
Avokati Spartak Ngjela duke folur sa i takon pozitës në të cilën ndodhet Kosova sot dhe kushtit që i është vendosur nga Perëndimi për krijimin e Asociacionit në veri, tha se e përkrah karakterin patriotik të qeverisë së Albin Kurtit për të mbrojtur territorin e Kosovës.
Ai shtoi gjithashtu se dy shtetet shqiptare në Ballkan janë aleatë të mëdhenj të Uashingtonit, përkundër Serbisë që siç tha janë antiamerikanë. Ai shtoi se nuk mund të lejohet asnjë lloj konfederate serbe në territorin e Kosovës.
“Çështja shqiptare ka lënguar, ka qenë në gjendje të tmerrshme, kemi qenë gati duke u shfarosur. Po të mos kishte dalë presidenti Wilson në ‘19-ën në Paris ne do ishim shfarosur, do ishte shumë e vështirë rimarrja e pavarësisë së Shqipërisë dhe jo më shteti i dytë. Tani ne jemi dy shtete të forta, jemi aleatë i Uashingtonit, s’jemi sllavë. Ata që kërkojë territoret tona janë antiamerikanë, as e diskutoj, kjo është logjika jonë. Ai është shteti ynë, ka shpëtuar prej tyre, janë të humbur në luftë, akoma s’kanë paguar dëmet që u kanë sjellë shqiptarëve. Unë e përkrah karakterin patriotik të qeverisë së Kosovës; nuk mund të lejohet asnjë lloj kuazi-konfederatë serbe brenda territorit të Kosovës”, tha Ngjela për “EuronewAbania”.
Ngjela i sugjeroi kryeministrit të Kosovës të rezistojë për të mbrojtur vendin, e të mos bëjë lëshime ndaj Serbisë.
“Ne e kemi fituar luftën në vitin 99’ dhe unë u bëj thirrje atyre të qëndrojnë për të ruajtur dinjitetin e kombit të tyre sepse ka shumë filoserbë brenda. Gjithë çështja është se të rrahurit duan rrahësin shpesh, jo të gjithë, por ka nga ata që vuajnë psiqikisht,” u shpreh Ngjela për “EuronewAbania”.
Ngjela tha ndër të tjera se patriotizmi dhe politika nuk mund të ngatërrohen. Ai shtoi se presioni për asociacionin po bëhet me sfond politik, ndërsa mbrojtja e Kosovës është patriotik dhe se nuk ka pse të pranohet asociacioni para se serbët të largohen andej nga kanë ardhur.
“Serbët janë pushtues, kanë dashur të pushtojnë gjithë territorin, e kishin pushtuar territorin, kanë larguar miliona. Nga gjithë reaksioni serb edhe grek, gjithë reaksioni anti nesh 5 milionë shqiptarë ka eleminuar, që njihen si numër, por janë më shumë. Kosova ka qenë vendi me problemin më të madh gjenocidial, gjenocid i tmerrshëm,” u shpreh Ngjela.