Aktualitet30 Prill 2022, 09:52

Dritoni nuk është Bojan prandaj diskriminohet!

Shkruar nga Pamfleti
Dritoni nuk është Bojan prandaj diskriminohet!

Shkup- Ne sado flasim për avancim, për gjelbërim, për progres sërish jemi në regres e ende përballemi me diskriminime në gjitha fushat pa dallim. Ndryshohen rregulloret e ligjet pa kurrfarë pengese e arsyetimi, që suksesi për shqiptarët të mbetet ende utopi.

Së fundmi, karateisti Driton Halimi kampion i shumëfishtë i Maqedonisë së Veriut, nën kampion ballkanik, ka fituar vendin e 7 në Kupën e Botës dhe pjesëmarrës në shumë gara mbarëkombëtare, është diskriminuar qartazi duke u ndryshuar rregullorja që në vend të Dritonit në Kampionatin Evropian të shkojë Bojan Kostov.

Kjo më veçse po dihet e po kuptohet se rregullorja nuk ka ndryshuar rastësisht e as befasisht, por qëllimisht e kjo përpos që është padrejtësi është edhe tregues i qartë se edhe në sport e kudo ku ka shqiptarë ka edhe diskriminim.

Ju mbase edhe mund ta ndryshoni rregulloren, por asesi ta ndaloni rrugëtimin e shqiptarëve drejt sukseseve të shumta në sfera të ndryshme.

Driton Halimi është kampion jo vetëm i shqiptarëve por edhe i juaji, edhe ju që po e diskriminoni duhet të krenoheni me sukseset e Dritonit që e përfaqëson Maqedoninë e Veriut. Pas çdo suksesi të Dritonit vijonin urimet e takimet në zyra e vende ku kuvendohet, për ta uruar e për të shkrepur fotografi e për të ndarë krenarinë. Tani duhet ta ndjejnë obligim moral e përgjegjësi ata që e kanë takuar e janë krenuar të reagojnë me mekanizmat posedues ndaj kësaj padrejtësie.

Ju mund edhe të mos reagoni fare, por fjalët e fundit të Dritonit në reagimin e tij ishin këto “Stërvitje, mund, djersë, kohë, investim… Të gjitha të shkojnë kot në këtë vend”.

Shkupi #Bojan #Driton diskriminim Maqedoni