Aktualitet 4 Shkurt 2023, 15:28

Drejtësia ta detyrojë Edi Ramën, të heq zonat e naftës nga kthetrat e mafies koncesionare të lidhur me mafien politike

Shkruar nga Pamfleti
Drejtësia ta detyrojë Edi Ramën, të heq zonat e naftës

Drejtësia ta detyrojë Edi Ramën, të heq zonat e naftës nga kthetrat e mafies koncesionare të lidhur me mafien politike

Koncesionarët fitojnë miliarda, raportojnë bilance me humbje e nuk paguajnë asnjë detyrim taksa, tatime e normë fitimi në shtet, mbasi i ndajnë me politikanët dhe qeveritarët që janë futur pas tyre si aksionerë të fshehtë, prandaj ky krim ekonomik i nisur nga Fatos Nano e Ilir Metaj dhe i shtuar nga Sali Berisha, po vazhdon prej 10 vitesh nga kryeministri Edi Rama, që deri në fund të vitit 2018, skenarët dhe pazaret i bëri me Damian Gjiknurin

Shkruan: Isuf TUSHE, Ing. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike

Deputeti Erion Braҫe doli në mbrojtje të kryeministrit Edi Rama, për akuzat e PD-së që e lidhin atë me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke e cilësuar biznesmenin Shefqet Dizdari, të lidhur me Sali Berishën, të cilit i ka dhënë kontratë koncesionare në fushën e naftës.

Është marrëveshja midis “Albpetrol” dhe kompanisë “IEC Visoka INC.”, miratuar me VKM nr. 90, datë 27.1.2009, emërtuar “TRANSOILGRGROUP Ag”, ndërsa aktualisht quhet “TERRAOIL SWISS”.

Kjo kontratë e shumë të tjera, tregojnë se Sali Berisha i dhuroi vendburimet e pasurive natyrore hidrokarbure dhe minerare, tek njerëz të njohur, familjarë, oligarkë e zyrtarë të qeverisë, hajdutë e militantë të PD, pa asnjë lloj eksperience apo lidhje me naftën dhe mineralet, madje pa kompani e pa kapital investues, por vazhdojnë i zhvasin miliona Euro ekonomisë së vendit e nuk paguajnë asnjë detyrim në shtet.

Kjo është arsye e fortë, që këto kontrata të pezullohen nga Gjykata Kushtetuese, si të jashtëligjshme dhe këto pasuri t’i rikthehen shtetit; siç është “Stream Oil and Gas” e Arian Tartarit, burrit të deputetes Albana Vokshi në vendburimet Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Delvinë dhuruar nga Sali Berisha.

Pra ҫdo konҫesion, në ecuri ka një histori të veçantë, ndërsa e përbashkëta e gjithë koncesioneve në zonat e naftës, është mënyra e krijimit si kompani, që prej 30 vitesh vetëm vjedhin dhe shkatërrojnë rezervat, vendburimet e mjedisin.

E megjithëse fitojnë miliarda lekë nga nxjerrja dhe shitja e hidrokarbureve, koncesionarët raportojnë bilance me humbje dhe nuk paguajnë asnjë detyrim taksa, tatime e normë fitimi në shtet, mbasi i ndajnë me politikanët dhe qeveritarët që janë futur pas tyre si aksionerë të fshehtë.

Këtë gjë bëri qeveria “Berisha”, më pak ajo e “Nanos”, prandaj deputeti Erjon Braçe, duhet të thoshte se prej 10 vitesh, kë krim ekonomik po e vazhdon me zell të madh qeveria “Rama”, me të njëjtën koncesionarë e me klientë të rinj, të cilët bashkërisht po vazhdojnë t’i bëjnë shfrytëzim barbar pasurive kombëtare të hidrokarbureve.

Prandaj hesht kryeministri Edi Rama përballë kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa edhe gjatë fushatës elektorale të vitit 2013, premtoi se do çonte para drejtësisë hajdutët qeveritarë e koncesionarë, ndërsa pasuritë e naftës, gazit e mineraleve do t’ia rikthente në administrim të shtetit, por nuk veproi dhe u bashkua me ta.

Le të ndalemi pak tek akuza për “mikun” e kryeministrit Edi Rama, zyrtarin e lartë të FBI-së Charles McGonial, të lidhur me aferat e tyre korruptive për fushat e naftës.

Edhe nga “Zëri Amerikës” e media të tjera prestigjoze në SHBA dhe Europë, po flitet hapur për këtë skemë mafiozësh me pazare të pista dhe afera korruptive, me sekserët e tyre “A-B”,  ku kryeministri Edi Rama del i përfshirë në këtë skandal pazaresh.

Duke shfrytëzuar miqësinë midis këtyre të dyve, arritën të korruptojnë zyrtarin e FBI, për të ndërhyrë tek kryeministri Rama, që të merrnin koncesionin për vendburimet Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul-Amonicë; por edhe për të heshtur, lidhur me futjen si partner te kompania “Gazprom” në vendburimin e Visokës.

Është folur edhe më parë, se kjo kompani është partner në këtë biznes, që për drejtësinë shqiptare duhet të shërbejë si indicie konkrete, për të hetuar për këtë grup mafiozësh dhe kryeministrin, ashtu siç po heton drejtësia amerikane ish-zyrtarin e saj McGonigal.

Arsyet dhe interesat e futjes së kompanisë “Gazprom” si partner në këtë biznes, i dinë vetëm qeveritarët që e afruan, ndërsa drejtësia duhet t’i zbulojë dhe të ngarkojë me përgjegjësi, ata që kanë nxjerrë vendimet, kanë urdhëruar, firmosur e favorizuar koncesionarin.

Sepse, vendburimi i pasur i naftës në Visokë, është i pari i zbuluar nga specialistët tanë në vitin 1963. Nuk është sukses i koncesionarit rus, që e ka gjetur gati dhe po trillon sikur po zbulon rezerva të reja, ndërsa “Albpetrol” dhe qeveria e lejojnë të marrë prodhimin e të mos paguaj asnjë detyrim.

Në vitin 2017, ish-ministri Damian Gjiknuri, pezulloi koncesionet në 3 vendburimet e naftës Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul e Amonicë, me argumentin se kishin shkelje në termat e kontratave dhe ia kaloi në administrim kompanisë shtetërore “Albpetrol”.

Ndërsa në muajin qershor 2018, ministri Gjiknuri ia dha me koncesion kompanisë “TERRAOIL SWISS” të Shefqet Dizdarit, oligarkut të Edi Ramës e të Sali Berishës, po me atë tip kontrate që e quajti “të paligjshme e të dështuar”.

Pas plasjes së skandalit “McGonigal- Rama- Nezaj”, po kuptohet se ri-shtetëzimi i tyre nga ish-ministri Damian Gjiknuri, paska qenë një skenar mafioz i qëllimshëm, i përgatitur që më parë, për t’ia dhuruar ato 3 vendburime nafte, oligarkut të kompanisë koncesionare “TERRAOIL SWISS”.(Vijon)./Pamfleti

Kryesore #Drejtësia ta detyrojë Edi Ramën #të heq zonat e naftës nga kthetrat e mafies koncesionare të lidhur me mafien politike