Aktualitet 9 Dhjetor 2022, 19:58

“Duhet njohje reciproke”, i dërguari i Blinken i prerë: Kosova të anulojë zgjedhjet në Veri

Shkruar nga Pamfleti
“Duhet njohje reciproke”, i dërguari i Blinken i prerë:

Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Derek Chollet, nis javën e ardhshme një turne në Ballkanin Perëndimor, me ndalesa në Kosovë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Bosnje dhe Mal të Zi.

Në prag të vizitës, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, zoti Chollet thotë se zgjedhjet lokale në komunat në veri të Kosovës duhet të shtyhen për shkak të situatës së sigurisë atje.

Ne e kemi shprehur qartë se mendojmë se nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh brishtësinë e situatës në këto momente. Vetëm 24 orët e fundit kemi parë veprime të dhunshme, është një kohë shumë e tensionuar dhe duam të sigurohemi që ekzistojnë kushtet e duhura që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Kosova është një demokraci shumëetnike, si Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenarë për punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjatë 20 viteve të fundit për të ndihmuar në vendosjen e demokracisë në Kosovë. Dhe ne duam të vazhdojmë të punojmë për ta mbështetur dhe mbrojtur atë. Prandaj, ne sugjerojmë me respekt, që këto zgjedhje të shtyhen, derisa të vijë koha e duhur kur mund të mbahen, pa nxitur më shumë paqëndrueshmëri dhe dhunë”, tha ai.

Zyrtari i lartë amerikan po ashtu thekson se ndërsa normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka në themel njohjen reciproke, Uashingtoni, beson se bisedimet e tanishme janë një hap drejt kësaj, që Kosova të vazhdojë rrugën e integrimit drejt Evropës.

Siç thatë edhe ju, ka qenë një rrugë e gjatë, por ne e mbështesim me forcë këtë proces të udhëhequr nga BE-ja. Ne kemi punuar shumë me të dyja palët në mbështetje të BE-së, për të arritur këtu ku jemi. Për sa u përket bisedimeve që janë në vazhdim e sipër dhe do të ketë një raund të ri bisedimesh në javët e ardhshme në Bruksel. Ne e mbështesim shumë këtë proces. Nuk dua të hyj në detaje, por një nga gjërat për të cilat do të flas kur të vizitoj Prishtinën dhe më pas Beogradin, do të jetë se si Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të mbështesin Bashkimin Evropian në përpjekjet e tij për të pasur negociata të suksesshme”, tha ai.

Zoti Chollet për nga funksioni është në nivelin e Zv./Sekretarit të Shtetit dhe kryen misione të posaçme diplomatike të ngarkuara nga Sekretari Blinken.

Intervista

Zëri i Amerikës: Zoti Chollet, këtë vit procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është intensifikuar dhe presioni ndaj të dyja vendeve është rritur. Në të njëjtën kohë është vënë re edhe një përshkallëzim i tensionet mes dy palëve. Në më pak se dy javë, Kosova ka planifikuar zgjedhje të posaçme në pjesën veriore të vendit, që janë vënë në pikëpyetje për shkak të shqetësimeve të sigurisë. A duhet të mbahen këto zgjedhje? Dhe nëse ato shtyhen, çfarë mesazhi përçon një gjë e tillë?

Derek Chollet: Ne e kemi shprehur qartë se mendojmë se nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh brishtësinë e situatës në këto momente. Vetëm 24 orët e fundit kemi parë veprime të dhunshme, është një kohë shumë e tensionuar dhe duam të sigurohemi që ekzistojnë kushtet e duhura që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Kosova është një demokraci shumëetnike, si Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenarë për punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjatë 20 viteve të fundit për të ndihmuar në vendosjen e demokracisë në Kosovë. Dhe ne duam të vazhdojmë të punojmë për ta mbështetur dhe mbrojtur atë. Prandaj, ne sugjerojmë me respekt, që këto zgjedhje të shtyhen, derisa të vijë koha e duhur kur mund të mbahen, pa nxitur më shumë paqëndrueshmëri dhe dhunë.

Zëri i Amerikës: A keni marrë ndonjë përgjigje prej Prishtinës në këtë drejtim?

Derek Chollet: Ne kemi biseduar vazhdimisht për këtë me kolegët tanë në Prishtinë. Ambasadori ynë atje Jeff Hovenier ka qenë shumë i angazhuar në këtë drejtim dhe unë do të shkoj atje javën e ardhshme Kjo do të jetë një nga temat kryesore për të cilat do të flas me presidenten dhe kryeministrin, ndërsa punojmë së bashku për të gjetur një emërues të përbashkët.

Zëri i Amerikës: Propozimi kryesor që po diskutohet mes Beogradit dhe Prishtinës është i ashtuquajturi plan franko-gjerman. Megjithëse nuk janë bërë të njohura gjerësisht detajet, çka në vetvete është diçka misterioze, ai nuk parashikon njohje të ndërsjellë. Të dyja palët kanë kryer bisedime për mbi 10 vjet, duke u marrë me çështje dytësore dhe jo me temën kryesore: njohjen. Çfarë ju bën të mendoni se gjërat këtë radhë do të jenë më mirë dhe do të ketë më shumë sukses?

Derek Chollet: Siç thatë edhe ju, ka qenë një rrugë e gjatë, por ne e mbështesim me forcë këtë proces të udhëhequr nga BE-ja. Ne kemi punuar shumë me të dyja palët në mbështetje të BE-së, për të arritur këtu ku jemi. Për sa u përket bisedimeve që janë në vazhdim e sipër dhe do të ketë një raund të ri bisedimesh në javët e ardhshme në Bruksel. Ne e mbështesim shumë këtë proces. Nuk dua të hyj në detaje, por një nga gjërat për të cilat do të flas kur të vizitoj Prishtinën dhe më pas Beogradin, do të jetë se si Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të mbështesin Bashkimin Evropian në përpjekjet e tij për të pasur negociata të suksesshme.

