Kronike30 Nëntor 2022, 21:01

Dyshohet se organizoi rrëmbimin e Jan Prengës, arrestohet i shumëkërkuari Gentian Doçi

Shkruar nga Pamfleti

Arrestohet nga policia personi që dyshohet se organizoi rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz. Prenga u rrëmbye dhe dyshohet se u vra më pas në kompleksin “Golden”, por që policia nuk arriti kurrë të gjejë trupin e tij.

Gentian Doçi (Doçaj), i njohur dhe me emrin Gentian Funiqi, është arrestuar nga policia Spanjolle. Ai është ndaluar nga autoritetet për shkak se lëvizte me dokumente false, por më pas u zbulua se kishte një urdhër-arresti nga autoritetet shqiptare.

Ai ka pasur 5 identitete, ndërkohë që kërkohej nga Italia për trafik droge. Doçi njihej dhe me emrat: Gentjan Funiqi, Gentjan Martini, Festim Olomani  dhe Rayko Ivanov.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në bashkëpunim me homologët, falë punës hetimore të kryer nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale, me homologët spanjollë, në kuadër të operacionit “Seville”, u kap nga Policia spanjolle dhe u arrestua, me qëllim ekstradimi, shtetasi i shumëkërkuar G. F. alias G. M. alias F. O., 40 vjeç, nga Shkodra.

Ky shtetas, në momentin e kapjes nga Policia, mbante një kartë identiteti bullgare të falsifikuar, me gjeneralitete R. I., dhe një sasi lënde narkotike, të cilat janë sekuestruar nga Policia.

40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2020, në Kamzë, Tiranë, ka marrë peng shtetasin J. P. Interpol Tirana po punon për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë“, tha policia.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Gentian Doçi akuzohet se është koka e grupit të Dukagjinit, të shpallur në kërkim për pengmarrjen e 49-vjeçarit Jan Penga, babai i 5 fëmijëve. Ky i fundit dyshohet se u rrëmbye për shkak të pazareve të drogës. Vëllai i tij kishte vjedhur 260 kilogram kokainë dhe grupi i drejtuar nga Doçi rrëmbeu Jan Prengën duke kërkuar në këtë mënyrë kthimin e drogës.

Emri i Doçit u zbulua nga dëshmia që vëllai i viktimës, Anton Prenga dha në prokurori. Prenga zbuloi se kishte pajtuar një pajtues gjaqesh për të takuar familjen Doçi. Ai kishte shkuar atje bashkë me Nikoll Shullanin, i cili kishte biseduar me Lush Doçin, që i kishte mohuar përfshirjen e të birit në këtë ngjarje. Ndërkohë që sipas të dhënave të deritanishme, rezulton se Doçi telefonoi vëllain e vogël në Angli, Astritin, të cilit i kërkoi kokainën e vjedhur, konkretisht 260 kilogram.

Gentian Doçi telefonoi Astritin dhe Gëzimin, ndërsa Gramoz Rexhepi, vëllain e Prengajve, Ndrekën i cili ndodhej në burg. Pas paralajmërimeve, pengu ishte marrë në Kamëz, dhe 5 ditë më vonë, më 22 janar, droga dhe 700 mijë paund, pjesa e Shullanit dhe Prengës u kthyen, por jo Jan Prenga. Në këtë moment, Gramoz Rexhepi i tregon Ndrek Prengës emrat e rrëmbyesve për shkak se ata i dolën nga fjala e dhënë se pengu nuk do të vritej.

Sipas kqyrjes së kamerave të sigurisë, dyshohet se rrëmbyesit ta kenë nxjerrë të pajetë trupin e Jan Prengës dhe ta kenë transportuar me një furgon të bardhë, tek i cili janë parë të futen disa persona me lopata, që dyshohet ta kenë groposur, por ende trupi nuk është gjetur. Por në fund u dënua vetëm roja i resortit “Golden”, pasi gjithë të tjerët ja hodhën paq.

Kronike Jan Prenga Rrembimi Vrasje