Bota 5 Maj 2022, 08:04

Draghi: Italia mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të shkëputemi nga gazi rus

Shkruar nga Pamfleti
Draghi: Italia mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë

Draghi: Italia mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të shkëputemi nga gazi rus

Kryeministri italian, Mario Draghi deklaroi dje se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian nuk kërcënon ekzistencën e projektit të krijimit të një Europe të bashkuar. Në një fjalim të mbajtur dje në Parlamentin Europian, Draghi përsëriti qëndrimin e shtetit të tij pro-hapjes së bisedimeve për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai u ndal dhe te 4 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Serbi, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, për të cilat shefi i qeverisë italiane u shpreh se qeveria e tij dëshiron t’u japë një shtysë të re fazës së nisjes së bisedimeve po për anëtarësimin në BE. “Integrimi i plotë i vendeve që shfaqin aspirata evropiane nuk përfaqëson një kërcënim për ekzistencën e projektit evropian. Përkundrazi, është pjesë e realizimit të tij. Ndaj, Italia mbështet hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duam t’i japim një shtysë të re negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi dhe të sigurojmë vëmendje maksimale për pritshmëritë legjitime të Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës”, u shpreh Draghi.

Kryeministri italian përmendi nevojën e rishikimit të traktateve të miratuara të BE në mënyrë që të përballen më mirë për sfidat madhore si rasti i luftës Rusi-Ukrainë. “Nëse kjo kërkon fillimin e një shtegu që do të çojë në rishikimin e traktateve, atëherë duhet të përqafohet me kurajë dhe vetëbesim”, vazhdoi më tej ish-drejtori i Bankës Qendrore Europiane. Ai këmbënguli se nuk mjafton të vendosen sanksione ndaj Rusisë, por duhet që Europa të shkëputet nga varësia prej gazit rus.  “Ne i kemi mbështetur sanksionet e Evropës ndaj Rusisë, përfshirë ato në sektorin e energjetikës dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim me të njëjtën vendosmëri. Por duhet më shumë. Të mbështesësh sanksionet nuk mjafton. Duhet të ecim me shpejtësi drejt pavarësisë nga gazi rus. Ne po e bëjmë këtë dhe do vazhdojmë ta bëjmë”, përfundoi kryeministri italian Mario Draghi.

Bota Maqedonine e Veriut Mario Draghi Shqiperinë