. Këtyre mungesave objektive të gjendjes i shtoheshin intrigat e Esat Pashë Toptanit që, për të kënaqur ambicjet e tij vetiake, sajonte gjithfarë gjërash për të hedhur baltë mbi Qeverinë dhe Kryetarin e saj. Përvoja e së parës Qeveri shqiptare të Shtetit të pavarur nuk qe aspak e këndëshme. Esat Pasha vinte duke fituar më shumë ndikim dhe e kërcënonte çdo ditë atë. Kryetari i Qeverisë dërgoi në Tiranë Abdi Toptanin dhe Mustafa Krujën, përkatësisht Ministër i financave dhe kryesekretar i Këshillit të ministrave, për të biseduar me pashain e Toptanëve. Edhe se kushuri e mik familjeje t’Esatit, ata nuk arritën t’a bindin atë të pranonte autoritetin e Qeverisë, në të cilën tashmë ai kishte funksionin e Ministrit të Mbrendshëm.

Prirja për të qënë ai i pari i shqiptarëve, ishte shumë e fortë dhe u kthye në një dramë të vërtetë kombëtare kur atë prirje e përkrahën shumë intelektualë të njohur si Faik Konica, Mithat Frashëri, Dervish Hima, Fan Noli, Abdyl Ypi etj. që mendonin të zëvëndësonin Kryeministrin e Vlorës me Pashain e Tiranës.[10] Paditë që i bëheshin Qeverisë së Vlorës ishin nga më të ndryshmet. Mjafton të lexohet shpallja që Pretoria e Durrësit i drejtonte popullit më 13 tetor 1913, që fillonte me këto fjalë :

“Shrregullimin qi ka shkaktue Qeveria e Përkohëshme e Vlorës në vênd, paligjsít e paudhsít e saja i din mbarë Evropa. Me gjithë këtê na shtrojmë para sŷve të kujdesshëm pikat qi vijojnë.

Në shërbim të sigurimit janë shti në punë shumë laro e gjaksorë dhe kështu ai përparim a ajo rregull qi kanë pritun shqiptarët prej regjimit të ri s’kanë mujtë m’u sendërtue e prandej gjithkush e ka humbun shpresën e besimin qi ka pasun n’atë qeveri.

Nëpunësit nuk janë zgjedhun prej njerzve të ndershëm e t’aftë dhe aqë sa ka qênë nevoja, por janë mbajtun në vênd zyrtarët e vjetër të regjimit turk dhe me rroga mâ të majme tue shkaktue rrenimin e bugjetit të këtij populli të vorfën për sod e nesër.

Deri tashti nuk âsht botue asnji dokument mbi t’ardhunat e të prishunat e Shtetit, populli âsht lânë në t’errët mbi këtë pikë e kjo punë e ka shtue mâ tepër mosbesimin e tij.

Qeverija e Vlorës quhet e Përkohëshme. Por me gjithë këtê s’i a ka pritue aspak me dhânë konçesione qi kanë të bâjnë me përtardhmen e kombit, me ekonomín e tij e me punët botore, tue shpërdorue në këtë mënyrë besimin e popullit. Nji Qeveri e përkohëshme s’ka të drejtë e kompetencë me dhanë konçesione…..” [11]

Ky ishte vetëm fillimi i Shpalljes së Pretorisë së Durrësit, një krijesë e Esat Pashës për t’i u kundërvënë Qeverisë së Vlorës, në të cilën mbante postin e Ministrit. I gjithë dokumenti është një lumë padish kundrejt Ismail Qemalit e Qeverisë së tij, edhe se ndonjeri prej atyre që fshiheshin mbas atij dokumenti, sapo e kishte lënë atë Qeveri. Ndoshta ka meritën të jetë i pari i llojit të tij në Shqipërinë e pavarur, që do të hapte brazdën e luftërave politike në gjirin e një populli që ishte sa një qytet i mesëm i Evropës. Ka qenë ajo luftë politike pa kufij e pa kritere  të drejta frenuesi kryesor i ecjes së çalë të Shqipërisë së pavarur. Mund të shërbejë si model i imituar shpesh deri në ditët tona, sa që duket i prodhuar sot në Shqipërinë e shekullit 21. Kishte në të një dozë të theksuar demagogjie e edhe nëse mund të kishte ndonjë të vërtetë në paditë që bëheshin, ajo humbiste vlerën nën lymin e diskreditimit që kishte si qëllim marrjen e pushtetit.

