Aktualitet11 Maj 2022, 10:24

“Drejtësi për 21 Janarin e Gërdecin”, Rama i përgjigjet Yuri Kim: S’kam kërkuar dënim, por hetim të ish-kryeministrit non grata

Shkruar nga Pamfleti
“Drejtësi për 21 Janarin e Gërdecin”, Rama i

Kryeministri Edi Rama ditën e sotme i ka bërë sërish thirrje SPAK që të hetojë Sali Berishën, por jo ta dënojë.

Rama deklaroi në konferencën për shtyp se kërkon të zbardhet e vërteta për 21 janarin, çështjen e Gërdecit dhe disa skandale financiare e korruptive, ndërsa thekson se nuk ka presion apo ngutje.

“Presion mbi drejtësinë? Çfarë duhet të thonim për deklaratat e BE dhe SHBA ku është kërkuar ndëshkimi i politikanëve apo gjykatësve të korruptuar? Sipas meje jo, nuk ka presion mbi drejtësinë. Çfarë presioni është të kërkosh hetimin e një ish presidenti dhe një ish kryeministri të shpallur non grata nga SHBA me akuzat më të rënda të mundshme që lidhen me veprimtarinë e institucioneve të këtij vendi? Sekretari amerikan i shtetit ka kërkuar publikisht se institucionet e këtij vendi duhet të bëjnë punën e tyre. Që të jemi të qartë, juve mund të provoni të kundërtën. Unë nuk kam kërkuar dënim, por hetim. Dënimin nuk e vendosim ne, por të hetohet një çështje që është gur në qafë për të gjithë Shqipërinë dhe nuk është çështje e një personi, është domosdoshmëri.

Të zbardhet e vërteta nga një drejtësi e drejtë dhe e pavarur. Që janë të pavarur nuk ka pikë diskutimi, prandaj duhet të çlirohet nga çdo frikë e të kaluarës dhe më në fund të hetohen 21 janari, krimi shtetëror nuk ekziston, të hetohet nëse është apo nuk është. Këtë ta tregojë hetimi i drejtë dhe i pavarur. Të hetohet Gërdeci. Janë dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur. Të hetohen disa skandale të mëdha financiare e korruptive. Çfarë presioni e ngutje është kjo? Nuk është ngutje se jemi në fund të vitit 3 dhe nuk kemi folur. Të gjithë baltën për këtë ngurrim të pajustifikueshëm e kam mbajtur unë personalisht”, tha Rama.

Sipas Ramës,  ky nuk është presion por thirrje ndaj SPAK për të hetuar ish-kryeministrin Sali Berisha pas shpalljes së tij non grata nga DASH dhe akuzave të cilat i quan më të rëndat ndaj një ish- kryeministri.

Kjo deklaratë është edhe një përgjigje ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim pak ditë më parë ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama drejtuar prokurorëve të SPAK-ut për të hetuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta.

Gjatë një konference të KLGJ-së, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ambasadorja Kim tha se drejtësia nuk mund të funksionojë me urdhra apo porosi.

“Ky nuk është standardi që kërkohet”, u shpreh ambasadorja Kim, duke shtuar se “prokurorët nuk mund të veprojnë kur i urdhëron, porosit apo kërcënon dikush”.

Rama gjithashtu ka theksuar sot se SPAK duhet të hetojë dhe të marrë të pandehur gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar përderisa “Vetting-u” i ka shkarkuar dhe i ka nxjerrë me probleme.

Sipas tij të gjithë duhet të japin llogari dhe është e pa tolerushme mosreagimi i SPAK.

Kryesore #Rama #SPAK #YuriKim #Berisha