Aktualitet 3 Tetor 2018, 18:44

Dredhitë e Ilir Metës, ja si mashtron me takimet në SHBA

Shkruar nga Pamfleti
Dredhitë e Ilir Metës, ja si mashtron me takimet në SHBA

Zyra e shtypit të Presidentit Ilir Meta, njoftoi me anë të një e-maili zyrtar, se ky i fundit ishte pritur në një takim të posaçëm nga Presidenti i Senatit Amerikan, Senatori Orrin Hatch gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rezulton se Orrin Hatch, nuk është Presidenti i Senatit Amerikan, por është Mike Pence.

Madje për këtë mjafton një kërkim i thjeshtë në rrjete sociale, të Orrin Hatch. Në to shkruhet se, ai është vetëm senator dhe nuk ka postin e Presidentit të Senatit Amerikan, kurse në rrjetet sociale të Mike Pence, shkruhet se është ai presidenti i Senatit Amerikan.

Ilir Meta ka vendosur ta bëjë President të Senatit Amerikan, për të lartësuar vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara, duke mashtruar dhe për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Duke i dhënë dikujt një titull që nuk e ka presidenti, ka faktuar se po vazhdon të vërë makinën e propagandës, për të mashtruar qytetarët që në fakt duhet t’i përfaqësojë denjësisht.

Kujtojmë këtu se në qershor të këtij viti për senatorin Orrin Hatch, shkruajtën të gjitha mediat amerikane, pasi Google bëri njoftimin se ai kishte vdekur. Edhe në një shkrim të fundit të “Washington Post”, shkruhet senatori Orrin Hatch dhe jo presidenti i senatit Orrin Hatch.

Midis këtyre të dyjave ka një ndryshim të madh dhe nuk mund të quhet një gafë e bërë nga shpejtësia, apo pa dija, por është diçka e mirë menduar për të bërë propagandë.

Meta ka dashur të tregojë se ai është i rëndësishëm sepse e ka takuar një nga udhëheqësit titullarë të Amerikës, por në fakt kjo që ka bërë presidenti është njësoj sikur të thuash se spikeri i kongresit amerikan është President i Shteteve të Bashkuara dhe jo Donald Trump./CNA

Emaili

Presidenti Meta takon Presidentin e Senatit Amerikan, Senatorin Orrin Hatch

3 tetor 2018

Uashington D.C, SHBA

Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta u prit në një takim të posaçëm nga Presidenti i Senatit Amerikan, Senatori Orrin Hatch. Presidenti Meta i shprehu Presidentit të Senatit mirënjohjen për ndihmën e deritanishme që SH.B.A.-ja dhe Senati në veçanti, i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e reformave të brendshme në drejtim të forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në vend.
“Shqipëria dhe shqiptarët”, – nënvizoi Presidenti Meta, “nuk do të harrojnë kurrë ndihmën jetike që SH.B.A.-ja u ka dhënë atyre gjatë gjithë historisë”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” – nënvizoi Presidenti Meta, “është partneri kryesor strategjik i Shqipërisë dhe ne mbetemi tërësisht të angazhuar për forcimin dhe konkretizimin e partneritetit strategjik në të ardhmen, me interes të përbashkët të dy vendeve tona”.

 Shqipëria është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, si e vetmja rrugë për forcimin e sigurisë e stabilitetit, por edhe mirëqenies së popujve tanë, që kanë
vuajtuar aq shumë nga konfliktet e të shkuarës. SHBA ka një rol të pazëvendësueshëm në arritjet e deritanishme të Ballkanit në drejtim të paqes e stabilitetit. Angazhimi i tyre edhe në të ardhmen është i domosdoshëm për të mos cënuar arritjet e deritanishme.

 Shqipëria mbështet politikën e “dyerve të hapura” të NATO-s, e pas anëtarësimit të  Malit të Zi, urojmë që edhe Maqedonia të bëhet anëtare e Aleancës. “Ndërkohë”, – theksoi Presidenti Meta, “inkurajojmë që dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet me sukses për të garantuar të ardhmen europiane të dy vendeve”. Presidenti i Senatit Amerikan, Orrin Hatch shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin me Presidentin Meta, duke vlerësuar lart miqësinë e fortë mes dy vendeve tona dhe shprehu mbështetjen e Senatit për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve, jo vetëm në interesin e përbashkët, por edhe në dobi të paqes e zhvillimit të rajonit tonë.

Aktualitet Dredhitë e Ilir Metës