Si gjithmonë flitej në emër të popullit dhe interesave të tij edhe se sulmohej një Qeveri e cila nuk kishte më shumë se dhjetë muaj në detyrë, që kishte punuar e punonte mes njëmijë vështirësish, sepse voziste kundër rrymës, e koha nuk punonte për të. Duke mbajtur parasysh se, mbas atij dokumenti nuk qëndronte vetëm Esat Toptani, por edhe shumë prej njerëzve të respektuar edhe sot në historinë tonë, vlen të shihet me imtësi e sy kritik. Por historiografia e jonë nuk ndalet në të, i anashkalon sepse nuk ka kurajën të përballet me të vërtetën edhe mbas njëqind vjetësh. Në tërësi ai dokument më duket se është një dëshmi e dështimit tonë që në hapat e para të ecjes me këmbët tona dhe jo një shfaqje e një lufte të ndershme politike.

Në këtë lumë akuzash edhe Dom Nikollë Kaçorri ka detyrimisht pjesën e tij si numuri dy i Qeverisë, për ata më pak se pesë muaj qëndrimi në të. Ai kishte dhënë dorëheqjen më shpejt si pasojë e pakënaqësive kundrejt Kryetarit të tij, të cilit i u drejtua me një letër në fillim të marsit 1913. Studjuesi i vëmendshëm Hajredin Isufi, duke u ndalur në këtë aspekt, aspak të bukur, të marrëdhënieve mes krerëve të Qeverisë vëren : “Ftohja e Kaçorrit ndaj Ismail Qemalit arriti kulmin në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit 1913, kur pa një anije greke t’ankoruar në limanin e Vlorës dhe ekuipazhi i saj shëtiste nëpër rrugët e qytetit të Vlorës, sikur të ishte Vlora një qytet helen…”[12]

Teksti i letrës së Kaçorrit, drejtuar Ismail Qemalit, në të cilën ai jep dorëheqjen, më duket se nuk bind e se argumentat e shtjelluara në të janë krejtësisht të pamjaftueshme për të përligjur largimin nga detyra të Nënkryetarit të Qeverisë, n’ata çaste aq të vështira për fatet e Shqipërisë. Por megjithatë ai nuk u bë kurrë pré e lakmivet të Esatit. Ndryshimi ndërmjet tij dhe atyre që braktisën Vlorën për të përqafuar Durrsin, ishte se ai i mbeti besnik idesë së Vlorës. Edhe se jashtë qeverisë, ai mbeti gjithmonë në ballë të luftës për Princin evropian, që do të duhej të normalizonte, me ndihmën e Evropës, gjëndjen e mjeruar të Shqipërisë. Edhe se ai luftoi shumë për një Princ katolik, të cilin e quante më të përshtatëshëm për Atdheun e tij, përkrahu me të gjitha forcat Princ Ëiedin.

Në verën e vitit 1914 Kaçorri ishte njëri nga nismëtarët e themelimit të Lidhjes “Për Atdheun dhe Thronin” që kishte si qëllim “t’i shërbejë e t’i ndihmojë me këshilla e me mjete të tjera M.T. Mbretit e Qeverisë në përpjekjet e tyre, për shpëtimin e Atdheut nga trazimet e rrezikëshme në të cilat ndodhet sot.”[13]
“Lidhja do të qeveriset prej një këshilli 22 vetësh, Themelues të Lidhjes janë Z.Z. Imzot Kaçorri, Dr. Temo, Abdyl Ypi, Mustafa Kruja, Dr. Fahri Gjilani, Luigj Gurakuqi, Refik Toptani, Eshref Frashëri, Izet Zavalani, L.Logori, G.Jatro, Themistokli Gërmënji, Idhomeno Kosturi, Sejfi Vllamasi, Ahmet Dakli, Shefqet Dajiu, Kost Paftalli, Nuri Vila, G.Cilka, Kasneci, Syrja Pojani, Hasan Frashëri.”