Zëri i Amerikës: Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara, i shprehur nga Presidenti Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken, është që Kosova dhe Serbia të njohin njëra-tjetrën. Në fakt kjo është ajo që kërkon qeveria e Kosovës, që të gjitha këto çështje dytësore, të inkuadrohen në zgjidhjen e çështjes kryesore. Çfarë problemi ka me këtë qasje dhe cilat janë hapat e mëtejshëm?

Derek Chollet: Ne duam ta shohim Kosovën të vazhdojë në rrugën drejt integrimit më të madh evropian dhe një nga mesazhet që doli nga takimi shumë i rëndësishëm i nivelit të lartë mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Tiranë, i pari i këtij lloji që mbahet në rajon, ishte një angazhim i ripërtërirë i Bashkimit Evropian për ta çuar më tej këtë integrim. Ne i konsiderojmë bisedimet e drejtuara nga BE-ja mes Serbisë dhe Kosovës, si një element kritik në këtë drejtim. Ne jemi të përqendruar tek normalizimi me bazë njohjen e ndërsjellë. Por ne besojmë se bisedimet mund të çojnë në këtë hap dhe Kosova të mund të vazhdojë në rrugën e integrimit drejt Evropës.

Zëri i Amerikës: Javët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë në Prishtinë. Departamenti i Shtetit i ka quajtur veprimet e Kryeministrit Kurti zhgënjyese. Një qëndrim që nuk e kemi parë përpara. Çfarë ka ndryshuar?

Derek Chollet: Bëhej fjalë për një çështje specifike, atë të zbatimit të vendimit për targat. Ne kishim pasur shumë biseda me kryeministrin dhe të tjerë për këtë çështje. Sekretari i Shtetit pati një bisedë me të. Ajo që mund të them është se më 23 nëntor ne kishim rënë dakord që ta linim atë çështje mënjanë për momentin, në mënyrë që të mund të përqendroheshim tek ajo që ne besojmë se është çështja më e rëndësishme me të cilën përballemi sot dhe ky është statusi i bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin me bazë njohjen reciproke. Kjo është diçka për të cilën ne do të bëjmë gjithçka mundemi, që ta mbështesim dhe kjo do t’i mundësonte Kosovës ecjen në këtë rrugëtim drejt integrimit evropian. Duke qenë se kushtet nuk ishin të përshtatshme për të zbatuar plotësisht këtë rregullore për targat, mendimi ynë ishte se ishte e rëndësishme të mos shkaktonim paqëndrueshmëri më të madhe. Menduam se do të ishte një lëvizje e matur, që ta linim (çështjen e targave) mënjanë për momentin, që t’i jepej më shumë kohë zhvillimit të bisedimeve të udhëhequra nga BE.

Zëri i Amerikës: Siç e dini, Shtetet e Bashkuara kanë ndikim të madh në Kosovë dhe madje kanë kërkuar që Uashingtoni të jetë më i përfshirë. A do të shohim një rritje të angazhimit nga Shtetet e Bashkuara lidhur me bisdedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse BE-ja e udhëheq procesin?

Derek Chollet: Kosova është një partnere e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara. Unë e di që Kosova është një vend shumë pro-amerikan dhe Shtetet e Bashkuara janë një vend shumë pro-Kosovës dhe sigurisht ne kemi pasur një rol kritik në përpjekjet e Kosovës për të fituar pavarësinë. Gjatë dekadave të fundit, Kosova ka qenë një partner i shkëlqyer në aspektin e mbështetjes për Ukrainën, madje ka bërë më shumë se sa janë mundësitë e saj. Ajo ka qenë gjithashtu një partner i shkëlqyer i Shteteve të Bashkuara duke ndihmuar në pranimin e afganëve që donin të largoheshin nga Afganistani pas rënies së qeverisë afgane. Kështu ne do të vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar me kolegët tanë në Prishtinë. Ne kemi komunikime të rregullta me ta këtu në Uashington, në takime të tjera anembanë botës, si dhe vizita si ajo që do të të bëj unë javën e ardhshme në Prishtinë.

Zëri i Amerikës: Dhe si u përgjigjeni qytetarëve në Kosovë që pyesin se si ka mundësi që Serbia po “ulet në dy karrige” dhe po trajtohet ndryshe nga vendet perëndimore, nga Shtetet e Bashkuara. Ndërsa Kosova po trajtohet më ashpër, se trysnia është rritur ndaj Kosovës, por jo aq shumë ndaj Serbisë. Cila është përgjigjia juaj?

Derek Chollet: Ne nuk e shohim aspak kështu. Kosova është një mike shumë e mirë e Shteteve të Bashkuara, një partnere e ngushtë. Ne kemi një marrëdhënie të rëndësishme edhe me Serbinë. Ne po përpiqemi t’i zgjidhim këto çështje hap pas hapi dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për të qenë një partner i mirë për Kosovën dhe Serbinë, ndërsa ato punojnë në procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, të cilin ne e mbështesim plotësisht, për të arritur rezultatin më të mirë, që ne mendojmë se do t’i ndihmonte të dyja këto vende të realizojnë potencialin e tyre të plotë.

Zëri i Amerikës: A keni diçka tjetër për të shtuar?

Derek Chollet: Mezi pres të kthehem në Kosovë. Vizita ime e fundit atje, ka qenë me ambasadorin Holbrooke shumë vite më parë. Mezi pres të shoh miqtë dhe kolegët e mi atje dhe të bisedoj përsëri me presidenten dhe kryeministrin.

Kryesore DASH Kosova Prishtina zgjedhje