Sport10 Nëntor 2022, 16:25

Duka heq dorë nga trajnerët italianë? Ish-fituesi i tripletës me Interin kandidat për stolin e kombëtares shqiptare

Shkruar nga Pamfleti
Duka heq dorë nga trajnerët italianë? Ish-fituesi i

Duka heq dorë nga trajnerët italianë? Ish-fituesi i tripletës me Interin kandidat për stolin e kombëtares shqiptare

Kombëtarja shqiptare luajti dje miqësoren e parë për këtë muaj ndaj Katarit në Spanjë, nën drejtimin e Edi Rejës, që me shumë mundësi i kanë mbetur edhe dy ndeshje në stolin kuqezi, atë me Italinë më 16 nëntor dhe tri ditë më vonë me Armeninë.

“Panorama Sport” mëson se një tjetër emër i ri ka dalë në skenë për të marrë “timonin” e Shqipërisë. Bëhet fjalë për Esteban Kambiason, ish-lojtarin e Interit dhe kombëtares argjentinase. Gazeta mëson se Kambiaso është kandidati potencial për stolin e kombëtares, teksa pak ditë më parë ka mbërritur në Shqipëri.

Prapaskenat

Me italianin Edi Reja, i cili është edhe në muajin e fundit të kontratës, FSHF-ja po punon për të gjetur një zëvendësues, edhe pse ndarja me 77-vjeçarin pritet të bëhet pas miqësoreve me Italinë dhe Armeninë.

Ndërkohë, nga ana tjetër, përveç Marko Xhampaolos, i cili po ashtu është një pistë, në skenë ka dalë edhe emri i Esteban Kambiasos.

Mësohet se fituesi i tripletës së famshme me Interin ka darkuar me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe ka pasur edhe një bisedë për këtë gjë.

Madje argjentinasi ka qenë në takim edhe me kryeministrin e vendit Edi Rama. Edhe pse akoma nuk kemi asgjë zyrtare, Kambiaso është një nga kandidatët potencialë për të udhëhequr Shqipërinë në rrugën e kualifikueseve të Europianit, të cilat do të nisin vitin e ardhshëm.

Kambiaso

Argjentinasi e mbylli me futbollin e luajtur pesë vite më parë, kur aktivizohej për Olimpiakosin në Greqi, ndërkohë karriera e tij është tek Interi, ku qendroi për 10 vite, nga 2004 deri më 2014. Ai ka veshur edhe fanelat e Realit të Madridit, Lestërit apo River Plejtit dhe Independiente në Argjentinë. Fitues i tripletës së famshme me Interin dhe pesë kampionateve në Serinë A.

Kambiaso aktualisht është 42-vjeç, ndërkohë sapo la futbollin përfundoi edhe kursin e trajnerit në Koverçano.

Ai e nisi duke stërvitur ekipe të reja në Serinë C dhe më pas roli i tij i fundit si drejtues është në vitin 2018, kur hyri në stafin teknik të Zhoze Nestor Pekerman, trajnerit të Kolumbisë, për Botërorin e këtij viti.

Nga maji shtator, aventura e tij te Kolumbia përfundoi shpejt, me largimin e Pekerman.

Sport Esteban Kambiaso ish-futbollisti i Interit Kombetarja Shqiptare