Kjo Lidhje nuk pati jetë të gjatë, mbasi rebelimi i Haxhi Qamilit dhe Musa Qazimit e intrigat e Esat Pashës me të huajtë, bënë që Princ Ëiedi të mos kishte mundësi të qeveriste, por ishte një dëshmi e vullnetit kombëtar, nga Veriu në Jugë, për të ndihmuar veprimtarinë e Princit të Evropës. Dom Nikollë Kaçorri ishte i pari në listën e personaliteteve të njohura e më pak të njohura, që ishin zotuar të çonin përpara çështjen shqiptare, në marrëveshje me Evropën. Fatkeqësisht, fuqitë e së keqes, të përfaqësuara nga rebelizma, mundën të imponojnë përkohësisht vullnetin e tyre e rruga e Shqipërisë së pavarur u bë edhe më e përpjetë se ç’ishte, me fillimin e Luftës së Parë botërore e pushtimin e Vendit nga forcat ndërluftuese.

Famullitari i Durrsit u kthye përsëri në trojet e tij, në malësitë me popullsi katolike e myslimane, duke predikuar gjithmonë harmoninë e bashkimin mes tyre, ashtu siç mësonte Ungjilli i Krishtit dhe ideja e tij e funksionimit të Shtetit. Ai ishte thelbi i mësimit të prijësit legjendar të shqiptarëvet, Gjergj Kastriotit që, në çastet e fundit, me një tufë thuprash në dorë, i dëshmoi princërve të Arbërisë se bashkimi bën fuqinë edhe shpresën, ndërsa dasija nuk sjell tjetër veçse dobësi, humbje e nënështrim.

Ne sot përkujtojmë njëqind vjetorin e largimit të trupit të Dom Nikollë Kaçorrit nga jeta tokësore. Kthehemi me mendimin tek ai e përkëdhelim idenë se ai është ende mes nesh, ashtu i gjallë me fytyrën e pastër e ballin e lartë, me sytë e qeshur dhe mustaqet e hijshme, me veladonin e tij duke i u ngjitur maleve të Shqipërisë, për të shpënë atje fjalën e Zotit e bekimin e Tij për Shqipërinë. Por e përfytyrojmë edhe në tubimet e shqiptarëve, ku ai printe me fjalën e shtruar dhe bisedën e rrafshtë, me guximin e tribunit e me frymëzimin e shpresës në t’ardhmen, gjithmonë duke predikuar bashkimin e tyre, që mbetej për të gjithmonë ideja bazë e përparimit të Shqipërisë. E mbajmë të gjallë në sytë e mëndjes atë ditë fatlume të 28 nëndorit 1912, duke ngritur flamurin e Skënderbeut së bashku me Plakun e Vlorës e të tjerë burra idealistë, që u shkrinë për Atdheun si “qiriu” i Naimit.

Ne tani përkulemi me nderim para jetëve të tyre, ngremë sytë drejt qiellit e u lutemi shpirtërave të tyre, të na ndriçojnë përsëri me idetë e shëmbujt e tyre moralë, sepse kemi ende shumë nevojë për ato ide e për ata shëmbuj, sot më shumë se kurrë, kur duket se varka jonë e ka humbur busullën e drejtimin e duhur, sepse ka mbetur në dorën e piratëve, pa patur një kapiten  trim e të mënçur që t’a drejtojë në detin me shtrëngatë që na rrethon.

Urojmë e shpresojmë që Dom Nikollë Kaçorri, ky apostull i lartë i shqiptarizmës dhe i bashkimit të shqiptarëve, do të mbetet përherë gjithmonë i tillë në kujtesën tonë historike, sepse njerëz të tillë nuk kanë kohë të caktuar, ata kanë fituar përjetësinë.

Dossier #një apostull i lartë i shqiptarizmës #strategu i harruar i pavarësisë së Shqipërisë Dom Nikollë Kaçorri Dossier