Bota 6 Tetor 2022, 19:22

Dy tragjedi në një ditë/ Përmbyset anija, dhjetëra emigrantë të mbytur në brigjet greke; Athina bën përgjegjëse Turqinë

Shkruar nga Pamfleti
Dy tragjedi në një ditë/ Përmbyset anija, dhjetëra

Të paktën 18 persona, mes të cilëve 16 gra, një burrë dhe një djalë i ri, kanë ndërruar jetë pasi anija e tyre u mbyt në ishullin grek të Lesbos. Ngjarja përbën fatkeqësinë e dytë detare që përfshin emigrantët në detin Egje brenda të njëjtës ditë.

Operacionet e rojes bregdetare në Kythira dhe Lesbos për shpëtimin e refugjatëve dhe emigrantëve vijojnë në kushte të pafavorshme atmosferike, ndërsa banorët që kanë nxituar për të ndihmuar janë të shokuar nga pamjet që kanë parë. Në Kythera alarmi ka arritur pikën kritike, pasi 20 persona rezultojnë ende të zhdukur.

Varka me rreth 40 emigrantë është fundosur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në një zonë detare shkëmbore në ishullin e Lesbos. 16 viktimat ishin vajza të reja me origjinë afgane, ndërsa dy viktimat e tjera ishin një djalë rreth 15 vjeç dhe një burrë. Ndërkohë, numri total i personave të shpëtuar u rrit në 25. Ata janë transferuar dhe po trajtohen në repartin e shtrimit të shkurtër të Spitalit të Mytilinit.

Anija u mbyt në lindje të Lesbos, i cili shtrihet afër bregut të Egjeut të Turqisë. “Erërat e forta që fryjnë në zonë po e vështirësojnë punën tonë,” tha zëdhënësi i rojes bregdetare, Nikos Kokkalas për TV shtetëror ERT.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, duke folur nga Praga teksa mbërriti për samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian, i kërkoi Evropës të “punojë së bashku, në një mënyrë shumë më kuptimplote”, për të parandaluar incidente të tilla.

“Dhe për të neutralizuar plotësisht trafikantët që po shfrytëzojnë njerëz të pafajshëm, njerëz të dëshpëruar, të cilët po përpiqen të arrijnë në kontinentin evropian me varka që nuk janë qartësisht të detajuara“- tha ai, ndërkohë mediet greke fajësojnë Turqinë për përdorimin e jetëve njerëzore si mjete konflikti, duke iu lënë atyre hapsirë të hyjnë në ujërat greke.

Vlen të theksohet se autoritetet greke mundën të shpëtonin 80 emigrantë të mërkurën  – mes tyre 18 të mitur – pranë ishullit Kythira në Greqinë jugore pasi varka e tyre u mbyt në ujërat e stuhishme. Greqia ishte në vijën e parë të një krize evropiane të migracionit në 2015 dhe 2016, kur rreth një milion refugjatë që ikën nga lufta dhe varfëria në Siri, Irak dhe Afganistan mbërritën në vend, kryesisht nëpërmjet Turqisë.

Numri i të ardhurve ka rënë që atëherë. Por autoritetet greke thanë se kohët e fundit kishin parë një rritje të tentativave për hyrje përmes ishujve të vendit dhe kufirit tokësor turk.

Të enjten, Ministri i Transportit Ioannis Plakiotakis tha se Turqia nuk po i pengon trafikantët e qenieve njerëzore të shfrytëzojnë emigrantët dhe i kërkoi asaj të respektojë një marrëveshje të vitit 2016 me Bashkimin Evropian për t’i mbajtur refugjatët dhe emigrantët larg Evropës.

“Për sa kohë që roja bregdetare turke nuk i pengon veprimet e tyre, trafikantët do të grumbullojnë njerëz fatkeq, pa masa sigurie, në varka që nuk mund t’i rezistojnë kushteve të motit”- tha Plakiotakis, raporton Reuters. Ndërkaq, Turqia pretendon se ka rritur masat për të parandaluar kontrabandën e njerëzve.

Greqia është përballur me akuza të përsëritura nga Ankaraja, grupet e të drejtave të njeriut, si dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët UNHCR, për shtyrjen e emigrantëve dhe refugjatëve dhe fundosjen e varkave të tyre, gjë të cilën Athina zyrtare e mohon.

Bota emigrantë Greqi TURQI