Dy rrugë mbeten për mbështetësit e Sali Berishës: Ndal ose do të nxirreni jashtë!
Ka qenë ky ultimatumi i kreut të PD-së, Lulzim Basha drejtuar atyre që duan të përçajnë partinë, duke nënkuptuar se pas përjashtimit që i bëri Sali Berishës dhe anëtarëve grupit të Rithemelimit pak ditë më parë, ka ardhur koha që pjesa tjetër të reflektojë.
“Ata që duan ta përçajnë PD-në e bëjnë për hesap të Edi Ramës, atyre u themi ndal ose jashtë. Një grusht njerëzish janë këta, që i kanë bërë llogaritë gjithmonë për xhepat e tyre.
Ndërsa një pjesë tjetër, që përhumbet pas imazheve të së kaluarës dhe ndalet përpara njerëzve sikur me qenë ikona, dhe me gabime shumë të mëdha, që mund të kushtonin edhe jetë demokratësh me një gjuhë urrejtje. Ata e kanë kaluar vijën e kuqe, që është dhuna, që kur kalohet ka dy rrugë; ose e lëmë të na shkatërrojë ose të marrë vendimet sikur i mori PD-ja.
Shumica tjetër e diferencuar, edhe në 8 janar, edhe në oborr ishin diferencuar, ata kanë akoma mundësi t’i thërrasin mendjes dhe arsyes. Na lë të vazhdojmë përpara. Kulti i individit e ka marrë Shqipërinë goxha në qafë.
Dy kushte duhet të përmbushim për të përmbysur këtë tirani, e para të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos ta humbasim busullën tonë, të PD-së, partisë perëndimore, pro amerikane dhe europiane. Këtë nuk e përcaktojnë fjalët, por veprat tona kanë folur qartë.”- tha Basha.